Monedha e përbashkët europiane u këmbye gjatë ditës e sotme në nivelin e 123.78 lekëve, me rreth 0.28 pikë më shumë se një ditë më parë, duke kapur kështu nivelin më të lartë që prej 19 prillit të këtij viti. Prej fillimit të muajit tetor, euro është forcuar në raport me lekun vendas me më shumë se 1.6 lekë.
Ekspertët e kursit të këmbimit argumentojnë se pas përfundimit të efekteve sezonale, në forcimin e euros po ndikojnë blerjet e sasive të konsiderueshme të valutës nga bankat tregtare, kryesisht për llogari të kompanive të huaja.
Këtë vit, ndryshe nga vitet e mëparshme, një lehtësi fiskale për bizneset, sipas së cilës, bizneset do të tatoheshin me 8% për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë (nga 15% që ishte më parë), përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kushtin që: tatimi që u përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019.
Pas afatit të fundit për pagesën e dividendit për fitimet e pashpërndara, kompanitë po vijojnë të transferojnë fitimet te kompanitë mëma jashtë. Megjithatë ekspertët e këmbimit valutor theksojnë se një pjesë e këmbimeve janë kryer gjatë muajve korrik dhe gusht, por në atë kohë efekti i blerjeve nuk u ndie shumë në treg, pasi u amortizua nga prurjet e larta të valutës. Ndërsa aktualisht kur nuk është sezoni i prurjeve të euros, efekti po ndihet më i fortë.
Gjithashtu, shpjegojnë ekspertët, janë rritur edhe pritshmëritë e tregut për forcimin e euros, gjë që ka çuar në rritjen e kërkesës për valutë.
Aktorët e tregut shtojnë se edhe ecuria e valutave në tregjet ndërkombëtare ka pasur ndikim në forcimin monedhës euro. Forcimi i paundit në bursa, solli që euro të forcohej ndjeshëm në raport me dollarin amerikan. Gjatë ditës së sotme, paundi britanik po këmbehet me 144.25 lekë, duke u forcuar me gati 2 lekë në krahasim me një ditë më parë. Për nga volumet tregtare, paundi britanik është një monedhë me peshë, duke u renditur e treta dhe duke lënë pas edhe frangën zvicerane.
Dollari amerikan u këmbye me 111.57 lekë, rreth 0.43 pikë më pak se një ditë më parë.
Kompanitë shpërndanë rreth 1.1 miliardë euro dividend, më shumë se gjysma të huaja
Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, të ardhurat nga dividendi në janar-shtator të këtij viti ishin rreth 11 miliardë lekë (90 milionë euro), me trefishim në raport me vitin e mëparshëm. Kësaj shume i korrespondon një fitim i shpërndarë prej 137 miliardë lekësh (rreth 1.1 miliardë euro), bazuar në një nivel dividendi prej 8%.
Kompania që bëri shpërndarjen më të madhe të dividend ishte Telekom Albania. Në prill të këtij viti, Telekom Albania, operatori i dytë i telefonisë celulare në vend, ka vendosur që të shpërndajë 50 miliardë lekë (400 milionë euro) si dividend për aksionerët e Cosmote Mobile Telecommunication. Shoqëria ka një fitim të grumbulluar të pashpërndarë në formën e rezervave, nga vitet 2001 deri në vitin 2010 dhe që tani do të shpërndahen në formën e dividendit për aksionerët. Operatori i telefonisë celulare ka derdhur 2 miliardë lekë pagesë në shtet si tatim mbi dividend.
Përfituesi i dytë më i madh ishte Banka Kombëtare Tregtare, që ka derdhur 193 milionë lekë pagesë për dividend, i ndjekur nga Tirana International Airport, me 158 milionë lekë, Raiffeisen, 67 milionë lekë, sipas tatimeve. Këto katër kompani janë me kapital të huaj dhe kishin më shumë se 500 milionë euro fitime të pashpërndara.
Më pas, në listë janë Agna, Alfa sh.a., Montal, Elka-SA, Pegasus, Alb-Building etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.