Ujmani nxeh raportet Amerikë-Kosovë, çfarë pritet në ndodhë me ujin e këtij liqeni

25/06/2021 4:30 PM 0 komente

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës raportin e studimit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i paraparë në njërën nga pikat e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur sot se ende nuk e ka lexuar raportin Amerikës për liqenin.

 

 

Shtetet e Bashkuara i kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Studimi shënon përmbushjen e një prej angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020.

Raporti propozon formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.

Aty theksohet se sistemi i Ujmanit duket se luan rol të njëjtë të digës në lumin Columbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve.

“Sistemi i Ujmanit duket se luan rol të ngjashëm me Digën e Grand Couleet në lumin Columbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në SHBA sa i përket kontributit të tij për sistemin e magazinimit për furnizim me ujë gjatë sezoneve, dhe energjinë ujore dhe po ashtu për shërbimet e kontrollit të përmbytjes – të gjitha të bazuara në një kombinim të parashikimeve të fluksit sezonal dhe afatshkurtër, të gjitha të bazuara në një kombinim të parashikimeve të fluksit sezonal dhe afatshkurtër”, thuhet në njërën nga pikat e raportit.

Por, për këtë raport deri më sot nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës.

Kurse, gjatë ditës shefi i Qeverisë, Albin Kurti bëri të ditur se ende nuk e ka lexuar raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për liqenin e Ujmanit dhe se për këtë, kanë ekipin që do të merren.

Kurti, pas një simpoziumi me temën “E ardhmja e Planifikimit Territorial në Kosovë”, në një deklaratë të shkurtër për media, tha se raportin e SHBA-së për Ujmanin do ta komentojnë më vonë. “Nuk e kam lexuar ende raportin, kemi ekipet që merren me këtë gjë, dhe pastaj do ta komentojmë”, u shpreh shkurt Kurti.

Shtetet e Bashkuara në raportin që i kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës kanë propozuar formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

“Në propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër”, thuhet në dokument.

Aty theksohet se sistemi i Ujmanit duket se luan një rol të njëjtë të digës në lumin Kolumbia në Paqësorin Veri-Perëndimor në Shtetet e Bashkuara sa i takon kontributit të tij për shërbimet e ruajtjes për furnizimin me ujë sezonal, energjisë dhe në shërbimet e kontrollit të përmbytjeve.

Traktati i lumit Kolumbia është arritur në vitin 1961 midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas kësaj marrëveshje u ndërtuan katër diga: tri në Kanada dhe një në shtetin Montana në SHBA.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, traktati mundëson menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe ofron përfitime thelbësore për miliona njerëz në të dy anët e kufirit.

“Traktati ka lehtësuar përfitime shtesë si ujitja, përdorimi i ujit për nevoja lokale, përdorimi industrial, lundrimi dhe rekreacioni”, thuhet në ueb faqen e DASH-it.

Raporti për Ujmanin paraqet edhe rekomandime tjera. Aty rekomandohet përmirësimi i infrastrukturës së ujërave dhe zbatimi i udhëzimeve të Bankës Botërore për riparimin dhe mirëmbajtjen e kanalit Ibër-Lepenc, përfshirë rezervuarin në Mihaliq. Kjo masë rekomandohet në mënyrë që të përmirësohet sistemi dhe siguria e furnizimit me ujë.

Raporti gjithashtu rekomandon që të zbatohet sistemi i Kontrollit Mbikqyrës dhe Marrjes së të Dhënave (SCADA) në hidrocentralin e Ujmanit në mënyrë që të rriten të ardhurat dhe të ndihmohet në balancimin e ngarkesës. Modeli i të dhënave SCADA, sipas raportit do të përdorej edhe për planifikimin e modeleve të energjisë si dhe do të ndihmonte të identifikoheshin investimet e nevojshme në infrastrukturë. Raporti thotë se përmes këtij rekomandimi do të ofrohej edhe mundësia për KOSTT-in (Tregu i Energjisë Eelektrike në Kosovë) që të balancojë ngarkesën dhe të menaxhojë çmimet rajonale të energjisë elektrike.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, lidhur më këtë çështje ka shkruar në rrjetin social, Facebook, se qeveria duhet të kujdeset për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit.

“Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse është në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës”, ka shkruar Hoti. Më 4 shtator 2020, në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar Marrëveshjen për normalizim ekonomik.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në dokument.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti kishte miratuar planin 16-pikësh për zbatimin e kësaj Marrëveshje. Pika e shtatë e këtij plani është që të dy palët do të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësi të tjera të Qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit Ujmanit, si burim i mundshëm i ujit dhe energjisë.

“Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive tjera të qeverisë së SHBA-ve duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit, duke u fokusuar në: përcaktimi i alokimit teknik ekzistues të burimeve ujore të liqenit; eksplorimi i mundësive, nëse ka, për të avancuar infrastrukturën e liqenit për të optimizuar furnizimin me ujë, për të mundësuar përdorimin për qëllime të tjera (p.sh. ujitje, ujë të pijshëm); dhe Sigurimi që secili rekomandim ose propozim në studim nuk duhet të rrezikojë shfrytëzimin ekzistues të ujit”, thuhej në plan.

Kanali Ibër – Lepenc, kalon nëpër territorin e pesë komunave – Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq dhe Prishtinë.

Viteve të fundit, zyrtarë nga Beogradi kanë insistuar ta përvetësojnë këtë liqen, çka është kundërshtuar fuqishëm nga autoritetet zyrtare në Kosovë. Madje, më 8 shtator 2018, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte vizituar Liqenin e Ujmanit, ose siç e quajnë serbët të Gazivodës, ku kishte thënë se “Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët“.

Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Liqeni i Ujmanit, nga Serbia dhe presidenti Vuçiq ishte cilësuar si burim dhe pasuri ekonomike serbe, por një gjë e tillë kundërshtohet ashpër nga autoritetet në Prishtinë.

Ky liqe konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of