Ulja e buxheteve të reklamuesve në 2017-n ka “tërhequr” edhe agjencitë publicitare, të cilat në përgjithësi kanë raportuar rënie të të ardhurave.
Qarkullimi vjetor i 21 agjencive kryesore publicitare në vend ra me 16% me bazë vjetore në vitin 2017 (shiko tabelën: Të ardhurat e agjencive kryesore publicitare në vend, lekë).
Të ardhurat totale të tyre ishin rreth 20 milionë euro, duke treguar se rreth gjysma e tregut të reklamave në vend kanalizohet përmes agjencive publicitare. Në rënie për të dytin vit radhazi ishin dhe fitimet, që për 22 agjencitë në total u tkurrën me 34% (16 prej tyre raportuan aktivitet në rënie).
Aktiviteti i agjencive është shumë i luhatshëm, në varësi të klientëve që mund të humbin, apo fitimit të të rinjve dhe qarkullimi vjetor i tyre paraqet luhatje të mëdha nga njëri vit te tjetri. Pjesa më e madhe e qarkullimit të tyre vjen nga blerja e hapësirave publicitare, por që sipas aktorëve të tregut, ka dhe marzhin më të ulët të fitimit, ndërsa më fitimprurëse janë shërbimet e tjera si krijueshmëria dhe prodhimi i spoteve, aktivitete të tjera marketingu etj., të cilat gjithnjë e më shumë kanë filluar të ofrohen nga agjencitë në vend.
Le Spot Group është operatori më i madh në këtë segment. Të ardhurat e kompanive të grupit, sipas bilancit përmbledhës të Le Spot për vitin 2017, ishin 1.5 miliardë lekë (rreth 12 milionë euro), me rënie prej 18% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ulja e buxhetit të marketingut të Vodafone, reklamuesit më të madh në vend, ka ndikuar në rënien e të ardhurave të grupit.
Kompanitë kryesore të saj janë Unlimited Media, Le Spot Production, Spot Communication, Optimum Media (indirekt), ndër më të mëdhatë në tregun e agjencive të publicitetit (shih tabelën).
Unlimited Media, Spot Communication dhe Ogilvy janë tre agjencitë publicitare më të mëdha në vend, që në 2017-n njohën rënie të të ardhurave, përkatësisht me 26; 7%; 16%, si rezultat i uljes së buxheteve të reklamave të klientëve kryesorë të tyre, Vodafone dhe Telekom Albania (klienti i Ogilvy).
McCann Tirana renditet e katërta, me ulje prej 7% të qarkullimit vjetor. Më pas vijojnë Le Spot Production (-11% rënie) dhe Landmark Communication, që ka arritur të ruajë të ardhura në nivele të njëjta me vitin e mëparshëm.
Me rritje të shpejtë të aktivitetit në 2017-n ka rezultuar Gogel, që ka raportuar zgjerim të qarkullimit vjetor me gati 70%, performanca më e mirë në tregun në rënie të agjencive publicitare. Marrja e shërbimit të blerjes së hapësirës publicitare e një klienti të rëndësishëm si Albtelecom ka ndikuar në këtë ecuri.
Të ardhurat vjetore të agjencive të tjera janë më të ulëta se 1 milion euro. Kompanitë e vogla me rritjen më të shpejtë për 2017 janë Eggra Albania (43%), Trium Communication (88%), New Politics (31%).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.