Ukrainës i nevojiten 750 miliardë dollarë për të zbatuar një plan rimëkëmbjeje me tre faza pas pushtimit rus, deklaroi kryeministri i këtij vendi të hënën.
Denys Shmygal tha gjithashtu në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës, të organizuar nga Zvicra, se kishte mbi 100 miliardë dollarë dëme të drejtpërdrejta në infrastrukturën e Ukrainës si pasojë e pushtimit të Rusisë.
“Sot, humbjet direkte në infrastrukturën e Ukrainës arrijnë mbi 100 miliardë dollarë,” tha ai. “Kush do të paguajë për planin e rimëkëmbjes, i cili tashmë po vlerësohet të jetë rreth 750 miliardë dollarë?
Shmygal shtoi se qeveria ukrainase beson që një burim kryesor financimi për planin e rimëkëmbjes duhet të jenë asetet e konfiskuara nga oligarkët rusë.
Ai tha se plani i rimëkëmbjes së Ukrainës kishte tre faza. E para fokusohet te rregullimi i atyre gjërave që kanë rëndësi për jetën e përditshme të njerëzve, si për shembull furnizimi me ujë. Më pas vjen një komponent i “rimëkëmbjes së shpejtë”, i cili do të nisë sapo të përfundojë lufta, duke përfshirë strehimin e përkohshëm, projekte të ndryshme për spitale dhe shkolla, ndërsa faza e fundit synon të transformojë vendin në planin afatgjatë./ Reuters