Ndërsa strategjia e ullirit ka zënë me punë disa ekspertë të rëndësishëm të bujqësisë dhe është bërë “flamuri” kryesor që qeveria valëvit kur flitet për të nxitur prodhimin bujqësor, prodhimi i ullirit dhe vajit të tij në vend është rikthyer në nivelet e pesë viteve më parë. Sektori po përballet me një braktisje totale të drurëve aktualë prodhues, ndërkohë që do të duhen vite deri sa plantacionet e reja të mbjella me ullinj të hyjnë në prodhim. Shifrat e prodhimit e konfirmojnë këtë plotësisht. Gjatë 2011-s, prodhimi i ullirit në vend arriti në pothuajse nivelet e vitit 2005 (vetëm 30 mijë tonë). Krahasuar me një vit më parë, prodhimi ra 2.3 herë.
Luhatja çdo vit e prodhimit të ullirit vjen për shkak të kushteve tërësisht natyrale dhe mungesës së ndërhyrjes së fermerëve. Përfaqësuesit e Shoqatës së Përpunuesve të Ullirit tregojnë se luhatja e theksuar prej vitesh e prodhimit të vajit, tashmë po e godet rëndë industrinë, e cila punon me kapacitete minimale. Ata ankohen se fermerët nuk kujdesen aspak për drurët prodhues.
Kjo sjellje, përveçse nuk u siguron fitimet e duhura familjeve, po gjunjëzon punishtet e përpunimit të vajit, të cilat për më tepër janë shtuar shumë vitet e fundit.
Përgjigjja e fermerëve është e thjeshtë. Abdyl Hala, në periferi të Tiranës, tregon se ka pak rrënjë dhe ato janë të vjetra. “Nuk kam në plan të shkoj t’i shes, nëse dikush vjen të blejë prodhimin e mirë, ndryshe unë i konsumoj vetë”, thotë ai.
Ekspertë në fushën e bujqësisë mendojnë se do të duhej një nxitje, qoftë edhe detyruese ndaj fermerëve, që të përmirësojnë cilësinë e ullishtave ekzistuese. Sipas tyre, vetëm kjo do të jepte një rezultat të shpejtë në prodhim, në pritje të ullishtave të reja. “Edhe për shumë kohë nuk janë mbjelljet e këtyre viteve forma për të siguruar prodhim”, vërejnë ata. Sipas Ismail Bekës, “kjo formë (natyrale) prodhimi do të vazhdojë për sa kohë nuk bëhet asnjë hap në drejtim të përmirësimit të cilësisë”. Sipas tij, nuk ka shërbime intensive ndaj ullinjve ekzistues.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, fondi i ullishtave është përmirësuar këto vite, pa sjellë ndonjë rezultat konkret në prodhim. Prej 2008-s, numri i rrënjëve në prodhim është rritur mesatarisht 2% në vit. Por rendimenti i prodhimit luhatet në mënyrë të theksuar nga viti në vit, duke qenë në sezonin e mirë rreth 16 kg/rrënjë dhe në vitin më pak të mbarë rreth 11 kg/rrënjë.
2011: Prodhimi bie katër herë
Muajt e parë të vitit 2011, me shumë shira, paralajmëruan një prodhim të paktë të produktit që siguron vajin më të çmuar në botë. Përpunuesit i druheshin furnizimit të kufizuar, por asnjëherë aq sa ndodhi realisht. Sasia e ullirit të prodhuar ishte më pak se 30 mijë tonë, nga 70 mijë tonë që u prodhuan një vit më parë. Por ky është niveli më i ulët i prodhimit të të gjithë këtyre viteve, pasi edhe atë pak prodhim që drurët kishin “planifikuar”, e dëmtuan shirat e pranverës në periudhën e lulëzimit. Rendimenti i prodhimit zbriti nën nivelin minimal prej 11% të shënuar çdo dy vjet. Për vitin e kaluar, ai llogaritet të ketë qenë më pak se 9 kg/rrënjë.
Rënia e prodhimit u reflektua tërësisht në tkurrjen e përpunimit e prodhimit të vajit të ullirit. Të orientuar vetëm në trajtimin e prodhimit vendas, ata e ulën mesatarisht nivelin e përpunimit me katër herë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, përpunimi i vajit ishte vetëm 2.2 mijë tonë, ose vetëm 28% e sasisë së prodhuar një vit më parë. Vaji i ullirit të prodhuar në vend ishte më i pakëti i prodhuar këto dhjetë vitet e fundit.
Megjithatë, siç vlerësojnë ekspertët, furnizimi në treg është ribalancaur, pasi në qarkullim ishte edhe një pjesë e mirë e prodhimit të vitit 2010. Kjo bëri që importi i vajit të jetë pothuajse në të njëjtat nivele të një viti më parë. Sipas të dhënave doganore, sasia e vajit të ullirit të importuar ishte 1.1 mijë tonë, ose sa gjysma e sasisë së prodhuar në vend.
Gjithsesi pesha e importit u rrit në treg. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme dhe prodhimit, vitin e kaluar, pesha e vajit të siguruar nga tregjet e huaja u rrit me gati tre herë, duke zënë mbi 30% të tregut.
2012, më optimistë
Tashmë kur ka kaluar gjysma e vitit, fermerët janë të bindur që sezoni i ardhshëm i vjeljes do të jetë më frytdhënës. Shpresa Shkalla, e cila e blen ullirin që përpunojnë fermerët e rajonit të Tiranës, mendon se ky do të jetë një vit shumë më i mirë se ai që kaloi, ndonëse nuk është e sigurt nëse prodhimi do të arrijë në nivelet e 2010-s. Krahasuar me vitin e kaluar prodhimi i ullirit pritet të jetë më shumë se i dyfishuar.
Në tregti kryesojnë fqinjët
Tregtia e jashtme e vajit nuk është aspak e favorshme për sa u përket kostove, ndërkohë që s’mund të themi të njëjtën gjë për cilësinë. Në importin tonë të këtij produkti kryeson Italia, në sasi, por mbi të gjitha në vlerë. Sipas të dhënave të tregtisë, ky treg zinte rreth 40% të sasisë së vajit të importuar dhe 60% të vlerës së tij. Sigurisht që importet nga Greqia na kanë kushtuar më lirë.
Fqinjët kryesojnë edhe në eksportet tona, por në këtë rast, ajo sasi e pakët që dërgojmë, shkon më së shumti në tregun kosovar, ku rezulton të shitet me një çmim mesatar prej rreth 600 lekë/litër, më pak se në tregun e brendshëm. Eksportet e vitit të kaluar ishin vetëm 10 tonë, ose sa gjysma e sasisë së eksportuar dy vite më parë. Nga këto, 6 tonë shkuan në Kosovë. Zvicra është bërë një destinacion i qëndrueshëm.
Cilësia, shkak apo pasojë e prodhimit…
Mjaftojnë dy shifra për të treguar funksionimin e çalët të tregut të ullirit dhe vajit të tij. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë numërohen rreth 130 punishte të vajit të ullirit në të gjithë vendin, ndërsa sasia e prodhuar është vetëm 2.2 mijë tonë, me një mesatare prodhimi prej vetëm 17 tonësh vaj në vit për çdo njërën prej tyre. Sipas ekspertëve të tregtisë, një sasi e tillë prodhimi nuk është e leverdisshme për një punishte, sado e vogël qoftë.
Zhvillimi i tregut ka ecur në dy kahe të kundërta. Një numër i vogël kompanish kanë ngritur strukturë të mirëfilltë grumbullimi e përpunimi dhe arrijnë të nxjerrin një produkt, me çmim por mbi të gjitha me cilësi të pranuar nga tregu. Në këtë rast, çmimi mesatar luhatet mes 700-800 lekë/litër.
Në të njëjtën kohë, tregu i brendshëm është dëmtuar nga ndërhyrjet dhe përzierjet. Kontrolle të shpeshta nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kanë nxjerrë në pah cilësinë e dobët dhe përqindjen e ulët të vajit të ullirit në shishet që tregtohen si të tilla. Madje, ndërhyrjet e fundit kanë arritur deri aty sa të mbyllin ndërmarrje përpunuese që nuk e ushtronin aktivitetin dhe nuk kishin shlyer as grantet me të cilat kanë marrë makineritë.
Është e vërtetë që fermerët nuk kujdesen për ullinjtë që kanë në pronësi, por mes arsyeve se përse nuk e bëjnë këtë, rendisin edhe çmimin shumë të ulët që tregtarët-përpunues u ofrojnë. Për 1 kg ullinj, çmimi i ofruar është 80-12 lekë. Sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Përpunuesve, kjo është oferta më e mirë për fermerët që u lejon prodhueseve të nxjerrin në treg një vaj me çmim të pranueshëm.
Bie prodhimi botëror i vajit të ullirit
Në 2011-n, prodhimi ishte më i ulët se konsumi
Edhe prodhimi botëror i ullirit dhe vajit të tij ishte më i pakët vitin e kaluar, sipas Këshillit Ndërkombëtar të Vajit të Ullirit (IOOC). Por tkurrja e prodhimit ishte shumë më e kufizuar se në tregun tonë të vogël. Sipas këtij Këshilli, prodhimi global i vajit ra 2.5% gjatë vitit 2011, duke qenë 2.95 milionë tonë, ose më pak se konsumi i së njëjtës periudhë.
Prodhuesi kryesor mbetet sërish Bashkimi Europian me 2.1 milionë tonë, ku në Spanjë u prodhua më shumë se gjysma (0.7 milionë tonë). Gjithsesi, prodhimi spanjoll ra 14% krahasuar me 2010-n. Vendet mesdhetare që janë pjesë e BE-së siguruan më shumë se 76% të prodhimit.
Por tregu europian mbetet edhe konsumatori kryesor, pasi vendet ku është shitur sasia më e madhe e vajit janë në BE. Në këtë treg u konsumuan 1.88 milionë tonë vaj, ndërkohë që në SHBA vaji i ullirit të tregtuar ishte 0.26 milionë tonë, në Siri 0.12 dhe në Turqi 0.11 milionë tonë.
Prodhimi i vitit të kaluar ishte më i ulët krahasuar me konsumin, për shkak të tendencave të kundërta që po ndjek konsumi dhe prodhimi. Sasia e konsumit për 2011-n vlerësohet te 2.98 milionë tonë, me një rritje prej 3.65% krahasuar me vitin 2010.
Vlerësimet paraprake për 2011-n tregojnë se eksportet e vajit të ullirit u rritën me 5%, duke arritur në 707 mijë tonë. BE-ja ka luajtur rolin kryesor në tregtinë ndërkombëtare (me 0.44 milionë tonë) e ndjekur nga vendet e Afrikës së Veriut.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.