Union Bank dhe Federata Shqiptare e Futbollit nënshkruan marrëveshjen dy vjeçare (2016 – 2018) për rinovimin e kontratës së sponsorizimit për Kombëtaren Shqiptare.
Kjo ngjarje përkon edhe me 10-vjetorin e krijimit të Union Bank, si dhe me hedhjen në treg të produktit më të ri inovativ kartën e kreditit “Jam Kuq e Zi”, që mundëson edhe anëtarësimin automatik në klubin e tifozëve.
Union Bank dhe Federata Shqiptare e Futbollit nënshkruan marrëveshjen e sponsorizimit për periudhën 2016 – 2018, duke rikonfirmuar mbështetjen e nisur rreth 17 vjet më parë.
Kjo ngjarje lidhet edhe me një tjetër po kaq të rëndësishme siç është festimi i 10-vjetorit të themelimit të bankës me kapital tërësisht shqiptar. Union Bank, pjesë e Union Group do të vazhdojë të jetë bashkëudhëtare e Kombëtares Shqiptare të Futbollit edhe në pjesëmarrjen e saj në një ngjarje historike, siç është Kampionati Europian i Futbollit që zhvillohet në Francë ( Euro 2016).
Në fjalën e tij përshëndetëse zëvendëskryetari i Bordit Drejtues z.Niko Leka tha se Union Group ka qenë ndër iniciatorët e parë të mbështetjes financiare të Kombëtares përveçse asaj morale. “ Ky është një nga ato raste kur eskluzivitetin dëshirojmë ta ndajmë edhe me të tjerë pasi Kombëtarja është rritur aq shumë dhe tashmë nuk është më ajo Hirushja e vogël, por është bërë ‘Hirushja e Europës’. Ne shpresojmë që nga ky event sportiv të dalim me një rezultat sa më pozitiv. Është kënaqësi që ne jemi me më shumë miq që mbështesin Kombëtaren, duke dhënë më shumë shpresë në krahasim me vitet e mëparshme, në ngjarje që shkojnë përtej kufijve të Shqipërisë. Më duhet të falënderoj edhe Union Bank për produktet që ajo ka hedhur në treg. Përzgjedhja e këtij momenti nuk ka qenë rastësi. Përveçse t’i japim urimin dhe mbështetjen tonë kombëtares, të ofrojmë edhe produkte bankare që janë të lidhura me të, por edhe me të gjithë komunitetin e biznesit shqiptar”, tha z.Leka.
Rinovimi i marrëveshjes 2-vjeçare të sponsorizimit mes Union Bank dhe Federatës Shqiptare të Futbollit u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i bankës z.Gazment Kadriu dhe nga presidenti i FSHF-së z. Armand Duka. Për Union Bank, e cila ka në themel të saj bashkimin, ky vlerësohet si një moment i rëndësishëm në historinë e saj dhjetë vjeçare, pasi konfirmon mbështetjen për përgatitjen e Kombëtares, për pjesëmarrjen e saj në Euro 2016 që do të zhvillohet në Francë.
Presideti i FSHF-së z.Duka shprehu vlerësimin e tij për vazhdimin e traditës me sponsorin e parë të Kombëtares, Union Group. “ Jo vetëm në ditë të mira, por edhe të vështira ky grup i ka qëndruar pranë futbollit, e ka mbështetur atë dhe e ka ndihmuar të rritet. Ne jemi përpara eventit më të rëndësishëm të historisë së futbollit shqiptar, siç është Kampionati Europian i Futbollit. Ne duam të garantojmë, jo vetëm sponsorin tonë Union Group, por edhe të gjithë shqiptarët se Kombëtarja do të japë zemrën e saj për të arritur më të mirën. Pritshmëritë nuk mund të jenë shumë të mëdha edhe pse shumë shqiptarë presin që ne të dalim kampionë të Europës, por kjo është një gjë e vështirë.
Union Bank ka qenë pranë Kombëtares dhe tifozëve të saj me produktet dhe për këtë i shkon një falënderim i veçantë”, tha z.Duka.
Gjatë eventit, në praninë e përfaqësuesve më të lartë të FSHF-së, Union Group, klientëve besnike, si dhe përfaqësueve të medias u prezantua edhe produkti më i ri i Union Bank, “Jam Kuq e Zi” e cila është një kartë krediti Master Card ( në euro) që ofron ndër të tjerash edhe anëtarësimin automatik në klubin e Tifozëve të Kombëtares pranë FSHF-së.
Drejtori i Retail-it pranë Union Bank Redi Mërtiri gjatë prezantimit të këtij produkti inovativ për tregun shqiptar tha: “Master card ‘Kuq e Zi’ është produkti që më së miri plotëson nevojat financiare të publikit dhe vjen në momentin e duhur, kjo sepse të gjithë shqiptarët tashmë i kanë drejtuar sytë nga Kombëtarja dhe rrugëtimi i saj drejt France 2016. Kjo kartë është krijuar për të mishëruar më së miri elementët e Kombëtares, duke filluar nga ngjyrat, te simboli i shqiponjës i krijuar nga duart që tashmë është kthyer në një trend që po përdoret gjerësisht. Logoja zyrtare e FSHF-së i shton seriozitetin kësaj karte e cila jo pa qëllim është quajtur ‘Jam Kuq e Zi’. Kjo kartë gjithashtu ka edhe avantazhe financiare pasi ofron komisionet më të mira në tregun bankar, zero komision për përdorimin brenda dhe jashtë vendit. Mund të zgjidhni ta paguani me këste apo me një shumë të vetme duke ju dhënë mundësi të kurseni. Aplikimi për të mund të bëhet në 24 orë në 24 në 7 ditë të javës, si pranë Union Bank, ashtu edhe në faqen e Federatës. Karta do t’iu mundësohet brenda 48-orëve. Lidhja me FSHF-në nuk ka të bëjë vetëm me vendosjen e logos, por edhe me ofrimin e një sërë shërbimeve të tjera mbështetëse, siç është anëtarësimi automatik në Klubin e Tifozëve të Kombëtares të Futbollit, kjo nënkupton bileta të garantuara, çmime të favorshme, përfitime të tjera në dyqanet e Federatës, si dhe në ato të partnerëve etj”, tha z.Mërtiri.
Një tjetër risi që u prezantua në këtë event ishte edhe ai i spotit televiziv të konceptuar nga Union Bank. “Të Djegun për një Kampionat” është quajtur ky spot i cili elaboron në pak minuta imazhe historinë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë futbollistët të cilët u përpoqën ndër vite me pasion, por edhe ata të cilët sot përfaqësojnë Shqipërinë, që ëndërruan dhe arritën të jenë pjesë e një kompeticioni kaq të rëndësishëm.
“Të Djegun për një Kampionat”, është një gjetje që merr shkak nga titulli i gazetës së sportit të vitit 1946 për ndeshjen e parë në kampionatin ballkanik. Ai do të shërbejë si lajtmotiv i një epoke të re, të hapur për Kombëtaren tonë. Koncepti u prezantua nga ideatori dhe realizuesi i spotit drejtuesi i agjencisë së reklamave Adrian Ruci, si dhe nga drejori i Shitjeve në Union Bank Ardian Petollari.
Union Bank do të vazhdojë të mbështesë futbollin shqiptar dhe skuadrën Kuq e Zi, me qëllim që ndjesinë e krenarisë dhe patriotizmit që të gjithë po përjetojmë sot ta përcjellim edhe te brezat e rinj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.