Ulliri, bostani dhe arrorët identifikohen si prodhime me leverdi

12/02/2019 4:18 PM 0 komente

Një studim me ekspertë të Bankës Botërore tregoi së fundmi se Shqipëria mund të bëhet konkurruese në eksportet e prodhimeve bujqësore me ullirin, bostanin dhe arrorët. Por rritja e produktivitetit edhe në këto kultura nuk mund të arrihet pa zgjidhur copëzimin e lartë të tokës dhe…

 

Shqipëria është e varur gjerësisht nga sektori bujqësor, i cili përbën 20.3% të PBB-së, kontribuon me rreth 38% të punësimit dhe 8.5% të totalit të eksporteve. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në veçanti sektori i frutave dhe perimeve, zë 20% të bujqësisë shqiptare. Nga ana tjetër, kontribuon me 36% të eksporteve të saj dhe kjo peshë është rritur shpejt në pesë vitet e fundit.

Ndërsa tregu i brendshëm, për shumë nga këto produkte, është i ngopur, frutat dhe perimet shqiptare kanë fituar terren në vende të Ballkanit Perëndimor dhe janë të pozicionuar mirë në disa vende të BE-së. Megjithatë, prodhuesit shqiptarë përballen me shumë kufizime për të eksportuar prodhimet bujqësore në vendet e Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, politikëbërësit në vendin tonë nuk kanë krijuar një strategji efektive për bujqësinë, e cila do të mund të rrisë vlerën e shtuar në bujqësi dhe ta bëjë atë konkurruese të paktën në tregun rajonal. Ekspertë të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare zhvilluan një studim mbi leverdishmërinë e prodhimeve bujqësore.

Duke përdorur metodologjinë mbi analizën e zinxhirit të vlerave, IFC Albania, pjesë e grupit të Bankës Botërore, identifikoi së fundmi një listë prej pesëmbëdhjetë produktesh shqiptare, kryesisht fruta dhe perime, të cilat janë konkurruese në tregjet rajonale. Përdorimi i një matrice, që renditi eksportet sipas shkallës së rritjes dhe origjinës së vendit, identifikoi ullinjtë si eksportet më premtuese. Kërkesa për ullinj po rritet me shpejtësi edhe për shkak të përdorimit të tij gjithnjë e më të gjerë në industrinë e kozmetikës. Studimi identifikoi se pas ullirit, Shqipëria duket se ka leverdi të prodhojë dhe të eksportojë arra, bostan, lakra dhe lulelakër. Analiza tregoi se, tre mallrat më konkurruese janë ullinjtë, arrat dhe bostani.

 

Ullinjtë

Tregu global i vajit të ullirit ka aktualisht një vlerë prej 7 miliardë dollarësh, teksa po rritet mesatarisht me 8% në vit. Shqipëria është lider në prodhimin e ullirit në Ballkan, por aktualisht zë vetëm 0.6% të totalit të prodhimit në BE dhe nuk është në gjendje të përmbushë as nevojat e tregut vendas.

Në një përpjekje për t’u bërë globalisht konkurrues në vajin e ullirit, qeveria shqiptare subvencionoi me rreth 9 milionë dollarë mbjelljen e ullinjve gjatë periudhës 2009 – 2015. Me gjithë rritjen e bazës së prodhimit nga numri më i madh i rrënjëve, prodhimi nuk pritet të arrijë potencialin për shkak të praktikës joefikase të mbajtjes së pemishteve ullirit.

Sipas një analize të vitit 2012 për sektorin e ullirit nga Komisioni Europian, Shqipëria nuk mund të prodhojë në vëllime të mjaftueshme, në mënyrë që të jetë një lojtar i rëndësishëm në tregun e BE-së për shkak të fragmentimit ekstrem të pemishteve të ullirit. Madhësia mesatare e pemishteve është 0.2-0.4 hektarë, krahasuar në një madhësi mesatare prej 1.6 hektarësh në Greqi. Ky copëzim e bën prodhimin joefikas dhe të paaftë për të përfituar nga ekonomia e shkallës. Si pasojë e kësaj situate, Shqipëria do të vazhdojë prodhojë në sasi të vogla vaj ulliri dhe me çmime më të larta.

Studimi sheh të përshtatshëm prodhimin e vajit organik të ullirit, i cili favorizon cilësinë mbi volumin. Rreth dy të tretat e pemishteve të ullirit të Shqipërisë besohet të jenë organike, por vetëm 1% e pemishteve, ose 515 hektarë, janë certifikuar si të tillë. Për më tepër, prodhuesit shqiptarë ballafaqohen me kufizimet rregullatore për të eksportuar në BE. Agronomët shqiptarë kanë mungesë njohurish për trajtimin e prodhimeve organike me standardet e BE-së.

 

Bostani

Bostani është një nga pikat më të forta të eksporteve të frutave dhe perimeve në Shqipëri, por rritja e mëtejshme e eksportit është e kufizuar pothuajse tërësisht në Kosovë, me 62% të totalit. Prodhimi i bostanit bëhet për një kohë të shkurtër dhe për rrjedhojë kërkon punë intensive dhe kushte të mira moti. Për shkak të kushteve të favorshme klimatike, Shqipëria mund të jetë një furnizues potencial i bostanit në tregun e BE-së. Për më tepër, Shqipëria është gjeografikisht mjaft konkurruese për të prodhuar bostan hershëm, i cili shitet me një çmim më të lartë se në sezon.

Ndërsa kostot e transportit për bostanin nga Shqipëria janë më të ulëta se sa konkurrentët e drejtpërdrejtë të saj, logjistika është joefikase dhe praktika e prodhimit siguron cilësi dhe sasi jo aq të mirë sa në Greqi.
Boshllëqet në certifikimin e cilësisë, përdorimi më efikas i metodave të prodhimit dhe rritja e varieteteve janë jetike për ta bërë bostanin konkurrues. Për fat të mirë, bostani është një nga kulturat më të lehta për t’u paketuar dhe për t’u certifikuar.

 

Arrat

Kërkesa në tregun global për arra do të zgjerohet me një normë vjetore prej më shumë se 5% në 10 vitet e ardhshme. Analiza identifikon se arrat, lajthitë dhe gështenjat, si vlera të larta potenciale për eksportet. Gjithashtu analiza thotë se duhen shumë përpjekje në të gjithë zinxhirin e vlerës që arrorët të bëhen konkurrues. Prodhimi i arrave zotërohet nga fermerë të vegjël dhe me mungesë të theksuar njohurish të burimeve logjistike për kultivimin e tyre.

Me përjashtim të gështenjave, prodhimi i arrorëve është i pamjaftueshëm për të mbuluar edhe nevojat vendase. Megjithatë, prodhimi i arrave ka qenë në rritje, kryesisht për shkak të subvencionimit të qeverisë gjatë vitit 2009 që tani po fillon të japë frytet e tij. Sfida më e madhe e Shqipërisë në zinxhirët e vlerës së arrorëve është të konkurrojnë në tregun global. Sfida kryesore edhe tek arrorët është fragmentimi i tokës, gjë që pengon zhvillimin e teknologjisë dhe përmirësimin e ekonomisë së shkallës.

 

Bujqësia jonë nuk është konkurruese

Projekti i ekspertëve të IFC-së zbuloi se vlera e produkteve të zgjedhura në Shqipëri është dukshëm më pak konkurruese sesa ajo e prodhuesve të të njëjtave kultura në vende të tjera. Paaftësia e Shqipërisë për të konkurruar me vendet e tjera të Mesdheut ku kultivohen thuajse të njëjtat kultura vjen për dy arsye themelore. Së pari, fragmentimi i tokës është i lartë dhe kjo pengon zhvillimin e ekonomisë së shkallës në bujqësi.
Së dyti, Shqipëria nuk e ka të kualifikuar fuqinë punëtore në bujqësi. Mungesa e kualifikimit dhe përdorimi i ulët i teknologjisë e çon në deficite të mëdha prodhimin bujqësor.

Për më tepër, cilësia e proceseve të certifikimit të Shqipërisë nuk është e mjaftueshme për të siguruar eksporte në BE. Certifikimi është një proces i kushtueshëm për fermerët e vegjël, të cilët dominojnë bujqësinë në Shqipëri.

 

Copëzimi i tokës mban peng bujqësinë

Bujqësia shqiptare nuk mund të ngrejë një zinxhir të vlerave në produktet me leverdishmëri, siç janë frutat dhe perimet, për shkak të copëzimit të tokës. Prodhimet me leverdishmëri që u morën në studim shpërndahen në ferma të vogla. Për rrjedhojë, cilësia e produktit nuk është uniform, rendimenti është i ulët, kurse kostot e logjistikës janë shumë të larta për shkak të fragmentimit.

Në kohën kur fermerët shqiptarë nisin të vjelat rezultojnë me më shumë kosto se sa konkurrentët e tyre në rajon si në prodhim, ashtu edhe në transport. Politikat mbi konsolidimin e tokës nuk po arrijnë të krijojnë sipërfaqen që duhet për të kultivuar produktet me leverdishmëri si ulliri, bostani, arroret dhe lakrat.

Konkurrenca në tregun e BE-së kërkon një nivel më të lartë sofistikimi se sa ofrojnë aktualisht fermat shqiptare. Shumica e fermave të vogla nuk janë të mekanizuara, nuk kanë akses në kredi, e për rrjedhojë nuk kanë mundësi të bëjnë përmirësime në drejtim të kostove. Kjo përkthehet në produkte me vlerë të ulët, ndërkohë që eksportuesit shqiptarë nuk kanë fuqi. Ekspertët këshillojnë se tërheqja e investimeve të huaja në bujqësi do të ishte një nxitës për zhvillimin e teknologjisë dhe ekspertizës, por fatkeqësisht mjedisi rregullator i Shqipërisë është jo tërheqës për IHD.

Ata që kanë udhëtuar nëpër Shqipëri kanë parë parcelat e ngushta të tokës, një të mbjellë me grurë dhe një me domate, diku 100 metra me perime dhe ngjitur një parcele djerrë. E gjithë kjo sepse vendi aktualisht ka 350 mijë ferma të vogla, sipërfaqja e të cilave në një mesatare të përgjithshme nuk i kalon të 1.16 hektarët. Sipërfaqja e parcelave të mbjella me një kulturë nuk i kalon 0.2 hektarë.

Si rrjedhojë, edhe industria përpunuese në të cilën është investuar shumë këto vitet e fundit është vënë në vështirësi për shkak të prodhimit të çorganizuar. Një prodhues vere nuk mund të mbijetojë kur, në 4 hektarë tokë ka katër variete rrushi.

E gjithë kjo tragjedi pa kthim që bujqësia po përjeton sot e ka fillesën në vitin 1991, kur nëpërmjet ligjit 7051 u bënë pronarë personat dhe familjet e regjistruara në fshat sipas ndasisë së sipërfaqes për frymë. Toka u dha në përdorim fillimisht për tre vjet, si masë nxitëse për të përmirësuar jetesën e familjeve që jetonin në fshat të zhytura në varfëri të thellë, në momentin e ndryshimit të regjimit. Vite më pas, në pjesën dërrmuese të vendit, qeveritë nuk mundën më të shpronësonin përfituesit me ligjin 7051 për shkak të konfliktit social që mund të krijohej.

Nga sipërfaqja e shfrytëzueshme e tokës bujqësore, vetëm 185 mijë hektarë janë punuar, nga të cilat mbi 8% punohen ende me kafshë dhe me krahë dhe pjesa tjetër me traktor. Tokat djerrë, që nuk shfrytëzohen, janë kryesisht në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Fierit. Ndërsa qarku me sipërfaqe më të vogël të tokës bujqësore është Kukësi, me vetëm rreth 5 mijë hektarë tokë dhe Dibra me 13 mijë hektarë tokë. Sipërfaqet më të mëdha të tokës bujqësore i ka Fieri me 85 mijë hektarë, Vlora me 52 mijë hektarë dhe Elbasani, 46 mijë hektarë.

 

Eksperimentet zhgënjejnë

Disa kultura të panjohura nga shqiptarët të ardhura nga Kina, Afrika kanë hyrë në bujqësinë shqiptare si mënyra për të gjeneruar fitime të shpejta. Por duke qenë se shqiptarët nuk janë të familjarizuar me këto kultura, rrezikojnë të dështojnë dhe të humbasin investimet.

Ndërkohë duke u marrë me rritjen e tyre, familjet fermere do të shmangin edhe prodhimet tradicionale për vetëkonsum. Shafrani i hedhur në treg së fundi nga politika, si një bimë me fitim të lartë, duket se pas çmimit joshës ka shumë sakrifica.

Për një kilogram pluhur që kushton deri në 10 mijë euro duhen 15,000 lule dhe mbi 600 orë punë, pa llogaritur shpenzimet për farën dhe kostot e tjera për rritjen. Pas çmimit joshës të bimës ka kosto të larta, por ekspertët e Agroëeb, pas kërkimeve në kultivimin e kësaj kulture, kanë gjetur se kërkesa për këtë produkt përmbushet nga Greqia, Kosova, Spanja etj.

Ndërsa po diskutohet për shafranin, një bimë e re po dominon kultivimin në Europë dhe që shitet shumë. Stevia është një lloj i kallamit të sheqerit, një bimë ëmbëltuese, por që po përdoret nga industria e pijeve, pasi ka zero sheqer. Kompanitë e mëdha të pijeve si Coca Cola kanë nisur të porosisin në masë kultivimin e saj për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për ëmbëltuesin me zero sheqer. Bima është përdorur më herët si sheqer për diabetikët, por tani kërkesat janë shtuar shumë. Një kilogram nga bima kushton 30 deri në 60 dollarë. Stevia ka nisur të kultivohet shumë vitet e fundit në Europë dhe sidomos në Turqi.

Plepi kanadez dhe paulonja kineze kanë joshur shumë fermerë. Dy vitet e fundit, dhjetëra hektarë tokë në të gjithë vendin janë mbjellë me paulonja. Por investimi më i vjetër në këtë fushë nuk ka kaluar pesë vjet dhe nuk e kemi ende të dhëna se sa fitohet me këtë kulturë. Paulonja, druri i së cilës është mjaft i kërkuar në industrinë e mobilierisë, sidomos për avionë dhe anije, duket se ka shumë dashamirës në Shqipëri.

Një pemë e ngjashme që ka nisur të mbillet është edhe plepi kanadez. Pema është mbjellë në disa zona të Shqipërisë së Mesme në toka që nuk janë shumë produktive dhe përdoret për prodhimin e drurit industrial. Mirëpo duke qenë se koha nga investimi deri në kthimin e fitimeve është e gjatë, nuk ka siguri për ecurinë e çmimit në tregjet ndërkombëtare, ndaj ekspertët e sektorit nuk e këshillojnë kultivimin e tyre. Kanë kaluar më shumë se 5 vjet që kur nisi të kultivohej paulonja, por fermerët nuk kanë raportuar ende shitje dhe fitime.

 

Rekomandimet

Studimi i IFC këshillon autoritetet shqiptare që të mbështesin produktet e evidentuara si për prodhim dhe eksport. Këto prodhime mund të stimulohen duke biseduar me palët e interesuara, teksa shihet si emergjencë zgjidhja e copëzimit të tokës.

Së pari, ekspertiza e Bankës Botërore sugjeron të fillohen programet e menaxhimit të zinxhirit të vlerave në produktet e përzgjedhura dhe zhvillimin e një rrjeti shërbimesh cilësore për prodhuesit me qëllim që të arrihen standardet e cilësisë.

Së dyti, zhvillimi i një fuqie punëtore produktive. Kjo mund të realizohet duke përmirësuar bashkëpunimin midis fermave dhe shkollave

Së treti, të nisë një program pilot për edukimin e aktorëve përgjatë zinxhirëve të vlerës së produktit të zgjedhur.

 

Inventari i bujqësisë

Sipërfaqja e përgjithshme e tokës në Shqipëri është 2,875,000 ha, nga të cilat 699,000 ha ose 24% janë tokë bujqësore (duke përjashtuar kullotat), 36% pyje, 16% kullota të përhershme dhe 24% të tjera. Rreth 43.3% e tokës bujqësore ndodhet në zonat fushore, 34% në zonë kodrinore, 22.7% në rajonet malore. Të dhënat janë azhurnuar nga Koperacioni Gjerman, nëpërmjet GIZ dhe u takojnë zhvillimeve në bujqësi deri në fund të 2017-s. Vlerësimet kanë gjetur se vetëm 50% e tokës bujqësore përdoret si tokë e punueshme ose 603,000 ha, nga të cilat 413,000 ha janë zona të mbjella dhe pjesa tjetër, përgjithësisht është e lirë.

Toka bujqësore e vendosur mbi 300 metra mbi nivelin e detit është shumë e copëzuar, me mungesë aksesi në ujitje dhe është nën kërcënimin e përhershëm të erozionit. Sa u përket kushteve gjeografike të prodhimit bujqësor, Shqipëria ndahet në tri zona agroekologjike, të bazuara në kushtet e tokës dhe klimës, si dhe aksesin në shërbimet bujqësore dhe në infrastrukturë.

Sipërfaqja e tokës e pozicionuar në Ultësirën Perëndimore, 0-200 metra mbi nivelin e detit, është përshtatshme për kultivimin e grurit, perimeve në fushë dhe në serë, fasule, misër, bimët e foragjereve, agrume, fiq, pemë ulliri dhe rrush etj.

Sa i përket sipërfaqes së tokës bujqësore për çdo banor, Shqipëria renditet si e fundit në rajon (rreth 2,200 m² / banor). Ekonomia bujqësore në Shqipëri, përbëhet nga rreth 4.8 persona. Gjatë 20 viteve të fundit, pesha specifike e bujqësisë në strukturën e PBB-së ka rënë nga 45% deri në 20.4% në vitin 2017. Megjithatë, duhet theksuar se rënia në terma globalë nuk është karakteristikë e ritmeve të zhvillimit të prodhimit bujqësor në vetvete. Pra, rritja mesatare vjetore e bujqësisë gjatë dhjetë viteve të fundit vlerësohet të jetë midis 3,5-4,0%. Rritja e sektorit bujqësor është nën mesataren kombëtare.

Transformimi i sistemit ekonomik në fillim të viteve ’90 dhe gjithsej privatizimi i tokës bujqësore rezultoi në fragmentimin e ekonomisë bujqësore. Madhësia e fermave është jashtëzakonisht e vogël, me rreth 1-1.5 hektarë tokë bujqësore duke dominuar mbi 90% të fermave. Megjithatë, gjatë viteve të fundit numri i fermave të mesme është rritur, në veçanti në zonën bregdetare.

Investimet kanë qenë të mëdha për ngritjen e fermave të mëdha për prodhimin e qumështit, mishit të derrit, vezët dhe mishit të shpezëve që vijojnë të jenë në rritje. Rreth 90% e fermave plotësojnë nevojat e tyre të punës nga familja e tyre, teksa 10% e fermave punësojnë të tjerë. Fermat janë burim i madh punësimi për banorët në zonat rurale. 73% e forcës së punës në këto fusha është e punësuar në bujqësi, 6% në aktivitetet agro-industriale dhe 3% në vende të tjera pune.

Megjithatë anketat kanë gjetur se mosha nga 16-30 vjeç që jeton në fshat ka gjithnjë e më pak lidhje me punën në bujqësi. Të dhënat statistikore nga viti 2016 tregojnë se rreth 59% e fermerëve kanë marrë arsimin dhe vetëm rreth 33% mbaruan shkollën e mesme. Nga këta, vetëm rreth 38% kanë arsim profesional që ka lidhje me bujqësinë.
Në strukturën e prodhimit bujqësor, 55% e prodhimeve dominohen nga prodhimet e fushës dhe pemët dhe 45% nga blegtoria. Drithërat (sidomos gruri), perimet, patatet dhe fasulet përbëjnë 37% të prodhimit.

Produktet bujqësore shqiptare janë të destinuara për tregun e brendshëm. Eksportet janë të kufizuara dhe vetëm një numër i vogël i produkteve si perime, fruta, vezë etj., eksportohen. Prodhimi vendas nuk i plotëson nevojat ushqimore të popullsisë që jeton në vendin tonë. Edhe kur produktet vendase janë të mjaftueshme, i njëjti produkt i importuar shpesh gjendet në treg.

Në përgjigje të globalizimit, prodhimi bujqësor ka tendenca drejt bujqësisë tradicionale, kryesisht bimëve autoktone dhe burimeve autoktone gjenetike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of