Të ardhurat në buxhet në shtator e tetor janë më të ulëta në krahasim me korrikun e gushtin, kur ende nuk kishte filluar aksioni antiinformalitet!
Të ardhurat në buxhet për 10-mujorin ishin 311.2 miliardë lekë, me një rritje prej 4%, apo 11.9 miliardë lekë më shumë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave.
Dy janë zërat kryesorë që kanë ndikuar në këtë rritje, fondet speciale (kryesisht sigurimet shoqërore e shëndetësore) dhe të ardhurat jotatimore, me përkatësisht 6.4 dhe 5 miliardë lekë më shumë. Ndërsa ecuria e të ardhurave tatimore e doganore mbetet e dobët.
Në vlerë absolute, të ardhurat në buxhet në shtator e tetor ishin më të ulëta në krahasim me korrikun e gushtin, kur ende nuk kishte filluar aksioni antiinformalitet (shih grafikun Të ardhurat në buxhet sipas muajve). Madje në shtator, ato ishin 30.5 miliardë lekë, poshtë mesatares mujore të periudhës janar-gusht prej 31 miliardë lekësh. Në tetor, ato ishin lehtë mbi këtë mesatare, duke arritur në 31.7 miliardë lekë. Muaji më i mirë, ka qenë marsi, me 34.4 miliardë lekë të hyra në buxhet.
Të ardhurat nga tatimet e doganat rriten 1.2%, TVSH me rënie
Të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 212.3 miliardë lekë për 10-mujorin 2015, me një rritje të ulët prej 1.2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të ardhurat nga TVSH ranë me 0.8%, në 102.5 miliardë lekë. TVSH është zëri me peshën më të madhe të të ardhurave në buxhet (33% të totalit për 10-mujorin) dhe tkurrja e tij është një tregues direkt i rënies së qarkullimit (konsumit) në ekonomi. Sipas financave, efektin kryesor e ka dhënë TVSH në import, teksa importet në total kanë rënë me 2.4% për periudhën. Në total, rënia e importeve të grup e produkteve kryesore krahasuar me vitin e kaluar kanë sjellë një efekt negativ në të ardhurat nga TVSH në masën 2.9 miliardë lekë, sipas sqarimeve të Ministrisë së Financave.
Tatimet kanë pasur një ecuri më pozitive në mbledhjen e TVSH-së. Vetëm për muajin tetor 2015, të ardhurat nga TVSH janë rreth 500 milionë lekë më shumë se planifikimi, kryesisht si rrjedhojë e aksionit antiinformalitet.
Të ardhurat nga tatimfitimi u rritën me 12% në gati 20 miliardë lekë.
Të hyrat nga akciza shënuan rënie prej 4.4% me bazë vjetore, duke zbritur në 32.6 miliardë lekë. Sipas financave, ndikimin kryesor këtu e ka dhënë tkurrja e importeve të cigareve.
Të ardhurat nga TAP janë rritur me 7% në 24.2 miliardë lekë.
Të ardhurat nga taksa nacionale dhe të tjera janë zgjeruar me 4.6% në 28.3 miliardë lekë.
Rriten kontributet
Të ardhurat nga fondet speciale janë rritur me 12.1%, ku efektin kryesor e ka dhënë përmirësimi i të ardhurave nga sigurimet shoqërore e shëndetësore (përkatësisht plus 3.7 dhe 1.2 miliardë lekë), duke reflektuar shtimin neto në skemë të rreth 68 mijë punonjësve në shtator, tetor.
Të ardhurat jotatimore, “shpëtimi” i buxhetit këtë vit
Të ardhurat jotatimore janë rritur me 29% për 10-mujorin, duke sjellë 5 miliardë lekë më shumë në buxhet, kryesisht si rrjedhojë e shitjes së licencave celulare (ngjarje që ndodh vetëm një herë), duke u bërë “shpëtimtari” i buxhetit, sidomos në muajt e parë të vitit.
Plani, nga mungojnë 11 miliardë lekët
Në total, buxhetit i mungojnë 11 miliardë lekë në raport me planin e rishikuar. Peshën kryesore në këtë mosrealizim e mban TVSH, me -2.8 miliardë lekë, e ndjekur nga akciza me -2.6 mld lekë, TAP -1.45 miliardë lekë. Sipas financave, “Tatimi mbi të ardhurat personale” është me mosrealizim kundrejt planifikimit për arsye të vazhdimit të ndikimit të rënies së normave të interesit, si dhe dividentëve të paguar kryesisht në muajin gusht të këtij viti (pagesat ishin më të ulëta se parashikimi, pra është shtuar likuiditeti i mbajtur nga kompanitë). Një tjetër faktor është e ardhura e ulët nga shitja e pasurisë së paluajtshme.
Në mosrealizim, në raport me planin, janë dhe të ardhurat jotatimore, që pavarësisht performancës së mirë në pjesën e parë të vitit, kanë “zhgënjyer” muajt e fundit, -2.45 miliardë lekë më pak sesa pritej. Edhe nga ndihmat, buxheti ka marrë 1.5 miliardë lekë më pak se plani.
Mosrealizimi, 6.6 mld lekë nga Doganat, 1.1 mld lekë nga Tatimet
Dobësitë në grumbullimin e të ardhurave buxhetore më së shumti kanë shkuar në krahun e doganave, të cilat jo vetëm që kanë qenë larg planifikimit fillestar të vjetor dhe atij të rishikuar, por janë me rënie edhe krahasuar me faktin e 2014.
Ndërsa administrata tatimore, ndonëse me një mosrealizim të lehtë të programit, në fund të dhjetëmujorit grumbulloi 11 për qind më shumë se fakti i vitit 2014. Në fund të periudhës dhjetëmujore të ardhurat nga tatimet dhe doganat ishin 7.1 miliardë lekë më pak se plani ose 3.3 % me pak dhe 2.4 miliardë lekë më shumë se fakti i 2014 ose 1.2 për qind më shumë.
Gropa në dogana 6.8 miliardë lekë
Administratat doganore ka shënuar rezultate negative në të gjitha zërat e të ardhurave në raport me planin e këtij viti dhe më faktin e një viti më parë.
Mosrealizimet më të mëdha u shënuan në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar ku u grumbulluan rreth 3,6 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar dhe 2.7 miliardë lekë më pak se fakti i një viti më parë.
Akciza gjithashtu rezultoi deficitare me -2.6 miliardë lekë në raport me planin dhe -14 miliardë lekë krahasuar me faktin e 10 mujorit 2014.
Renta minerare edhe pas rishikimit me ulje drastike në ndryshimet buxhetore të shtatorit sërish ka shfaqur dobësi, duke rezultuar 111 milionë lekë më pak se plani dhe -42 për qind më pak se fakti i një viti më parë.
Tatimet rritje 11% me faktin 2014, por nuk kapin planin
Administrata tatimore realizoi 93.8 miliardë lekë të ardhura në fund të 10 mujorit me një shmangie nga plani me -1.13 miliardë lekë ose -1.2 për qind më pak. Por, krahasuar me faktin e vitit 2014 të ardhurat nga tatimet shënuan një rritje prej 11%, ose 9.2 miliardë lekë më shumë.
Në raport me planin ecuri të mirë pati vetëm TVSH me 3.5 për qind më shumë, ndërsa të ardhurat nga tatimi fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale shënuan mosrealizim përkatësisht me -26% dhe -5.6%.
Ndërsa krahasuar me një vit më parë të ardhurat tatimore shënuan rritje në të gjithë zërat. Të ardhurat nga TVSH u rriten me 8.4%, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin me 11.8%, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale shënuan një rritje 6.9% dhe të ardhurat nga taksat nacionale 17.4%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.