Ulet TVSH-ja nga 20% në 6% për investimet në sport. Denaj: Më shumë mundësi financimi

23/09/2020 11:19 AM 0 komente

Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi dy projektligje të rëndësishme,  “Për një shtesë në ligjin nr.92/2014, ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar’”, si dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, ‘Për sistemin e taksave vendore’, të ndryshuar”.

Nëpërmjet projektligjit “Për TVSH-në” parashikohet ulja e TVSH-së nga 20% në 6% në investimet infrastrukturore sportive.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj gjatë fjalës së saj në mbledhjen virtuale të komisionit u shpreh se ndryshimi i paraqitur nëpërmjet amendimit të ligjit “Për TVSH-ne” është pjesë e paketës së mbështetjes së sportit.

“Në kuadër të mbështetjes që qeveria shqiptare po i jep sportit dhe me qëllim reformimin e tij, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për sportet është ndërmarrë nisma për të propozuar aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, prej 6% për shërbimin e punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave sportive, për infrastrukturën sportive.

Pra, furnizimi i shërbimit të punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave  sportive në infrastrukturën sportive, të përcaktuar në legjislacionin e fushës për sportin, të mos trajtohet me shkallën standarde të TVSH-së prej 20%, por të trajtohet me shkallë të reduktuar të saj, prej 6 për qind. Ndërkohë që infrastruktura sportive rregullohet nga dispozitat e ligjit nr.79/2017, “Për sportin”. Furnizuesit e punimeve të ndërtimit, do të llogarisin TVSH–në në shitje prej 6% për qind për punimet e ndërtimit për infrastrukturën sportive, por do të zbresin të plotë TVSH-në e paguar prej 20% për blerjen e mallrave dhe shërbimeve në funksion të këtyre punimeve”, tha Ministrja Denaj.

Aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së prej 6% parashikohet se do të ulë kostot e investimit në objekte sportive si nga shteti, ashtu edhe nga federatat.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of