Ekonomia ka hyrë në një fazë mjaft delikate. Pas ngadalësimit në 2019-n, si rrjedhojë e uljes së prodhimit të energjisë dhe përfundimit të projekteve të mëdha, tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas karantinimi i ekonomisë, – në përpjekje për të frenuar përhapjen e Covid-19, – i dhanë goditjen e fundit.
Të dhënat e INSTAT treguan se në tremujorin e parë, rritja ekonomike ishte negative prej -2.5%. Në tremujorin e dytë, tkurrja vlerësohet të rezultojë shumë më e lartë, teksa Banka e Shqipërisë paralajmëroi se dhe në dy tremujorët e fundit, ekonomia do të vijojë të jetë në territor negativ. Të gjitha gjasat janë se vendi po shkon drejt rënies më të madhe që nga viti 1997, ndërsa rikuperimi do të zgjasë të paktën për tre vite.
Situata ndërlikohet më shumë nga rritja e ndjeshme e numrit të rasteve dhe fatkeqësisht dhe vdekjeve, pas hapjes së ekonomisë. Si asnjëherë tjetër, kjo krizë ka goditur konsumin dhe pasiguritë për të ardhmen, vetëm sa shtyjnë edhe më shumë vendimet për blerje. Turizmi, që ishte shpresa e vetme e rimëkëmbjes, po kalon ditët e tij më të vështira, për shkak të mbajtjes mbyllur të kufijve dhe pasigurive që kanë mbërthyer të gjithë botën.
Kur duket se nuk ka se si të shkojë më keq, Indeksi i Dhomës Amerikane shënoi rënien më të madhe në tetë vjet dhe arriti nivelin më të ulët, në nivele të krahasueshme me 2015-n, kur një aksion i paprecedentë dhe i dhunshëm për të ulur informalitetin shkaktoi zemërimin e gjithë bizneseve, duke e detyruar qeverinë të tërhiqej.
Këtë vit, sipërmarrësit ankohen për klimën e brendshme politike, që për herë të parë ishte problemi kryesor i bizneseve, monopolet e konkurrencën e pandershme, gjetjen e stafit të kualifikuar, ecurinë e ekonomisë, klimën e biznesit, korrupsionin, informalitetin dhe, lista është e gjatë. Nga 27 tregues, vetëm 4 shënuan përmirësim të lehtë, të tjerat ishin në rënie, një tregues për perceptimin negativ të sipërmarrësve të mëdhenj në vend.
Mosbesimit të bizneseve tek ambienti ekonomik dhe politik në vend i shtohet dhe ai i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në një deklaratë të fundit, fondi u shpreh mjaft kritik për politikat që po ndiqen nga qeveria, ku për herë të parë e tha hapur se amnistia fiskale, nëse nuk krijohen, së pari sisteme efektive, mund të shtojë mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion.
Fondi paralajmëroi sërish për rreziqet fiskale të lidhura me projektet e Partneritetit Publik Privat (PPP) dhe për të ngritur një sistem tatimor më të drejtë, më të thjeshtë, më efikas dhe më transparent, i cili do të sigurojë burimet e nevojshme për të arritur objektivat e Shqipërisë për zhvillim të qëndrueshëm dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit. Fondi shprehu dhe shqetësimin për vendosjen e pragjeve të ndryshme tatimore për tatimfitimin dhe TVSH-në.
Sa për reagimin e qeverisë ndaj këtyre “ulërimave” të biznesit dhe institucioneve ndërkombëtare për të krijuar një klimë sa më të mirë biznesi dhe përgjegjshmëri politikash, nuk është fare e habitshme që qeveria zgjodhi, si gjithmonë, t’i përgjigjet me sukseset e saj imagjinare në 3D. Projekte të mëdha, që kushtojnë miliarda, vazhdojnë e prezantohen si zgjidhja “magjike”, shpesh pa transparencën e duhur, apo pa dhënë argumentet kosto-përfitime, rentabilitetin e tyre dhe ndikimin në ekonomi.
Projekti më i fundit, ai i rrugës Milot-Fier, jo vetëm që është paralel me studimin e fisibilitetit të korridorit Adriatiko-Jonian, i vetmi që mund të tërheqë grantet dhe kredi të buta nga vendet e BE-së dhe institucionet financiare ndërkombëtare, por është dhe minimalisht 40% më i shtrenjtë.
Ekonomia po kalon një nga sfidat më të mëdha të tranzicionit dhe ajo për të cilën ka nevojë është një politikë e përgjegjshme nga të gjitha palët, bashkëpunim real mes bizneseve dhe politikëbërësve, analizim real të situatës dhe rrugëzgjidhjeve për të ndihmuar ekonominë. Përtej situatës së vështirë, vendi, që ka vuajtur keqqeverisjen e 30 viteve, ka shansin që t’ia nisë nga A-ja.
Por, kjo bëhet duke zbritur me këmbë në tokë, duke nisur nga gjërat e vogla, për të arritur tek ato të mëdhatë. Politika sot është si një fëmijë i papërgjegjshëm që ecën kuturu dhe nuk arrin ta kuptojë se ku po shkon. Ajo ka nevojë të rritet dhe shumë shpejt madje!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.