Union Bank do të realizojë këtë vit emetimin e dytë të obligacioneve me ofertë private.
Në fund të muajit Gusht, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratoi regjistrimin e akt-ofertës të shoqërisë për emetimin e obligacioneve.
Sipas burimeve nga tregu, obligacionet do të kenë një vlerë totale prej dy milionë eurosh, afat maturimi shtatëvjeçar dhe një kupon prej 3.3%. Ky do të jetë emetimi i dytë i obligacioneve me ofertë private nga ana e Union Bank, pas emetimit prej dy milionë eurosh të realizuar me sukses në fillim të vitit 2020.
Emetimi i obligacioneve me ofertë private po bëhet një praktikë gjithnjë e më e përdorur mes bankave tregtare në Shqipëri. Pas Credins Bank, Union Bank dhe Fibank, në muajin maj të këtij viti edhe Tirana Bank njoftoi realizimin me sukses të emetimit të parë, në vlerën e pesë milionë eurove.
Bankat po i përdorin këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të shtuar kapitalin rregullator. Me rritjen e madhësisë, bankat duhet të zmadhojnë paralelisht edhe kapitalin rregullator, për të respektuar raportet e mjaftueshmërisë së kapitalit që kërkon Banka e Shqipërisë. Pas vitit 2019, kërkesat për kapitalizim janë rritur, me miratimin edhe të shtesave makroprudenciale. Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh obligacionet si instrument i kapitalit rregullator të nivelit të dytë, me plotësimin e disa kushteve. Ajo parashikon që kapitali i nivelit të dytë mund të njihet si kapital rregullator deri në një masë sa 33.3% e kapitalit të nivelit të parë. Përdorimi i obligacioneve po fiton gjithnjë e më shumë konsideratë, duke u vlerësuar si një alternativë e mirë kundrejt injektimeve periodike të kapitalit nga aksionerët.
Mbështetur në të dhënat e AMF, portofoli i obligacioneve me ofertë private, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, në mesin e këtij viti arriti në 8.4 miliardë lekë ose rreth 69 milionë euro. Vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 5% që nga fillimi i vitit dhe 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Më shumë se gjysma e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj, nga të cilat 48.2% në euro dhe 6.4% në dollarë amerikanë. Edhe këtë vit po vërehet një rritje e mëtejshme e peshës së obligacioneve në valutë, që arritën në 54.6% të totalit, nga 50.5% që përbënin një vit më parë.
Në Shqipëri ato kanë nisur të përdoren duke filluar nga fundi i vitit 2011 dhe kryesisht emetues të këtyre instrumenteve kanë qenë bankat dhe institucionet financiare. Sipas ekspertëve, këto instrumente ofrojnë një sërë avantazhesh për investitorët, si diversifikimi dhe kthimi më i lartë krahasuar me alternativat e tjera të investimit financiar.
Me plotësimin e infrastukturës ligjore dhe teknike të bursës, tashmë emetimi i bligacioneve mund të bëhet edhe me ofertë publike. Kjo do t’i jepte mundësinë publikut të gjerë të investonte në këto insturmente, duke sjellë një alternativë të re investimi. Në formën e ofertës private, obligacionet mund të ofrohen tek një numër i kufizuar, prej deri 100 individësh, që duhet të kontaktohen privatisht nga emetuesi. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.