Urdhri/ Kushtet teknike që duhet të plotësojnë në ushtrimin e veprimtarisë, për 1 vit përmbaruesit privatë

10/06/2021 12:58 PM 0 komente

Që nga sipërfaqja e zyrës që nuk mund të jetë më e vogël se 20 m2, detyrimi për vendosjen e tabelës për biznesin dhe deri te afishimi i tarifave do të jenë disa nga kushtet minimale teknike që duhet të përmbushin për ushtrimin e aktivitetit përmbaruesit privat gjyqësorë.

Urdhri i ministrisë së Drejtësisë, i botuar në Fletoren Zyrtare ngarkon të gjithë përmbaruesit gjyqësorë privatë të marrin masat dhe të plotësojnë kushtet e parashikuara 1 vit nga hyrja në fuqi e tij.

Në rast të moszbatimit të rregullave ndaj zyrave private të përmbaruesve do të merren masa disiplinore.

Urdhri për rregullat dhe kushtet e infrastrukturës së zyrës ku ushtrojnë aktivitetin përmbaruesit fillimisht përcakton se zyra duhet të ketë adresë të saktë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për sistemin e adresave dhe duhet t’i njoftohet me shkrim Ministrisë së Drejtësisë, sipas afateve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat.

Sakaq, përmbaruesi e ka të ndaluar të nuk të përdorë të njëjtën hapësirë zyre me një avokat, studio avokatie, noter ose ndonjë person tjetër fizik ose juridik, gjatë ushtrimit të funksionit të tij.

 

Urdhri i Ministrisë së Drejtësisë

-Zyra e përmbaruesit gjyqësor privat duhet të jetë me sipërfaqe të mjaftueshme për të lejuar ushtrimin normal të veprimtarisë së tij. Në rastet kur përmbaruesi gjyqësor privat ushtron veprimtarinë në zyrën përmbarimore i vetëm, sipërfaqja e shfrytëzueshme e zyrës nuk mund të jetë më e vogël se 20 m2 . Në rastet kur dy ose më shumë përmbarues gjyqësorë privatë ushtrojnë veprimtarinë në një zyrë përmbarimore, sipërfaqja e shfrytëzueshme e zyrës nuk mund të jetë më e vogël 40 m2 . Në rast se, së bashku me përmbaruesin gjyqësor privat, në të njëjtën zyrë përmbarimore ushtrojnë veprimtarinë edhe kandidat përmbaruesi, ndihmës përmbaruesi apo çdo person tjetër i punësuar nga përmbaruesi, sipërfaqja e shfrytëzueshme e zyrës përmbarimore, sipas përcaktimit të mësipërm, shtohet me 4 metra për katrorë për çdo person që ushtron veprimtarinë me kohë të plotë në këtë zyrë.

-Zyra e përmbaruesit gjyqësor privat duhet të jetë e pajisur me ndriçimin e duhur, si dhe e organizuar në mënyrë të tillë që ndihmon mbrojtjen e dokumentacionit nga ndikimi i agjentëve atmosferikë (lagështia, pluhuri, dielli etj.) dhe nga zjarri.

-Zyra e përmbaruesit gjyqësor privat nuk mund të ndodhet pranë objekteve që paraqesin rrezikshmëri për rënien e zjarrit (magazina me lëndë plasëse, djegëse, pika karburanti etj.) dhe dëmtimin e dokumentacionit. Distanca e zyrës nga këto objekte nuk mund të jetë më e vogël se 50 metra, kur mes tyre nuk ka objekte të tjera dhe në çdo rast jo më e vogël se 20 metra.

-Zyra e përmbaruesit gjyqësor privat duhet të jetë e pajisur me ndriçim të mjaftueshëm për të siguruar kryerjen normale të veprimtarisë, me mjete shkrimi, si: makinë ose kompjuter, me tavolinë të përshtatshme, karrige të përshtatshme pune, me rafte për mbajtjen dhe për ruajtjen e dokumentacionit arkivor dhe regjistrave, si dhe, kur është e mundur, me kasafortë e pajisje të tjera komunikimi e shtypshkrimi (telefon, faks, fotokopje etj.), të përshtatshme për kryerjen e veprimtarisë.

-Në fasadën e zyrës së përmbaruesit gjyqësor privat vendoset një tabelë e përmasave 0,6×1 metra, në të cilën shënohet emri e mbiemri i përmbaruesit gjyqësor privat dhe sipas dëshirës, adresa e zyrës dhe numri i kontaktit. Nëse një ose disa përmbarues gjyqësorë privatë organizohen në një zyrë përmbarimi privat, në tabelë shënohet emërtimi “Zyrë e Përmbarimit Privat”. Tabela mund të jetë e thjeshtë ose me ndriçim.

-Për çdo zyrë nuk mund të ketë më shumë se një tabelë, e cila është unike për të gjitha zyrat. Tabela duhet të ketë përmasat dhe mbishkrimet e mësipërme, për të gjitha zyrat dhe nuk mund të vendoset në një vend të ndryshëm nga fasada e zyrës.

-Përmbaruesi gjyqësor privat nuk mund të reklamojë me shkrim apo në forma të ndryshme në tabela, në muret e zyrës ose në afërsi të saj, si dhe në xhamat e portës apo të dritareve ofrimin prej tij të shërbimeve të tjera, përveç atyre të parashikuara në legjislacion në fuqi.

-Përmbaruesi gjyqësor privat mund të reklamojë publikisht veprimtarinë e tij, por pa cenuar konkurrencën e ndershme dhe praktikat e ligjshme tregtare.

-Brenda mjediseve të zyrës, në një vend të dukshëm ku mund të lexohen lehtë nga klientët, përmbaruesi gjyqësor privat është i detyruar të afishojë listën e tarifave, të miratuara nga ministri. Lista e tarifave duhet të jetë e nënshkruar nga ministri dhe me vulën e Ministrisë ose, kur është e botuar në Fletoren Zyrtare, të jetë fotokopje e kësaj të fundit. Gjithashtu, në mjediset e zyrës, në vend të dukshëm, vendosen licenca e ushtrimit të veprimtarisë dhe kopja e certifikatës së regjistrimit në regjistrin tregtar si person fizik ose juridik.

-Përmbaruesi gjyqësor privat, brenda 10 (dhjetë) ditëve njofton Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore për Çështjet e Drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë, për ndërrimin e zyrës së përmbaruesit gjyqësor privat.

-Mosplotësimi i rregullave të parashikuara në këtë urdhër përbën shkak për ecurinë disiplinore, në zbatim të ligjit nr. 26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”./ D.Azo

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of