Ndryshohen rregullat e sigurisë në fermat e mbarështimit të kafshëve dhe të shpendëve me qëllim parandalimin e përhapjeve të sëmundjeve infektive.
Me urdhër të Ministrisë të Bujqësisë fermat e kafshëve dhe të shpendëve duhet të jenë të izoluara edhe larg zonave të banuara.
Me qëllim shmangien e përhapjes të infeksioneve urdhri i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se kafshët e importuara apo të blera nga ferma private dhe tregje duhen të vendosen në izolim (karantinë) të paktën për dy javë dhe të kryhet monitorimi nga afër i shëndeti të tyre, nëse është e mundur t’u nënshtrohen edhe analizave laboratorike.
Punonjësit e fermave sipas urdhrit të Ministrisë të Bujqësisë duhet të jenë të pajisur me veshjet mbrojtëse dhe në hyrje të çdo ferme duhet të ndërtohet vaska e dizinfektimit të mjeteve. Sakaq fermat e mëdha duhet të jenë të pajisur me regjistër për vizitorët që nënshkruajnë hyrje-daljet dhe të zbatojnë rregullat për veshjet mbrojtëse.
Urdhri i Ministrisë të Bujqësisë
Vendndodhja e fermës
Fermat e kafshëve dhe të shpendëve duhet të kenë vendndodhje të përshtatshme dhe të izoluar gjeografike. Faktorët që duhet të merren në konsideratë janë largësitë midis fermave të njëjta ose të ndryshme, largësitë nga qendrat e banuara dhe distancat nga rrugët e përdorura për qëllime transporti. Ndërtesat e stallave duhet të ndërtohen në mënyrë të tillë që të sigurojnë kullimin adekuat të vendit.
Personeli
Punonjësit e fermës, mjekët veterinarë dhe të gjithë personat e tjerë, duhet të jenë të pajisur me veshjen e MMP-së – mjetet mbrojtëse personale, të nevojshme gjatë gjithë kohës. Personeli nuk duhet të ketë kontakte të kohëve të fundit me kafshë nga ferma të tjera, mbeturina të kafshëve ose fabrikat të përpunimit të kafshëve. Kjo periudhë kohore duhet të bazohet në nivelin e rrezikut të transmetimit të agjentëve infektivë. Kjo do të varet nga qëllimi i prodhimit, procedurat e biosigurisë dhe statusi i infeksionit.
Vizitorët
Në hyrje të fermës duhet të funksionojë vaska e dezinfektimit të mjeteve. Vaskat e dezinfektimit në hyrje të fermës, të jenë funksionale dhe të përdoren domosdoshmërish nga të gjithë vizitorët. Në fermat e mëdha dhe me sistem të lartë biosigurie, vizitorët nënshkruajnë në një regjistër të hyrje-daljeve dhe të zbatojnë rigorozisht radhën e veshjes dhe zhveshjes së MMP-së dhe mbajtja e tyre gjatë gjithë kohës që ata qëndrojnë në fermë.
Origjina e kafshëve dhe statusi i tyre shëndetësor
Kafshët e fermave gjithmonë duhet të blihen nga tufa të shëndetshme dhe të pastra. Kafshët e importuara apo të blera nga ferma private apo tregje duhen të vendosen në izolim (karantinë) të paktën për dy javë dhe të kryhet monitorimi nga afër i shëndeti të tyre, nëse është e mundur t’u nënshtrohen edhe analizave laboratorike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.