Ulja e TVSH-së për fermerin, me mijëra protestojnë në rrugë  

20/03/2019 12:16 PM 0 komente

Me mijëra fermerë, grumbullues dhe agropërpunes kanë dalë sot në rrugë për të protestuar ndaj uljes së TVSH-së së rimbursueshme për fermerin. Në fund të protestës, fermerët kanë flakur në rrugë qumështin në formë demonstrative ndaj uljes së TVSH-së në 6% nga 20%.  Kjo ulje detyron fermerët që të ulin çmimet e produkteve të tyre, në një kohë kur konkurrenca nga importet është e lartë.

Ndryshimi i skemës së TVSh-së ka vendosur në ngërç të gjithë zinxhirin e sektorit nga fermeri, grumbulluesi dhe agropërpunuesi. Ndryshimi i TVSh-së bën presion te fermerët për të ulur çmimet e produkteve lëndë e parë. Nëse çmimet nuk ndryshojnë agropërpunuesit do të detyrohen që të rrisin çmimin për produktet finale, prej së cilës rrezikojnë që të humbasin tregun vendas.

Fermerët, ndër të tjera, kanë protestuar edhe për kushtet e vështira dhe kostot e larta të operimit. Shumë prej tyre janë shprehur të pakënaqur edhe për çmimin e naftës, subvencionet e ulëta që merr sektori i bujqësisë në raport me rajonin, etj.

Edhe gjatë ditës së nesërme, kompanitë agropërpunuese më të mëdha në vend nuk do të furnizojnë tregun me produkte të freskëta bulmeti.

Përfaqësues të Albanian Food Industry, të cilët kanë mbështetur organizatorët e protestës, thanë për Monitor se tashmë i kanë ezauruar të gjithë format në rrugë zyrtare për të kërkuar rikthimin e TVSH-së 20% për fermerin.

Ulja e TVSH-së së rimbursueshme

Sipas procedurës së mëparshme, çdo prodhues bujqësor, i cili aplikonte në regjimin e kompensimit të fermerëve me shkallë standarde 20% përfitonte kompensim, sipas një shpjegimi të Qendrës së Eksporteve Shqiptare dhe Albanian Food Industry (AFI), të cilat që në fillim e kundërshtuan fort uljen e TVSH-së nga 20 në 6%.

Blerësi, person i tatueshëm, lëshonte një faturë tatimore për shitësin prodhues bujqësor për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqësonte vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, përfshirë normën e kompensimit.

Kompensimi, që personi i tatueshëm blerës i ka paguar shitësit prodhues bujqësor, është TVSH-ja e zbritshme për personin e tatueshëm dhe deklarohej në periudhën tatimore kur është lëshuar fatura.

Me skemën e vjetër, vlera e kompensimit ishte 20%, tani do të jetë 6%, për rrjedhojë pagesa e TVSH-së nga blerësit do të jetë së paku trefish më e lartë. Qeveria e mori këtë masë nxitur nga kompensimet abuzive që po merrnin tregtarët në zonat prodhuese, Lushnjë dhe Fier.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of