Universiteti është renditur në vendin e 22-të në nivel ndërkombëtar, krahasuar me vendin e 43-të në vitin 2020, duke u konfirmuar si universiteti i dytë në botë dhe i pari në Itali, në kategorinë “Energjia dhe Ndryshimet Klimatike”.
Një vështrim i përgjithshëm: Luiss është një universitet ndërkombëtar, i specializuar në fushën e shkencave sociale, që ofron një mjedis të larmishëm mësimor, bazuar në sipërmarrje, përgjegjësi dhe qëndrueshmëri. Luiss është një universitet me kategorizim të shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, siç pasqyrohet edhe në renditjen botërore nga QS World Rankings, e cila e renditi universitetin mes 50 universiteteve më të mira në fushën e politikës dhe studimeve ndërkombëtare.
Që nga themelimi i tij, universiteti ka zhvilluar marrëdhënie të shkëlqyera me komunitetin e biznesit, nëpërmjet lidhjes me Confindustria (Konfederatën e Përgjithshme të Industrisë Italiane) si dhe me studiot ligjore, institucionet qeveritare dhe shoqërinë civile.
Luiss ka marrëdhënie të veçanta edhe me institucionet Europiane dhe Italiane, falë anëtarëve të shumtë të fakultetit që kanë shërbyer në këto institucione. Modeli i tij arsimor kombinon standardet e larta akademike me punën praktike, duke u përqendruar në kërkimin, përvojën dhe zgjidhjen e problemeve.
Qasja e të mësuarit në Universitetin Luiss: Është thelbësore të theksohet se qasja e të mësuarit në Universitetin Luiss përqendrohet në ndërdisiplinaritetin, me pikëpamjen se sfidat nuk mund të trajtohen duke përdorur vetëm mjetet e një disipline të vetme. Kjo i pajisë studentët me një vizion gjithëpërfshirës për zgjidhjen e problemeve, në një peizazh biznesi gjithnjë e më kompleks. Ky kombinim i bazuar në projekte dhe kërkime, në punën në ekip dhe ritmin studentor, si sinkron ashtu edhe asinkron, e bën përvojën e të mësuarit në Universitetin Luiss tërësisht unike.
Andrea Prencipe, rektor, Universiteti Luiss
“Me metodën on-live, ne kemi transformuar në mënyrë dramatike kuptimin e programeve të arsimit të lartë të ofruar me teknologji dixhitale – studentët do të luajnë një rol aktiv në programin tonë, me të gjitha përparësitë e arsimit online. Përvoja e të mësuarit është unike dhe gjithëpërfshirëse”.
Hulumtimi në Luiss. Shifrat e Luiss konfirmojnë cilësinë e lartë të ofertave arsimore dhe anëtarëve të stafit. Në vitin 2020, u pubikuan 58 botime ndërkombëtare dhe u fituan 14 grante. Luiss ka 83 partneritete ndërkombëtare dhe krenohet me 19 qendra kërkimore, observatorë dhe laboratorë, përmes të cilëve, universiteti kryen kërkime në shkencat sociale, në fushat: ekonomi, histori, shkenca politike, sociologji, teori politike, teoritë e qeverisjes si dhe organizatat publike, ligjore dhe të menaxhimit.
Luiss në nivel ndërkombëtar: Anëtarët e fakultetit vijnë nga 15 shtete të ndryshme dhe fakulteti përbëhet nga një përzierje dinamike e profesorëve akademik dhe praktikantëve, si drejtues, diplomatë dhe përfaqësues nga administrata publike. Rektori i universitetit, Andrea Prencipe, thotë se ky grup i larmishëm pedagogësh ka zhvilluar një model i cili u mëson studentëve të formësojnë të ardhmen e tyre, duke përballuar kompleksitetin e një epoke post-pandemike dhe dixhitale.
Reputacioni global i universitetit demonstrohet gjithashtu në komunitetin mbresëlënës të të diplomuarve që punojnë në sektorë të ndryshëm në të gjithë botën, si dhe në popullatën e tij studentore, e cila përbëhet nga 85 kombësi. Me mbi 300 marrëveshje me më shumë se 60 shtete në të gjithë botën, Luiss është i përkushtuar të vazhdojë me zhvillimin e tij global për t’u ofruar studentëve mundësinë për të punuar në një mjedis të pasur dhe të larmishëm pas përfundimit të arsimit të tyre.
Në të katër departamentet e tij të Ekonomisë dhe Financës, Biznesit dhe Menaxhimit, Ligjit dhe Shkencave Politike, Universiteti privat Luiss ofron një qasje inovative arsimore, e cila po fiton gjithnjë e më shumë njohje ndërkombëtare. Kjo pasqyrohet në renditjen e universiteteve botërore nga QS World University Rankings, e cila e renditi atë mes 50 universiteteve më të mira në fushën e Politikës dhe Studimeve Ndërkombëtare.
Programet dixhitale në Luiss: Luiss nisi një sërë programesh të reja online, të njohura si “on-live”. Rektori Andrea Prencipe thotë se programet do të revolucionarizojnë mësimin online, pasi ndryshe nga kurset e zakonshme në internet, përvoja “on-live” nuk do të jetë e izoluar, por e bazuar në punën në ekip dhe vendos në qendër studentët. Çelësi i metodës on-live është puna në grup dhe një përzierje e teknikave të mësimdhënies sinkrone dhe asinkrone, që mundësojnë fleksibilitet dhe përputhshmëri me angazhimet e tjera gjatë marrjes së vazhdueshme të vlerësimit. Në këtë qasje të dyfishtë, profesorët, praktikuesit dhe studentët, mund të punojnë në kohë reale, por edhe të kenë mundësinë të përvetësojnë përmbajtjen nga modelet asinkrone, sipas kohës së tyre. Si pjesë e përvojës on-live, studentët do të mund të marrin pjesë edhe në praktika virtuale.
Ndërtesa historike e Universitetit Luiss: Luiss nuk njihet vetëm për përsosmërinë arsimore, por edhe për bukurinë e tij fizike. Roma, qyteti ku ndodhet universiteti, konsiderohet edhe si Qyteti i Përjetshëm, me një histori 28 shekullore që nga themelimi i saj në vitin 753 para Krishtit, duke e bërë atë një mrekulli historike. Qyteti ka gjithashtu lidhje të shkëlqyera udhëtimi, klimë të butë mesdhetare dhe energji intensive urbane. Roma konsiderohet si një qytet i sigurt për të jetuar, veçanërisht në zonat përreth Universitetit Luiss, dhe banorët e qytetit njihen për stilin e tyre të veshjes, dashurinë për futbollin dhe kuzhinën me famë botërore, me restorante dhe kafene të shkëlqyera që mund t’i gjeni në çdo cep të qytetit. Arkitektura e ndërtesave të universitetit pasqyron lëvizje të ndryshme në historinë artistike të Romës dhe ndërtesat janë të rrethuara nga kopshte të bukura që ofrojnë një oazë në këtë kryeqytet të ngarkuar. Kjo veçanti fizike po interpretohet edhe virtualisht, për të ofruar një qasje humaniste ndaj epokës dixhitale të arsimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.