Për periudhat raportuese që nisin nga 1 janari 2023 e në vijim do të zbatohen standardet ndërkombëtare ndryshuara të kontabilitetit për tatimin mbi të ardhurat.
Urdhri i Ministrisë së Financave për shpalljen e ndryshimeve në Standardin Ndërkombëtar të Kontabilitetit (SNK) 12 “Tatimi mbi të ardhurat” u botua në Fletoren Zyrtare dhe hyn menjëherë në fuqi.
“Njësia ekonomike do të: a) zbatojë paragrafët 4A dhe 88A menjëherë pas publikimit të këtyre ndryshimeve dhe në retrospektivë në përputhje me SNK8; dhe b) zbatojë paragrafët 88B–88D për periudhat vjetore raportuese që fillojnë më 1 janar 2023 e në vijim. Nuk kërkohet që njësia ekonomike të japë informacionet shpjeguese të kërkuara nga këta paragrafë për periudha të ndërmjetme, që përfundojnë më 31 dhjetor 2023 apo më parë”, citohet në urdhër.
Sipas kontabilistëve standardet e hartuara nga Bordi i Standardeve Kontabël Ndërkombëtarë dhe të përkthyera në shqip, nën përgjegjësinë e Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, pa ndryshime nga teksti origjinal në gjuhën angleze, shpallen nga Ministri i Financave dhe zbatohen detyrimisht: a) nga shoqëritë e listuara në një bursë zyrtare letrash me vlerë dhe filialet e tyre, subjekt i konsolidimit të llogarive; b) nga bankat e nivelit të dytë, institucionet financiare, të ngjashme me bankat, shoqëritë e sigurimeve dhe të risigurimeve, fondet e letrave me vlerë dhe të gjitha shoqëritë e licencuara për të kryer veprimtari investimi në letrat me vlerë, edhe kur ato nuk janë të listuara në një bursë zyrtare letrash me vlerë; c) nga njësi ekonomike të tjera të mëdha, të palistuara në një bursë zyrtare letrash me vlerë, kur ato tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për të ardhurat vjetore dhe numrin e të punësuarve.
Reforma Tatimore Ndërkombëtare—Modeli i Rregullave të Shtyllës së Dytë
Ndryshime në SNK 12
Ndryshime në SNK 12 Tatimet mbi të ardhurat
Janë shtuar paragrafët 4A, 88A–88D (përfshirë titujt përkatës dhe shembulli pas paragrafit 88D) dhe 98M.
Objekti
…
4.A Ky Standard zbatohet për tatimet mbi të ardhurat që rrjedhin nga legjislacioni tatimor i miratuar ose pothuajse i miratuar për zbatimin e modelit të rregullave të Shtyllës së Dytë të publikuar nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OBZHE), duke përfshirë legjislacionin tatimor që zbaton tatime plotësuese minimale kombëtare të përshkruara në ato rregulla. Ky legjislacion tatimor dhe tatimet mbi të ardhurat që rrjedhin prej tij, cilësohen këtu e në vijim si ‘Legjislacioni i Shtyllës së Dytë’ dhe ‘Tatimet mbi të ardhurat e Shtyllës së Dytë’. Njësia ekonomike nuk do të njohë dhe nuk do të japë informacion shpjegues mbi aktivet dhe detyrimet për tatime të shtyra të lidhura me legjislacionin e Shtyllës së Dytë, si përjashtim nga kërkesat e këtij Standardi.
Dhënia e informacioneve shpjeguese
Reforma tatimore ndërkombëtare—modeli i rregullave të Shtyllës së Dytë 88A Njësia ekonomike duhet të paraqesë që ka zbatuar përjashtimin në njohjen dhe dhënien e informacioneve shpjeguese mbi aktivet dhe detyrimet për tatime të shtyra të lidhura me tatimet mbi të ardhurat e Shtyllës së Dytë (shih paragrafin 4A).
88B Njësia ekonomike duhet të paraqesë veçmas shpenzimet (të ardhurat) aktuale tatimore të saj lidhur me tatimet mbi të ardhurat e Shtyllës së Dytë. 88C Në periudhat kur legjislacioni i Shtyllës së Dytë është i miratuar ose thuajse i miratuar por jo ende në fuqi, njësia ekonomike duhet të japë informacion shpjegues të njohur ose të vlerësuar në mënyrë të arsyeshme, që ndihmon përdoruesit e pasqyrave financiare të kuptojnë ekspozimin e njësisë ekonomike ndaj tatimeve mbi të ardhurat e Shtyllës së Dytë, pasojë e atij legjislacioni.
88D Për të plotësuar objektivin e paraqitjes në paragrafin 88C, njësia ekonomike duhet të japë informacion shpjegues cilësor dhe sasior mbi ekspozimin e saj ndaj tatimeve mbi të ardhurat e Shtyllës së Dytë në fund të periudhës raportuese. Ky informacion mund të mos pasqyrojë të gjitha kërkesat
specifike të legjislacionit të Shtyllës së Dytë dhe mund të jepet në formën e një intervali tregues. Në masën që informacioni nuk është i njohur apo i vlerësuar në mënyrë të arsyeshme, njësia ekonomike duhet të deklarojë atë efekt dhe të japë informacion shpjegues në lidhje me progresin e njësisë ekonomike në vlerësimin e ekspozimit të saj.
Shembuj që ilustrojnë paragrafët 88C–88D
Shembuj të informacionit që njësia ekonomike mund të paraqesë në plotësim të objektivit dhe kërkesave në paragrafët 88C–88D përfshijnë: (a) informacionin cilësor si informacionin sesi njësia ekonomike është ndikuar nga legjislacioni i Shtyllës së Dytë dhe juridiksionet kryesore në të cilat mund të ekzistojnë ekspozimet ndaj tatimeve mbi të ardhurat e Shtyllës së Dytë; dhe (b) informacionin sasior të tillë si:(i) një tregues i pjesës së fitimeve të njësisë ekonomike, që mund të jenë objekt i tatimeve mbi të ardhurat e Shtyllës së Dytë dhe normën mesatare efektive tatimore të zbatueshme mbi këto fitime; ose (ii) një tregues sesi norma mesatare efektive tatimore e njësisë ekonomike do të ndryshonte nëse legjislacioni i Shtyllës së Dytë do të ishte në fuqi.
Data e hyrjes në fuqi
98M Reforma Tatimore Ndërkombëtare—Modeli i Rregullave të Shtyllës së Dytë, i publikuar në maj 2023, shtoi paragrafët 4A dhe 88A–88D. Njësia ekonomike do të:(a) zbatojë paragrafët 4A dhe 88A menjëherë pas publikimit të këtyre ndryshimeve dhe në retrospektivë në përputhje me SNK8; dhe (b) zbatojë paragrafët 88B–88D për periudhat vjetore raportuese që fillojnë më 1 janar 2023 e në vijim.
Nuk kërkohet që njësia ekonomike të japë informacionet shpjeguese të kërkuara nga këta paragrafë për periudha të ndërmjetme, që përfundojnë më 31 dhjetor 2023 apo më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.