ULJA E DËMIT NGA DUHANI, THIRRJE GLOBALE PËR RREGULLORE TË REJA TË BAZUARA TE SHKENCA
Mbështetësit e Reduktimit të Dëmit të Duhanit (RDD) u kërkuan qeverive në mbarë botën që të miratojnë rregullore të bazuara te shkenca dhe që përqafojnë inovacionin për të ndihmuar në uljen e sëmundjeve dhe vdekjeve të lidhura me duhanin.
Thirrja u bë gjatë Forumit treditor Global të Duhanit dhe Nikotinës (GTNF) i zhvilluar në internet nga 21 në 24 shtator.
“Rregulloret duhet të bazohen në shkencë dhe të mos ndikohen nga politika, gjë që për fat të keq nuk ndodh gjithmonë. Rregulloret duhet të jenë progresive dhe të lejojnë inovacionin kur paraqiten fakte të reja,” tha Chris Allen, zyrtari kryesor shkencor në Broughton Nicotine Services.
Derek Yach, president i Fondacionit për një Botë pa Duhan tha se 7 milion njerëz vdesin çdo vit për shkak të sëmundjeve të lidhura me duhanpirjen. Sipas tij, 1.3 miliardë njerëz po përdorin produkte duhani, shumica e tyre në një formë toksike, siç janë ato me djegie.
“Qëllimi i një rregullatori duhet të jetë kryesisht ulja e dëmit sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Yach.
Elaine K. Round, drejtoreshë e çështjeve shkencore dhe rregullative në Shërbimet RAI, tha se ka një sërë rregulloresh të duhanit në SH.B.A. që “bazohen më shumë te emocionet sesa te shkenca”.
Ndërkohë, Direktiva Europiane për Produktet e Duhanit (EUTPD) është “një proces gjithëpërfshirës” dhe “qasje e bazuar në prova” që vendet e tjera mund ta marrin si shembull, thotë konsulenti ligjor për tregtinë Abrie du Plessis. EUTPD vendos kufij në shitjen dhe tregtimin e duhanit dhe produkteve të lidhura me duhanin në BE. Ai synon të përmirësojë funksionimin e tregut të brendshëm, ndërsa siguron një nivel të lartë të mbrojtjes shëndetësore për qytetarët.
“Është e rëndësishme të jemi në gjendje të kritikojmë mënyrën se si qeveritë i janë përgjigjur pandemisë së Covid-19 që të mësojmë dhe të përpiqemi për strategji që do të shkaktojnë sa më pak dëm te njerëzit,” shprehet Marewa Glover, drejtore e Qendrës së Ekselencës së Kërkimit mbi Sovranitetin Indigjen dhe Pirjen e Duhanit.
“Debati mbi vlerën e ndërhyrjeve RDD mbetet i diskutueshëm, ideologjik dhe shpesh emocional, që vazhdon të pengojë dialogun konstruktiv,” thotë Tikki Pang, profesor në Shkollën e Mjekësisë Yong Loo Lin në Universitetin Kombëtar të Singaporit. Pang shpreh zhgënjimin për mënyrën se si politikat RDD vazhdojnë të ndryshojnë shumë midis vendeve.
“Në këtë pikë nuk ka asnjë marrëveshje unanime se cilat janë politikat më të mira”, tha Pang, ish-drejtor për 13-vjet për Politikat e Kërkimit dhe Bashkëpunimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Ai përmendi se ka vende ku cigaret elektronike lejohen e rregullohen ose ndalohen, vende ku ka legjislacion në pritje për cigaret elektronike, vende pa ligj specifik për cigaret elektronike dhe vende pa informacion në lidhje me cigaret elektronike. Gjithsesi Pang vuri në dukje “një përparim të vogël” në pranimin e produkteve alternative të duhanit, duke përmendur zhvillimet e fundit në OBSH dhe Administratën e Ushqimit dhe Barnave të SHBA (FDA).
“Meqenëse kam punuar për OBSH-në, unë u kënaqa nga një raport i OBSH-së në fillim të këtij viti mbi rregullimin e produkteve të duhanit”, shtoi ai, duke cituar mbështetësin kryesor të RDD, Clive Bates i cili, duke komentuar mbi raportin e OBSH-së, shkroi: “Megjithëse ka shumë për të mos u pajtuar, ekziston një përpjekje e arsyeshme për të njohur konceptet e uljes së dëmit dhe për t’i trajtuar ato si magji …”
Pang shtoi se edhe pse në përgjithësi pozicioni i OBSH-së në RDD është akoma mjaft negativ dhe jo mbështetës, ai zgjedh të jetë optimist. “Ne kemi filluar të shohim dritën në fund të tunelit,” shpjegoi Pang, që theksoi rëndësinë e vendimit të FDA të SHBA në korrik 2020 për të autorizuar tregtimin e produktit me ngrohje të duhanit IQOS në SHBA. si produkt duhani me rrezik të modifikuar, një autorizim që agjencia e caktoi si “të përshtatshme për promovimin e shëndetit publik.
“Ky është një hap tjetër përpara. Shumë vende në zhvillim i referohen FDA të SHBA për udhëzime jo vetëm në RDD por për ilaçe dhe vaksina,” tha Pang.
Prevalenca e pirjes së duhanit në Japoni është ulur me 30 për qind në tre vjet që kur produktet e duhanit me ngrohje u bënë të disponueshme në vend, me depërtimin në mesin e duhanpirësve japonezë aktualisht në 25 për qind, sipas Dr. Hiroya Kumamaru, një kirurg kardiovaskular dhe zv/drejtor i Spitalit Ndërkombëtar AOI në Kanagawa në Japoni.
“Vëllimi i përgjithshëm i shitjeve të duhanit është në rënie, ndërsa shitjet e duhanit me ngrohje janë duke u rritur. Kjo tregon që kalimi nga cigarja tradicionale në alternativën me ngrohje po ndodh shumë shpejt,” shpjegoi Kumamaru.
Përveç Japonisë, rënie drastike dhe historike të shitjeve të cigareve pas futjes së alternativave janë parë gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Korenë e Jugut, sipas Pang.
“Ekziston një bazë në rritje e provave mbi rolin e produkteve alternative në ndalimin e pirjes së duhanit,” tha Pang.
I nisur në Rio de Zhaneiro në 2008-ën, Forumi vjetor Global i Duhanit dhe Nikotinës është pika e shkëmbimit global të pikëpamjeve dhe ideve midis ekspertëve të shëndetit publik, përfaqësuesve të qeverive, investitorëve dhe përfaqësuesve të industrive të duhanit e nikotinës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.