Shqipëria mund të ketë bërë disa hapa para sa u takon politikave që lidhen me mjedisin dhe energjinë por disa prej rekomandimeve që janë bërë në Rishikimin e Performancës Mjedisore nga Komisioni Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara mbeten ende pa avancuar.
Në një workshop të fundit me tematikë “Forcimi i kapacitetit kombëtar në zbatimin e politikave të qëndrueshme të energjisë dhe praktikat e bazuara në rekomandimet e Rishikimeve të Performancës Mjedisore” sillet në vëmendje pikërisht ky aspekt.
Sipas rekomandimit të UNECE, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit duhet të promovojnë (gjithashtu duke përdorur incentiva fiskale dhe procese të autorizimit të shpejtë) instalimin e impianteve inovative të përpunimit, bazuar në përdorimin e metodave të prodhimit të pastër, fokusuar tek eficienca e energjisë dhe reduktimi i mbetjeve, duke ndjekur kriterin që vendoset nga teknikat më të mira të disponueshme.
“Qeveria i kushton vëmendje specifike (brenda dokumenteve të politikave dhe legjislacioni) nevojës për të përshpejtuar procesin e inovacionit në përpunimin industrial, si një element i drejtpërdrejtë në përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit. Ky proces bërë shumë pak hapa përpara, pjesërisht për shkak të kufizimeve të ekonomisë. Nuk ka stimuj specifikë për të tërhequr investime në sektorin industrial, në veçanti për ata që dëshirojnë të investojnë në teknologji të re.
Kjo mund të pengojë zbatimin nga Shqipëria të objektivit 8.2 (arritja e niveleve më të larta të produktivitetit ekonomik përmes diversifikimit, përmirësimit teknologjik dhe inovacionit, përfshirë edhe përmes një fokusi tek sektorët me vlerë të lartë të shtuar dhe me punësim intensive) të Qëllimit 8 (Promovimi i rritjes ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, si dhe një punë të denjë për të gjithë) nga Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm” saktësohet në pjesën e ecurisë së zbatimit të këtij rekomandimi.
Një tjetër rekomandim është ai për analizë mjedisore sa i takon industrisë së nxjerrjes së naftës në mënyrë që të përmirësojë eficiencën mjedisore dhe qëndrueshmërinë. Kjo sipas UNECE duhet të bëhet në kushtet kur Shqipëria ka një historik të gjatë të nxjerrjes së naftës në vend dhe incidente me dëme mjedisore nuk kanë munguar siç ishte ajo në Patos-Marinzë pak më parë. Ndaj analiza duhet të vihet në jetë për aq kohë sa presioni në përdorimin e tokës lidhet me rrjedhjen e naftës nga pusi dhe lidhet me kontaminimin e tokës si dhe të trupave të ujit./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.