Ulja e interesave: A do të nxitet kreditimi

12/02/2013 11:59 AM 0 komente

f 50 bono thesari_optBanka e Shqipërisë, në përpjekjen e radhës për të nxitur ekonominë, ka ulur interesin bazë. Por sa do të ndikojë ky vendim në rritjen e kreditimit, që po rritet me ritmet më të ulëta në një dekadë. Krahas faktorëve të tjerë, shumë do të varet dhe nga sjellja e qeverisë.

Pas një uljeje të ndjeshme të yield-it (interesave) të bonove të thesarit në dhjetor 2012, ato shënuan një rritje të papritur në fillim të janarit, duke reflektuar kërkesën sezonale më të lartë të qeverisë për para. Ndonëse në ankandin e mëpasshëm yield-i i bonove 12-mujore shënoi një ulje të lehtë, ai vazhdon të jetë mbi nivelin e dhjetorit.

Në një lëvizje të kundërt, Banka e Shqipërisë uli për të gjashtën herë radhazi që nga shtatori i 2011-s normën bazë të interesit, në 3.75% (shiko grafikun: Ecuria e normave të REPO-ve). Banka Qendrore duket se po ezauron dhe municionet e fundit të stimujve monetarë, në një kohë që qeveria, e gjendur mes rritjes së ulët të të ardhurave dhe shtimit të borxhit mbi 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) i ka mbaruar tashmë ato.

Përmes uljes së kostos së parasë, institucioni monetar qendror shpreson që të ulë interesat e kreditimit në lekë të ekonomisë dhe të nxisë huadhënien për bizneset e individët, çka do të thotë shtim i investimeve te bizneset apo rritje e konsumit nga individët. Në fakt, huaja për ekonominë ka qenë në nivelet më të ulëta të dekadës. Për periudhën janar-nëntor 2012, huaja për ekonominë është rritur me një vlerë minimale prej rreth 12 miliardë lekësh në raport me dhjetorin 2011, apo me gati 2.3%, sipas të dhënave të BSH-së. Në raport me periudhat përkatëse të një viti më parë, ritmet e rritjes së kredisë për 11-mujorin 2012 janë gati pesë herë më të ulëta. Për periudhën janar-tetor 2011, huaja për ekonominë u zgjerua me rreth 50 miliardë lekë.

Por sa do të arrijë kjo lëvizje që të transmetohet në ekonominë reale, në një kohë që ka disa faktorë që ndikojnë në kahun e kundërt:

–        Së pari, bankat përdorin si referencë në caktimin e interesave të kredisë yield-in e bonove të thesarit, që është ulur me ritme më të ulëta në krahasim me normën bazë. Për më tepër, që ecuria e yield-it është e vështirë të parashikohet këtë vit elektoral, kur sidomos në pjesën e parë të vitit, presionet e qeverisë për të marrë borxh pritet të jenë më të larta.

–        Së dyti, faktorë të tjerë, përveç normës së interesit, kanë qenë më të rëndësishëm në ecurinë e huadhënies. Bizneset kanë tkurrur kërkesën për hua, si rrjedhojë e pasigurive të krizës, nga njëra anë, dhe bankat, nga ana tjetër, janë stepur përveçse nga kriza, edhe nga shtimi i kredive me probleme që kanë arritur në 23% të totalit. Do të duhej një gjallërim i ekonomisë, që të fillonte përshpejtimi i ritmeve të rritjes së huasë.

–        Së treti, sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, bankat kanë shtrënguar sërish standardet e kredidhënies, sidomos kushtet për kolateralin, çka mund të minimizojë efektin pozitiv të uljes së interesave të kredisë në lekë.

Në një raport të pak kohëve më parë, FMN kishte paralajmëruar se një ulje e mëtejshme e normave bazë të interesit nuk do të ishte më eficente. “Në rast se kërkesa e brendshme do të dobësohet më tej dhe kredia do të tkurret, autoritetet mund të konsiderojnë lehtësim të mëtejshëm monetar, duke pasur parasysh që pritshmëritë për inflacion mbeten të mirankoruara. Gjithsesi, efektiviteti i një politike të tillë mund të rezultojë i kufizuar, për shkak të kërkesës së dobët për kredi dhe sjelljes së kujdesshme ndaj rrezikut të bankave dhe mund të rezultonte me presione të kursit të këmbimit”, pohonte FMN.

Nga ana tjetër, historiku i të dhënave të deritanishme tregon se ulja e interesave të kredive, përveçse ka një sfazim disamujor në kohë, ka ndodhur me ritme më të ulëta se ajo e normës bazë dhe mbi të gjitha ndodh vetëm në rast se ka një tkurrje edhe të yield-it të bonove të thesarit.

Megjithatë, pavarësisht ndikimit të kufizuar, ulja e radhës e normës bazë të interesit mbetet një zhvillim pozitiv, që mbi të gjitha rrit optimizmin dhe besimin e tregjeve financiare.

 

 

BSH: Pse i ulëm interesat

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje. Pas kësaj uljeje, norma e marrëveshjeve të riblerjes me afat njëjavor zbret në një minimum të ri historik, prej 3.75%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare do të ndihmojë në respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme. Guvernatori Fullani bëri gjatë konferencës për shtyp një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike e monetare, si dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhje:

“Ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësim të lehtë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2012. Kjo ecuri është ndikuar nga reflektimi më i plotë i stimulit monetar dhe nga përmirësimi i ambientit të jashtëm ekonomik e financiar. Megjithatë, aktiviteti ekonomik mbetet nën nivelin potencial dhe burimet e rritjes nuk paraqiten të qëndrueshme. Rritja e prodhimit nuk është reflektuar në uljen e pasigurive të përgjithshme, të cilat frenojnë konsumin dhe investimet private, si dhe ndikojnë në reduktimin e kërkesës dhe të ofertës për kredi. Sistemi bankar është me bilance të shëndosha dhe likuide, por ai vazhdon të karakterizohet nga një kujdes i rritur në financimin e investimeve afatgjata. Këto tendenca do të kushtëzojnë zhvillimet ekonomike edhe gjatë periudhës së ardhshme.

Presionet inflacioniste kanë qenë të ulëta përgjatë tremujorëve të fundit. Duke reflektuar edhe politikën e kujdesshme monetare të Bankës së Shqipërisë, inflacioni ka qenë brenda objektivit të saj gjatë vitit 2012. Rritja vjetore e çmimeve të konsumit shënoi vlerën 2.4% në fund të vitit, ndërkohë që norma mesatare vjetore e inflacionit ishte 2%. Ecuria e inflacionit është karakterizuar nga rritja progresive e tij gjatë tre tremujorëve të parë dhe nga një rënie e lehtë në tremujorin e katërt.

Nëpërmjet reduktimit të kostove të financimit, Banka e Shqipërisë synon rritjen e kredisë të konsumit dhe të investimeve në ekonomi. Ky mekanizëm transmetimi nxit kërkesën agregate dhe, në rrethanat aktuale, krijon kushte më të përshtatshme për respektimin e objektivit afatmesëm të inflacionit”, përfundoi Fullani.

 

 

Seyhan Pencabligil i BKT zgjidhet sërish kryetar i Shoqatës së Bankave

Asambleja e Anëtarëve të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) zhvilloi në datë 23 janar 2013 mbledhjen e radhës, në të cilën u mbajtën dhe zgjedhjet për tre anëtarë të Bordit Drejtues dhe Kryetarit të ri, sipas një njoftimi zyrtar të Shoqatës së Bankave. Këto zgjedhje vinin si rezultat i mbarimit të mandatit të tre prej gjashtë anëtarëve të Bordit Drejtues. Anëtarët e zgjedhur janë:

1.    Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm, Banka Kombëtare Tregtare (BKT)

2.    Z. Alexander Resch, Drejtor i Përgjithshëm, Intesa SanPaolo Bank

3.    Z. Hubert de Saint Jean, Drejtor i Përgjithshëm, Societe Generale Albania

Asambleja votoi gjithashtu edhe për zgjedhjen e z. Seyhan Pencabligil si Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave. Z. Seyhan Pencabligil u rizgjodh në këtë post për një mandat të ri dyvjeçar. Më poshtë do të gjeni një historik të shkurtër të z. Pencabligil.

Z. Seyhan Pencabligil është Drejtor i Përgjithshëm dhe anëtar i Bordit të BKT-së që nga viti 2000. Ai bën pjesë në Bordin Drejtues të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA); është Kryetar i ICC Albania – Komiteti Kombëtar i ICC (Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë) në Shqipëri; si dhe është anëtar i Këshillit Koordinues të Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre”. Ai ka qenë Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave në periudhat 2005-2007 dhe 2011-2013. Z. Pencabligil mban dy nënshtetësi, atë shqiptare dhe turke.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of