Cullen: Albtelekom dominon telefoninë fikse. Po zëvendësohet me shpejtësi me shërbimet celulare/Shqipëria thyen rekordin negativ të investimeve të drejtpërdrejta në tregjet e komunikimeve elektronike
Shqipëria shënon një tjetër rekord negativ në tregun e komunikimeve elektronike si vendi me marzhin më të lartë të rënies së investimeve në të gjithë listën e vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Raporti i fundit i Cullen International, një projekt i Bashkimit Europian për monitorimin e tregut të komunikimeve elektronike në vendet që aspirojnë BE-në, tregon se ndryshe nga tendenca e shumicës së vendeve që kanë rritur ndjeshëm investimet, Shqipëria ka lëvizur në drejtim të kundërt.
Të dhënat e raportit të ekspertëve të BE-së tregojnë se investimet e përgjithshme në tregun e komunikimeve elektronike në 9 vendet e përfshira në procesin e zgjerimit arrijnë në 3.23 miliardë euro në fund të vitit 2012, që shënon një rritje vjetore prej 27%. Ndërkohë që peshën kryesore në rritjen e investimeve në këtë sektor e ka Turqia ku investimet për telefoni fikse dhe shërbime internet janë dyfishuar brenda vitit, duke arritur në 1.3 miliardë euro falë investimeve të Turk Telekom dhe operatorëve alternativë.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka ulur ndjeshëm investimet në sektorin e komunikimeve elektronike me rreth 19%. Gjithashtu, rënie për Shqipërinë ka edhe niveli i investimeve në raport me të ardhurat për të gjithë sektorin e komunikimeve elektronike.
Vlera totale e tregut të komunikimeve elektronike në këto vende për vitin 2012 ishte 17.15 miliardë euro dhe përfaqëson një rritje vjetore prej 4.2%. Rritja ka ndodhur për të gjithë sektorët, përjashtuar telefoninë fikse, e cila ka një rënie me 20% në të ardhura si rezultat i zëvendësimit të shërbimit të fiksit me celularin. Shërbimet e internetit mbeten dhe motori kryesor i rritjes, me një normë rritje vjetore mesatare prej 20%. Ndërkohë pjesët e luanit në tregun e komunikimeve elektronike e zënë celularët, që kanë 60% të totalit të të ardhurave, duke u ndjekur nga telefonia fikse me rreth 20%, internet rreth 15% etj.
Albtelekom, 76% të tregut
Operatori lider në tregun e telefonisë fikse në të gjitha vendet mbetet Telekomi klasik, megjithëse ka humbur peshë në treg me hyrjen e operatorëve alternativë. Por, ndryshe nga vendet e tjera, edhe në këtë rast, Shqipëria bën përjashtim sepse Albtelekom nuk ka humbur pjesë tregut. Të dhënat në grafik tregojnë se Albtelekom ka 76% të tregut sipas të ardhurave dhe rreth 90% të tregut sipas vëllimit të thirrjeve.
Në raportin e Cullen International bie në sy një nënvizim për Shqipërinë se operatorët alternativë po marrin gjithnjë e më shumë pjesë tregu të thirrjeve ndërkombëtare. Të dhënat tregojnë se operatorët alternativë kanë 45% të thirrjeve në vitin 2012 krahasuar me 29% që kishin më parë. Këto të dhëna tregojnë një paradoks, pasi megjithëse Albtelekom zotëron rreth 90% të abonentëve (që marrin thirrje nga jashtë), operatorët alternativë kanë 45% të të ardhurave nga këto thirrje. Një shpjegim i thjeshtë lidhet me marrëveshjet e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare nëpërmjet shërbimeve VoIP nga alternativët (të njohur dhe si operatorët ruralë) drejt abonentëve të Albtelekomit.
Rregullimi i tarifave
Sipas nenit 17 të Direktivës së Shërbimit Universal, autoritetet kombëtare rregullatore (AKEP në rastin e Shqipërisë) duhet të zbatojnë kontrollin e tarifave të shërbimit me pakicë, tarifat që paguajnë abonentët vetëm nëse detyrimet që ka vendosur rregullatori mbi operatorët me fuqi domethënëse (dominant) kanë dështuar të sigurojnë konkurrencën efektive. Në të gjitha vendet nën monitorimin e projektit të BE, përjashtuar Islandën, tarifat e telefonisë fikse për abonentët janë objekt i formave të ndryshme të kontrollit nga rregullatorët.
Në Shqipëri, duke ndjekur mënyrën e ndarjes së tregut të telefonisë fikse, tarifat e Albtelekom për abonentët dhe bizneset kanë qenë të rregulluara për periudhën 1 shtator 2010 – 31 dhjetor 2013. Pas raundit të tretë të analizës së aksesit dhe shërbimeve të thirrjeve të përfunduar nga AKEP qershorin e kaluar, janë hequr detyrimet për Albtelekom që nga 1 janari 2014. Gjithsesi Albtelekomit i kërkohet të njoftojë për ndryshimet në tarifa AKEP.
J.B.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.