Ndërsa globalizimi po përfshin gjithë botën, nevoja për të ruajtur historinë e komuniteteve të ndryshme është më e rëndësishme se kurrë.
UNESCO ka shpallur shtesat e fundit në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, e cila këtë vit përfshin qeramikë dhe veshje në formë këmbane.
Konventa e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale u miratua në vitin 2003 dhe hyri në fuqi në 2006-n.
Lista, e cila nxjerr në pah zakonet më të rrezikuara nga zhdukja, është krijuar për të mbrojtur traditat e trashëguara nga një brez në tjetrin.
“Trashëgimia kulturore jomateriale” u referohet praktikave, shprehjeve, njohurive dhe aftësive, si dhe instrumenteve, objekteve, artefakteve dhe hapësirave kulturore që lidhen me to, që komunitetet, grupet dhe, në disa raste individët, i njohin si pjesë të trashëgimisë së tyre kulturore.
Për t’u përfshirë në listë, UNESCO thotë se trashëgimia kulturore jomateriale duhet të jetë:
• Gjithëpërfshirëse
• Përfaqësuese
• Bazuar në komunitet
Aktualisht janë 678 elemente që u përkasin 140 vendeve në listë.
Çfarë është në listë?
Vitin e kaluar, UNESCO votoi për të përfshirë “njohurinë artizanale dhe kulturën e bukës baguette (bageta)”.
Duke u bazuar në shtimin e bukës kryesore të Francës në listë, drejtuesja e UNESCO-s, Audrey Azoulay, tha se kjo “lartëson mënyrën franceze të jetesës: bageta është një ritual i përditshëm, një element strukturues i vaktit, sinonim i bashkëjetesës”.
Ajo shtoi: “Është e rëndësishme që këto aftësi dhe zakone të vazhdojnë të ekzistojnë në të ardhmen”.
Në vitin 2021, UNESCO deklaroi se supa tradicionale e kungujve të Haitit e njohur si “sup joumou” është gjithashtu me vlerë kulturore të paprekshme për njerëzimin.
“Supa joumou na kujton sakrificat që kanë bërë paraardhësit tanë për të luftuar skllavërinë dhe racizmin në tokë”, shkroi ish-ministri i Jashtëm i vendit, Claude Joseph, në Twitter. “E mirëpres këtë lajm me shumë krenari dhe emocion”.
Republika Demokratike e Kongos dhe Republika e Kongos morën statusin e trashëgimisë në vitin 2021 për rumbën kongoleze, një tingull që ndërthur daullet e afrikanëve të skllavëruar me meloditë e kolonistëve spanjollë.
“Rumba përdoret për festime dhe në zi, në hapësira private, publike dhe fetare,” shkroi UNESCO në citimin e saj, për shtimin e muzikës në listën e pasurive me vlerë kulturore jomateriale për njerëzimin.
Kullat njerëzore, ose ‘castell’, u shtuan në listën e UNESCO-s të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në vitin 2010 si një “pjesë tërësore e identitetit kulturor katalan”.

Kjo traditë e shekullit të XVIIII, zhvillohet dy herë në vit, ku njerëzit konkurrojnë për të formuar struktura komplekse në fushën e demave të Tarragonës.
Trashëgimia kulturore jomateriale në rrezik
Në dhjetor 2022, 39 elemente u shtuan në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Katër elemente u theksuan si nevojë urgjente për t’u mbrojtur:
Shqipëria – Xhubleta, aftësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit

Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat malësore në Shqipërinë e Veriut, e cila karakterizohet nga forma e saj e valëzuar si këmbanë.
Vietnam – Arti i qeramikës së popullit Chăm
Produktet e qeramikës të popullit Chăm prodhohen nga gratë dhe shihen si shprehje e krijimtarisë individuale, bazuar në njohuritë e përçuara brenda komunitetit.
Kili – Qeramikë Quinchamalí dhe Santa Cruz de Cuca
Një burim i autonomisë shoqërore dhe ekonomike, metoda e punimit të qeramikës Quinchamalí dhe Santa Cruz de Cuca, nxjerr në pah pavarësinë e grave në marrëdhëniet gjinore.
Turqi – Punime tradicionale me gurë Ahlat
Punimet tradicionale të gurit Ahlat përfshijnë nxjerrjen e gurëve vullkanikë Ahlat. Gurët më pas përpunohen në artefakte dhe struktura, thotë UNESCO.
Rëndësia e dijeve autoktone për praktikat e ardhme të ruajtjes së natyrës u theksua në mbledhjen e përvitshme të Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum) në Davos, më 23 në janar.
Ekspertët shpjeguan nevojën për të garantuar të drejtat autoktone për të mbrojtur ekosistemet dhe mënyrat e jetesës.
Kjo mbështet udhëzimet nga raporti i ri i Forumit Ekonomik Botëror “Përfshirja e njohurive autoktone në ruajtjen dhe restaurimin e peizazheve”. / World Economic Forum