Teksa ekonomia rimëkëmbet, politika fiskale duhet të ndryshojë. A ka ardhur koha për të ulur masat stimuluese urgjente?
Teksa filluan të luftonin kundër pandemisë me karantina në fillim të këtij viti, qeveritë e vendeve të pasura pompuan para në ekonomi thuajse pa kursim, shkruan The Economist. Prodhimi ishte në rënie dhe shpejtësia si dhe shkalla e mbështetjes ekonomike hodhi poshtë me të drejtë çdo shqetësim në lidhje me koston, saktësinë ose efektet anësore të saj.
Tani që masat izoluese janë duke u lehtësuar, ka shenja që po tregojnë rimëkëmbje ekonomike (madje edhe në vendet ku Covid-19 po përhapet ende masivisht) dhe debati politik është zhvendosur në faktin se kur dhe sa larg duhet të shkojnë këto politika fiskale jashtëzakonisht të shtrenjta. Skema e mbështetjes për të papunët në Amerikë skadon më 31 korrik, ndërsa ajo e Britanisë në fund të tetorit. Çfarë duhet të bëjnë qeveritë?
Ato duhet të fillojnë duke e pranuar se ndihma bujare ekonomike funksionoi. Mbështetja masive fiskale ka rezultuar jashtëzakonisht e efektshme. Asgjë nuk mund të kishte parandaluar një ndalje të papritur të aktivitetit pas masave të karantinës. Por falë ndihmave të mëdha për të papunët dhe çeqet e drejtpërdrejta nga qeveria, në prill, të ardhurat familjare në Amerikë ishin 12% mbi nivelin e një viti më parë, madje edhe pasi papunësia arriti nivelin e saj më të lartë që nga Depresioni.
Çuditërisht, shkalla e varfërisë ka rënë që nga fillimi i këtij viti. Në Britani dhe Eurozonë, ku qeveritë kanë kanalizuar stimuj përmes skemave të ndihmave ekonomike, pjesa e njerëzve të papunë nuk është më e lartë se në janar.
Sidoqoftë, rimëkëmbja është e brishtë. Jo vetëm që virusi po përhapet ende me shpejtësi në pjesën më të madhe të Jugut dhe Perëndimit të Amerikës; por përhapje të lokalizuara po ndodhin gjithashtu në vendet ku ka rënë numri i rasteve. Madje edhe pa karantina të plota, niveli në rritje i infeksionit do të dobësojë rimëkëmbjen. Të dhënat më të fundit nga Australia dhe Amerika tregojnë se konsumatorët zmbrapsen shpejt kur shkalla e infeksionit rritet.
Kosto e stimujve ishte e jashtëzakonshme
Atëherë pse të mos vazhdohet me stimulin ekonomik? Një arsye është kostoja e tij e jashtëzakonshme. Qeveritë e vendeve të pasura kanë nisur kolektivisht programe stimulimi me vlerë sa 10% e PBB-së, ku një e treta e shumës përdoret për të subvencionuar pagat e punës ose për të kompensuar njerëzit që e kanë humbur punën. Para se të mbarojë viti, deficitet qeveritare në këto vende do të jenë dyshifrore.
Gjithashtu nuk ka kuptim të bllokohet ekonomia për një kohë të gjatë. Të gjitha shenjat tregojnë se jeta në vitin 2020 do të jetë ndryshe nga jeta në vitin 2019 — këtë e vënë në dukje rritja e tregtisë elektronike dhe punës në distancë; ose pritshmëria për uljen afatgjatë të kërkesës për udhëtime ajrore; apo mundësia që klientët në bare mund të mos lejohen më të mbajnë radhë mes turmave për të porositur pije.
Punëtorët duhet të lënë punët e tyre të vjetra dhe të gjejnë të reja. Në Europë, një e pesta e punëtorëve të pezulluar përkohësisht nga puna, punojnë në industri që ka gjasa të bien me kalimin e kohës, si hoteleria.
Teksa qeveritë përballen me këtë realitet të ri, po dalin në pah shumë ide të këqija. Në qershor, qeveria franceze tha se do të zgjasë skemën e ndihmës ekonomike për punonjësit deri në dy vjet, në këmbim të reduktimit të orarit të punës. Franca gjithashtu ofron ndihma shtesë për tregtinë e turizmit, edhe pse guidat turistike parisiene dhe instruktorët e sërfit Club Med mund të përballen me një rënie të përhershme të kërkesës.
Ndërkohë, më 8 korrik, kancelari i Britanisë, Rishi Sunak, tha se do të ulë taksat e vlerës së shtuar, për firmat e hotelerisë dhe do të prezantojë një skemë që ul deri në 10 paund (12,60 dollarë) faturat e restoranteve nga e hëna në të mërkurën (pijet e buta alkoolike përfshihen, por jo të fortat). Disa ekonomistë kanë bërë thirrje për subvencione pagash për industritë më të goditura.
Në vend të dhuratave dhe marifeteve të tilla, mënyra e duhur për të ulur nivelin e stimulit varet nga lloji i mbështetjes ekonomike që po praktikohet tashmë. Amerika u ka ofruar para njerëzve, nëpërmjet programit të sigurimit për të papunët, duke zgjatur kohën e përfitimeve që arrijnë shumën e 600 dollarëve në javë. Lejimi i skadimit të këtij programi, në një kohë kur papunësia ka kapërcyer nivelin 10%, do të ishte një veprim mizor, por nga ana tjetër, ngaqë mbështetja ekonomike është tepër bujare, tre të katërtat e përfituesve po fitojnë më tepër se sa merrnin nga paga e rregullt e punës.
Zgjidhja, siç ka propozuar një grup ish-këshilltarësh të Shtëpisë së Bardhë, është që përfitimet ekonomike për të papunët të zvogëlohen me uljen e papunësisë. Lidhja e bujarisë së pagesave me nivelet e papunësisë së shteteve, do të nxiste zonat e goditura më keq – përfshirë ato që po përjetojnë periudha të freskëta të përhapjes së Covid-19.
Në Europë, ekziston rreziku që punëdhënësit dhe punonjësit të ngecin në një marrëdhënie joproduktive për një kohë të gjatë. Qasja më e mirë është që të zvogëlohen pagesat e përfitimeve për njerëzit me leje të përkohshme, të cilat, për shembull, mbulojnë më shumë se katër të pestat e pagave në Francë. Atëherë qeveritë mund të përqendroheshin në sigurimin e papunësisë, gjë që nuk i prek pretendimet ndaj punëdhënësit. Kështu operon në periudha normale skema Kurzarbeit në Gjermani.
Virusi do të ketë valë të përsëritura, dhe është e vështirë të parashikohet se sa do t’i trembë kjo gjë konsumatorët. Prandaj, edhe kur qeveritë zvogëlojnë stimulimin, ato duhet të qëndrojnë të përgatitura për të nisur sërish mbështetjen ekonomike. Në fillim, qëllimi i tyre ishte thjesht të hidhnin para në ekonomi. Tani është të përdorin burime të shterueshme për të ndihmuar punëtorët dhe kompanitë në këtë kohë pandemie dhe për t’u përshtatur me një realitet të ri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.