Unaza e Tiranës është kthyer në një projekt që “gllabëron” në mënyrë të vazhdueshme fonde shtesë që rritin dita-ditës koston duke mbetur larg shifrave fillestare të projektit.
E fundit është një procedurë e hapur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar që ka në objekt “Plotësimin e punimeve dhe rrugët lidhëse në Unazën Lindore, Loti 2” me një fond limit 990 milionë lekë apo rreth 8 milionë euro.
Loti 2 i kësaj unaze dhe saktësisht procedura “Rikualifikim i akseve rrugore Unaza Lindore Loti 2” është prokuruar në vitin 2018 dhe u fitua në atë kohë me një ofertë 1.5 miliardë lekë (12 mln euro) nga bashkimi i dy kompanive. Me shteswn e fundit projekti arrin në 20 milionë euro, me rritje 68% nga varianti fillestar.
Projekti i cili në fakt është edhe më i hershëm (i prezantuar në 2012) duket se gjatë rrugës ka pësuar rishikime të vazhdueshme dhe këto të fundit kanë mbetur jashtë kontratës ekzistuese.
“Objekti “Plotësimi i Punimeve Dhe Rrugët Lidhëse Ne Unazën Lindore Loti 2” shtrihet në verilindje të qytetit të Tiranës dhe është pjesë e Unazës së madhe të Tiranës. Projekt fillestar i këtij objekti “NDERTIM I RRUGES SE UNAZES SE JASHTME TIRANE (pjesa verilindore seg. kth. Saukut – Bregu I Lumit) LOTI 2” është lancuar si projektim në Qershor 2012.
Gjatë periudhës gusht 2013 deri më sot, gjatë zbatimit te punimeve të projektit ka pasur ndryshime, plotësime e saktësime, kryesisht nga kërkesat e ardhura te Bashkisë Tiranë, të cilat kanë marrë miratimin e Këshillit Teknik të ARRSH-së. Me miratimin e Këshillit Teknik në ARRSH me V.K.T Nr 52, Nr. 6610 Prot. datës 27.07.2018, ky projekt u rishikua ku disa nga punimet mbeten jashtë kontratës bazë në përputhje me rikualifikimin e projektit fillestar” thuhet në raportin teknik.
I njëjti dokument detajon se fillimi i objektit është ndërtuar në shtratin e Përroit të Shkallës, duke bërë edhe sistemimin e tij. Aktualisht sipas ARRSH veç sistemimit të bërë në pjesën e Lotit 1, edhe në Lotin 2, është vazhduar me një pjesë të sistemimit në Kolektor të përroit të Shkallës si dhe është në ndërtim e sipër mbikalimi. Në këtë zonë ka përfunduar ndërtimi i një nyje në disnivel me rampa hyrëse dhe dalëse ne rrugën kryesore te unazës nëpërmjet katër rrethrrotullimeve ne te dy anët e saj.
“Më pas Unaza kalon nëpër Fushën e Farkës, që në vetvete është kodër e lehtë me rënie drejt Liqenit të Farkës. Në vazhdim Unaza e Jashtme e Tiranës Loti 2 fillon të zbresë pjesërisht në gropën e liqenit të Farkës, kalon mbi pjesën e sipërme të përroit të Kabatit mbi të cilin aktualisht është ndërtuar edhe kanali për furnizimin e liqenit të Farkës me ujë nëpërmjet Përroit te Surrelit.
Më pas Unaza intersekton kurrizin e një kodrine duke dalë në zonën e Shkozës, nëpërmjet një tuneli në formë box-i. Në pjesën e sipërme të kësaj kodre kalon rruga që lidh rrugën Shkozë-Farkë me Saukun. Projekti në vazhdim zbret në zonën e Shkozës duke kaluar nga pas ish-Uzinës së Autotraktorëve, duke kaluar përqark kodrës pothuaj në pjesën fundore të saj e duke kthyer drejt perëndimit” sqaron dokumenti.
Shtesa e fundit e kontratës nuk është e vetmja që ka kthyer vëmendjen nga Unaza në Tiranë. Vetëm pak kohë më parë u prokuruan edhe disa lote të tjera të lidhura me Unazën e Tiranës që bënin lidhjen me Bulevardin e ri por edhe një sërë lotesh të tjerë që në fond limit ishin rreth 70 milionë euro./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.