Emërtimi i Gjeopark Global i UNESCO-s (Global Geopark), u krijua në vitin 2015 dhe çmon “trashëgiminë gjeologjike me rëndësi ndërkombëtare”.
18 emërtimet e reja e çojnë totalin në 195 gjeoparqe, të cilat mbulojnë një sipërfaqe totale prej 486,709 km2, ekuivalente me dyfishin e madhësisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Dy shtete anëtare të UNESCO-s i janë bashkuar listës për herë të parë: Zelanda e Re dhe Filipinet.
Më poshtë paraqitet lista e plotë e vendeve të reja:
Gjeoparku i Ishullit Bohol, Filipine
Gjeoparki i parë Global i UNESCO-s i Filipineve, ishulli Bohol, ndodhet në grupin e ishujve Visayas. Identiteti gjeologjik i ishullit është krijuar përgjatë 150 milionë viteve, pasi periudhat e lëvizjeve tektonike e kanë ngritur ishullin nga thellësitë e oqeanit.
Gjeoparku është i pasur me shpella, gropa dhe kone karstike, duke përfshirë kodrat e famshme të çokollatës në formë koni në qendër të gjeoparkut.
Gjeopark Caçapava, Brazil
Për Guarani, një popull indigjen në Brazil, ky gjeopark është “vendi ku përfundon xhungla”, i vendosur në shtetin Rio Grande do Sul në skajin më jugor të Brazilit.
Trashëgimia gjeologjike, e cila përbëhet nga nxjerrja e metaleve sulfide dhe mermeri, ka qenë jetike për zhvillimin ekonomik të rajonit. Përveç gjeodiversitetit të tij, gjeoparku është shtëpia e kaktuseve të rrezikuara, bromeliadave, luleve endemike dhe specieve të bletëve.
Gjeopark Quarta Colônia, Brazil
Ky gjeopark ndodhet në jug të Brazilit midis biomeve Pampa dhe Pyjeve të Atlantikut. Emri i tij është referencë për periudhën kur, italianët kolonizuan pjesën qendrore të shtetit të Rio Grande do Sul.
Ka vila koloniale, gjurmë të indigjenëve dhe vendbanime të quilombolas (ish-njerëz të skllavëruar me origjinë afrikane). Gjeoparki është gjithashtu i pasur me fosile të kafshëve dhe bimëve, që datojnë 230 milionë vjet më parë.
Gjeopark Lavreotiki, Greqi
I famshëm për bollëkun dhe shumëllojshmërinë e ekzemplarëve të tij mineralogjikë, shumë prej të cilëve u zbuluan për herë të parë në zonë, ky gjeopark është i njohur në mbarë botën për argjendin, që nxirret nga depozitat e përziera të sulfurit.
Rajoni ka qenë i banuar që nga lashtësia, për shkak të pasurisë gjeologjike nëntokësore dhe aktualisht është shtëpia e mbi 25,000 banorëve. Lavreotiki strehon gjithashtu Manastirin e Shenjtë Bizantin të Shën Apostullit Pal.
Gjeopark Ijen, Indonezi
Kjo perlë ndodhet në Provincën e Javas Lindore. Vendndodhja midis ngushticës dhe detit e ka bërë atë një udhëkryq për emigracionin dhe tregtinë.
Ijen është një nga vullkanet më aktive në sistemin e kalderës Ijen. Falë një fenomeni të rrallë, përqendrimet e larta të squfurit ngrihen nga krateri aktiv, përpara se të ndizen, ndërsa ndeshen me atmosferën e pasur me oksigjen. Ndërsa gazi digjet, ai formon një flakë blu, e cila është e dukshme vetëm gjatë natës.
Gjeopark Maros Pangkep, Indonezi
Ky gjeopark ndodhet përgjatë krahut jugor të ishullit Sulaëesi në Maros dhe Pangkep. Popullsia lokale përbëhet kryesisht nga popujt indigjenë të Bugis dhe Makassarese.
Ky arkipelag shtrihet në Trekëndëshin Koral dhe shërben si qendër për ruajtjen e ekosistemeve të shkëmbinjve koralorë. Zona daton më shumë se 100 milion vjet më parë.
Gjeopark Merangin Jambi, Indonezi
Ky gjeopark është shtëpia e fosileve unike të “Jambi flora”, të cilat sot janë të vetmet bimë të fosilizuara të ekspozuara të këtij lloji në botë. Emri ‘Jambi flora’ i referohet bimëve të fosilizuara, të gjetura si pjesë e një formacioni shkëmbor, që daton nga epoka e hershme Permian (296 milionë vjet më parë).
Fosilet përfshijnë myshqe, halorë primitivë dhe fier, të cilat riprodhohen nëpërmjet shpërndarjes së farës në vend të sporeve.
Gjeopark Raja Ampat, Indonezi
Territori i këtij gjeoparku përfshin katër ishuj kryesorë dhe shquhet për shkëmbin më të vjetër të ekspozuar në vend, i cili ka pothuajse një të dhjetën e moshës së Tokës.
Zhytësit dynden në zonë, të tërhequr nga bukuria e shpellave nënujore dhe biodiversiteti i jashtëzakonshëm detar. Ata mund të vëzhgojnë artin shkëmbor të gdhendur nga njerëzit parahistorikë, që populluan zonën disa mijëra vjet më parë.
Gjeopark Aras, Iran
Lumi Aras shënon kufirin verior të këtij gjeoparku, që ndodhet në Iranin veriperëndimor, në skajin jugor të vargmalit të Kaukazit të Vogël. Ky varg malor vepron si një pengesë natyrore.
Ka krijuar një sërë klimash, si dhe gjeodiversitet dhe biodiversitet të pasur; ai gjithashtu lidh kultura të ndryshme në anët veriore dhe jugore të zinxhirit malor.
Gjeopark Tabas, Iran
Shumë mendimtarë i janë referuar shkretëtirës 22,771 km2 në provincën veriperëndimore të Khorasanit Jugor, ku ndodhet ky gjeopark, si “parajsa gjeologjike e Iranit”. Kjo është për shkak se njeriu mund të ndjekë evolucionin e planetit, që nga pjesa më e hershme e historisë së Tokës 4.6 miliardë vjet më parë (Parakambrian), deri 145 milionë vjet më parë.
Aty ndodhet “Naybandan Wildlife Refuge”, habitati më i madh në Iran, ku strehohen kafshët e egra, me sipërfaqe 1.5 milionë hektarë.
Gjeopark Hakusan Tedorigawa, Japoni
I vendosur në Japoninë qendrore, ku ndjek lumin Tedori nga mali Hakusan deri në det, Gjeoparku Hakusan Tedorigawa regjistron afërsisht 300 milionë vjet histori. Ai përmban shkëmbinj të formuar nga përplasja e kontinenteve.
Gjithashtu, ka shtresa që përmbajnë fosile të dinosaurëve, të cilët janë grumbulluar në lumenj dhe liqene në tokë, në një kohë kur Japonia ishte e lidhur me kontinentin Euroaziatik.
Gjeopark Kinabalu, Malajzi
Mali Kinabalu dominon këtë gjeopark në shtetin Sabah në skajin verior të ishullit Borneo. Mali më i lartë, që shtrihet midis Himalajeve dhe Guinesë së Re, mali Kinabalu ka tërhequr eksploruesit për më shumë se një shekull.
Duke mbuluar një sipërfaqe prej 4,750 km2, gjeoparku është shtëpia e shumë bimëve dhe kafshëve endemike, duke përfshirë 90 lloje orkidesh, që ekzistojnë vetëm në malin Kinabalu, dhe thëllëzën me kokë të kuqe, që nuk gjendet askund tjetër në Tokë.
Gjeopark Waitaki Whitestone, Zelandë e Re
Gjeoparku i parë Global i UNESCO-s i Zelandës së Re, shtrihet në bregun lindor të South Island. Peizazhet, lumenjtë dhe baticat e këtij gjeoparku, kanë një rëndësi të madhe kulturore për popullsinë indigjene, Ngāi Tahu whānui.
Gjeoparku ofron njohuri të jashtëzakonshme në historinë e kontinentit të tetë të Tokës, Zelandia, ose Te Riu-a-Māui në Maori. Gjeoparku ofron dëshmi të formimit të Zelandës, e cila u shkëput nga superkontinenti i lashtë i Gondwana rreth 80 milionë vjet më parë.
Gjeopark Sunnhordland, Norvegji
Peizazhet në këtë gjeopark variojnë nga malet alpine të mbuluara me akull, deri te arkipelagët me mijëra ishuj, të vendosur në rrafshnaltën përgjatë bregut.
Peizazhi gjeologjik shfaq shembuj të erozionit akullnajor, që ka ndodhur gjatë 40 epokave të akullnajave.
Gjeoparku i Bregut Perëndimor të Jeonbuk, Republika e Koresë
Ky gjeopark tregon 2.5 miliardë vjet histori gjeologjike në pjesën perëndimore të vendit. Sipërfaqet e sheshta të mbushura me vullkane dhe ishuj, na lejojnë të udhëtojmë nëpër kohë për të bashkuar elementet e historisë së Tokës.
Jeonbuk West Coast është njohur nga UNESCO si pronë natyrore dhe kulturore e Trashëgimisë Botërore dhe si rezervë biosfere.
Gjeopark Cabo Ortegal, Spanjë
Bëj një udhëtim në brendësi të planetit tonë, duke zbuluar shkëmbinj që dolën nga thellësitë e Tokës pothuajse 400 milionë vjet më parë, në Cabo Ortegal. Ky gjeopark ofron disa nga provat më të plota në Europë, të përplasjes që shkaktoi krijimin e Pangea, një proces i njohur si Orogeny Variscan.
Shumica e shkëmbinjve në këtë gjeopark, dolën në sipërfaqe nga përplasja e dy kontinenteve, Laurussia dhe Gondëana, të cilat përfundimisht u bashkuan duke krijuar superkontinentin Pangea, rreth 350 milionë vjet më parë.
Gjeopark Khorat, Tajlandë
Ky gjeopark ndodhet kryesisht në pellgun e lumit LamTakhong, në skajin jugperëndimor të rrafshnaltës Khorat në provincën Nakhon Ratchasima në Tajlandën verilindore.
Tipari gjeologjik i rajonit është diversiteti dhe bollëku i fosileve, që datojnë nga 16 milion deri në 10,000 vjet më parë. Një gamë e madhe dinosaurësh dhe fosilesh të tjera kafshësh, si elefantët e lashtë, janë gjetur në rrethin Mueang.
Gjeopark Morne Gullion, Strangford, Mbretëria e Bashkuar
Ky gjeopark tregon historinë se si dy oqeane evoluan gjatë 400 milionë viteve histori gjeologjike. Ai përshkruan mbylljen e Oqeanit Iapetus dhe lindjen e pjesës veriore të oqeanit Atlantik, i cili gjeneroi sasi të mëdha shkëmbi (ose magme) të shkrirë, si brenda kores së Tokës ashtu edhe në sipërfaqe.
Gjeoparku ndodhet në juglindje të Irlandës së Veriut, ngjitur me kufirin me Republikën e Irlandës. / World Economic Forum