UKT 20 milionë euro tender për shtesën e Bovillës dhe depon në Daias

07/12/2020 1:00 PM 0 komente

Ujësjellësi i Tiranës do të vijojë me shtesën impiantit të Bovillës dhe një tjetër projekt në Daias për të cilat ka në dispozicion pak më shumë se 20 milionë euro. Këtë të herë shoqëria hapi dy procedura prokurimi respektivisht me vlerë 1.7 miliardë lekë për kontratën me objekt “Shtesa e Impiantit të përpunimit të ujit të pijshëm Bovillë 1800l/s faza e 2 me 1200l/s” dhe një tjetër me vlerë 789 milionë lekë me objekt “Ndërtim Tubacion Transmetimi Basen Presioni- Tunel- Partitar- Depo Daias”.

Në verën e këtij viti UKT inaguroi fazën e parë të shtesës së Bovillës që furnizon me ujë kryeqytetin. Zgjerimi i impiantit të Bovillës me 40% më shumë të kapacitetit të tij trajtues, tashmë përpunon 2500 l/sec ujë te pijshëm nga 1800 l/sec . Vepra e marrjes së ujit është rreth 280 metra mbi nivelin e detit dhe transmetohet përmes tubacioneve me dimension 1200 – 900 mm. Për ndërhyrjet është marrë një financim nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Argumenti për ndërhyrjet në rrjet gjatë këtyre viteve ka qenë sigurimi i furnizimit me ujë në 24 orë për të gjithë banorët e kryeqytetit por ky objektiv mbetet ende larg dhe ka nevoje për investime shtesë. Po nën këtë argument dy vite më parë u propozua dhe u bë edhe rritje e dukshme e tarifave për furnizimin me ujë. Konkretisht në janar të vitit 2018 çmimi i ujit të pijshëm u rrit 65 lekë/m3 nga 45 lekë për m3, që ishte më parë, ose 44% më i shtrenjtë.

Kjo bëri që në dy vitet e fundit UKT të ketë një bilanc pozitiv ku për vitin 2018 u dyfishua fitimi në 10 milionë euro kur në të njëjtin vit investimet ishin 54 për qind më pak se plani.

Në vitin 2019 fitimet e UKT ishin 8.6 milionë euro. Ndryshe nga 2018-a, kur arkëtimet u rritën me 38% me bazë vjetore, si rrjedhojë e shtrenjtimit të tarifave më 44%, në 2019-n të ardhurat e raportuara shënuan një rënie të lehtë me 1.9%.

Në 2019-n Ujësjellësi hartoi dhe projektin “Furnizimi me ujë 24 h për sot dhe për një perspektive 25vjeçare të qytetit të Tiranës nëpërmjet Unazës së presionit mbështetur në studimin e masterplanit të zhvillimit teknik dhe strategjik nga Budapest WaterWorks “.

Ndërkohë që vetëm pak kohë më parë u hap një tjetër procedurë për rishikimin e planit 5 vjeçar të biznesit të Ujësjellësit ku ndër të tjera do të analizohen edhe tarifat duke parë mundësinë e rishikimit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of