E PERDITESUAR. Kryeministri Edi Rama dhe Guvernatori Gent Sejko kanë firmosur sot urdhrin për shtyrjen e afatit të pagimit të kësteve të kredisë për bizneset dhe individët deri në datën 31.05.2020 për të gjithë ata kredimarrës, të cilët janë përballur me vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19.
Sipas urdhrit, Kredimarrësit duhet të komunikojnë me kredidhënësit (banka, institucione financiare jobanka apo me shoqëritë e kursim-kredive) duke u argumentuar këtyre të fundit arsyet mbi nevojat e tyre për shtyrje të pagimit të kësteve. Institucionet e kreditimit do të bëjnë procesimin e çdo kërkese të paraqitur pranë tyre brenda 3 ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
Në urdhër thuhet:
Në bazë dhe për zbatim të nenit 102, pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”: ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 12, shkronja “a”, neni 53, pika 4; Statutit të Bankës së Shqipërisë miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nr. 90, date 2.12.2015, neni 11, pika 6; Kryeministri i Shqipërisë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë urdhërojnë:
- Të shtyhet afati i pagimit të kësteve të kredisë për bizneset dhe individët deri në datën 31.05.2020 për të gjithë ata kredimarrës, të cilët janë përballur me vështirësi në këtë periudhë si pasojë e COVID-19;
- Kredimarrësit duhet të komunikojnë me kredidhënësit (banka, institucione financiare jobanka apo me shoqëritë e kursim-kredive) duke u argumentuar këtyre të fundit arsyet mbi nevojat e tyre për shtyrje të pagimit të kësteve;
- Institucionet e kreditimit do të bëjnë procesimin e çdo kërkese të paraqitur pranë tyre brenda 3 ditëve nga data e marrjes së kërkesës;
- Me zbatimin e këtij urdhri ngarkohen të gjitha institucionet e kreditimit të licencuara
Bankat kishin filluar tashmë të kontaktonin me klientët
Bankierët pohojnë se bankat ishin vënë në lëvizje duke kontaktuar klientet e tyre pas Vendimit të marrë nga Banka e Shqipërisë pak ditë më parë për të krijuar kushtet e flexibilitetin në marrëdhëniet e tyre me klientët.
Afati 3 ditor do të mund të krijojë ngarkesë edhe me të madhe këto 3 ditët e ardhshme, kur Bankat edhe pa këtë ngarkesë janë në një regjim emergjence me degë të reduktuara dhe me staf të reduktuar për të ruajtur stafin e tyre nga ekspozimi dhe nga kontakti me persona të pakontrolluar!
Për këtë arsye, këto ditë masivisht një pjesë e mirë e bankave, po promovojnë fort shërbimet online dhe kontaktet në distancë edhe për këtë komunikim, në mënyrë qe te evitohen kontakte fizike dhe ekspozim të stafit ndaj rrezikut të Coronavirusit!
Nga burime të brendshme të sistemit Bankar, mësohet se nesër shumë nga Bankat do të komunikojnë platformat online apo adresat elektronike ku klientet do të mund të aplikojnë për shtyrje të pagesave të kestet për tremujorin ne vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.