Shqipëria do të kërkojë të përfitojë nga gazi që do të transportohet nga Azerbajxhani një sasi të përafërt me atë që synohet të jetë kërkesa e vendit për konsum në vitin 2020. E drejta ekskluzive, sipas marrëveshjeve paraprake, për të prenotuar rezervat e gazit, i takon kompanisë shtetërore “Albpetrol” dhe ajo ka artikuluar shifrën 1.2 miliardë metër kub
Si një nga tre vendet nga ku do të kalojnë tubacionet e gazit që do të prodhohet nga fushat e Shah Deniz e do të transportohen drejt Europës, Shqipëria tashmë ka artikuluar nevojën e saj për gazin që do të duhet të mbetet brenda territorit të vendit. Ekspertët kanë deklaruar se kërkesa për gaz në Shqipëri, në vitin 2020, do të jetë nga 1.3 miliardë metër kub në 1.5 miliardë metër kub. Pikërisht në mbledhjen e Komitetit Ndërministerial të ngritur për mbarëvajtjen dhe zbatimin e projektit TAP, e që drejtohet nga ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, u bë e ditur se nga faza e parë e analizimit të rezervimit të kapaciteteve, shoqëria e gazit dhe e naftës me kapital shtetëror “Albpetrol” (e cila gëzon të drejtën ekskluzive) realizoi një prenotim të kapaciteteve të gazit natyror, në kuadër edhe të projektit të gazifikimit të Shqipërisë.
Gjatë mbledhjes u bë e ditur se “Albpetrol” ka aplikuar për të rezervuar një sasi prej 1.2 bcm/vit (miliardë metër kub) gaz natyror, duke pasur parasysh se kërkesa e Shqipërisë për furnizim me gaz natyror nga viti 2020 (lidhja me rrjetin rajonal të gazit), do të jetë afërsisht në këto nivele. Por, siç bëjnë të ditur edhe burimet zyrtare të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në bazë të rezultateve të masterplanit do të realizohet edhe një panoramë më e qartë sesi do të procedohet me gazin natyror dhe me kapacitetet e rezervuara në këtë gazsjellës.
Ndërkohë, aplikimi i kompanisë “Albpetrol sh.a.” për rezervimin e kapaciteteve në gazsjellës do të shqyrtohet nga kompania TAP AG në përputhje me metodologjinë dhe procedurat që përcaktohen në procesin e vlerësimit të aplikimeve. Po me projektin TAP, qeveria shqiptare po bëhet gati të nënshkruajë edhe dy marrëveshjeve që kanë të bëjnë me angazhimin për zhvillimin e tregut të gazit dhe përfitimet e vendit.
E njëjta procedurë do të zbatohet edhe nga ana e Greqisë, vendit tjetër që do të përfitojë sasi gazi nga ajo që do të kalojë nga tubacionet e TAP. Të dhënat e fundit tregojnë se kërkesa e Greqisë për gaz në vitin 2020 do të jetë në rreth 8.1 miliardë metër kub, një shifër kjo shumë herë më e lartë se e Shqipërisë, e si rrjedhim edhe rezervimet e fqinjit do të jenë në kuota më të larta. Aktualisht, Greqia i mbulon nevojat e saj me gaz vetëm nëpërmjet importit, ku mbi 50% e sasisë sigurohet nga Rusia dhe pjesa tjetër nga Algjeria dhe Turqia. Gazi është futur në tregun grek në vitin 1997, me qëllim përdorimin si alternativë dhe reduktimin e përdorimit të naftës.
Po në lidhje me projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, qeveria shqiptare parashikon edhe krijimin e një komisioni të posaçëm për menaxhimin e çështjes së blerjes/marrjes me qira të tokës ku do të kalojnë rrugët hyrëse të projektit TAP.
TAP do të realizojë disa parainvestime në Shqipëri që kanë të bëjnë me infrastrukturën pritëse të tubacionit e që janë kryesisht rrugë dhe ura, sepse vendi ka terren të thyer malor. Më pas do të vazhdohet me procesin e servitutit dhe blerjes së tokës, duke qenë se janë identifikuar si pronarët ashtu edhe përdoruesit që në total janë rreth 50,000, me të cilët do të arrihen edhe marrëveshjet në mënyrë që gjithçka të jetë gati për fillimin e punimeve.
Parashikohet që ndërtimi i gazsjellësit TAP të nisë në fillim të vitit 2018, ndërsa gazi do të mbërrijë në kufirin turko-grek një vit më vonë.
Në Shqipëri, investimet për infrastrukturën mbështetëse për zbatimin e projektit në Shqipëri do të prekin tre qarqe: Korçën, Beratin dhe Fierin. Në këto zona, kompania ka planifikuar se do të ndërtojë ose rehabilitojë mbi 80 kilometra rrugë, përfshirë edhe akset kombëtare, të cilat do të bëjnë të mundur transportimin e makinerive të rënda që do të përdoren për ndërtimin e gazsjellësit. Investimet parashikojnë edhe ndërhyrjet në një sërë veprash arti, kryesisht urat, me qëllim që të përballojnë tonazhin e makinerive ndërtuese. Ndërtimi i tij do të prekë rreth 23,250 parcela, nga shpronësimi i të cilave do të përfitojnë rreth 55 mijë banorë. Me miratimin nga Këshilli Kombëtar i Territorit të “lejes zhvillimore komplekse të përgjithshme” për punimet ndërtimore, projektit TAP i është hapur rruga për vazhdimin e procesit për ndërtimin e rrugëve hyrëse, që përbën edhe fazën e parë në realizimin e punimeve ndërtimore për këtë projekt.
Në këtë kuadër, kompania TAP AG ka paraqitur në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (MEI), kërkesën për vazhdimin e procedurave në procesin e ndërtimit të rrugëve hyrëse, për sa ka të bëjë me: përgatitjen dhe miratimin e projekt-VKM “Për heqjen nga fondi pyjor dhe kullosor të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore që do të përdoren nga shoqëria TAP AG për ndërtimin e rrjetit rrugor”, dhe përgatitjen dhe miratimin e projekt-VKM “Për ndryshimin e statusit nga tokë bujqësore në tokë truall për ndërtim, për parcelat që do të ndikohen nga ndërtimi prej shoqërisë TAP AG të rrugëve të kalimit (ndihmëse) të projektit TAP. Procedimi i mëtejshëm do të vazhdojë me përgatitjen dhe miratimin e dy projekt-VKM-ve lidhur me sipërfaqet e tokave (pyjore, kullosore dhe bujqësore) që do të përdoren për ndërtimin e rrugëve ndihmëse për projektin, si dhe me përcaktimin e hapave për blerjen/shpronësimin e sipërfaqeve nga ana e kompanisë me ndërmjetësimin e strukturave shtetërore. Ndërkohë, nga ana e kompanisë TAP AG, do të përgatitet aplikimi për t’u paraqitur në MEI për miratim, lidhur me marrjen e dokumentit të Lejes Zhvillimore Komplekse, faza e dytë (Seksioni Rrugët Ndihmëse).
Pala shqiptare po kryen analizën mbi ndryshimet/krahasimin midis Marrëveshjes me Qeverinë e Vendit Pritës (MQP) midis Republikës së Greqisë dhe Trans Adriatik Pipeline TAP, me Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës midis Republikës së Shqipërisë dhe Trans Adriatik Pipeline TAP.
Pas këtij krahasimi do të mund të realizohet procedimi i mëtejshëm dhe vlerësimi, nëse do të jetë e nevojshme për të bërë ndryshime në Marrëveshjen me Qeverinë e Vendit Pritës ose jo, të nënshkruar nga kompania TAP AG me Republikën e Shqipërisë.
Në Shqipëri, ndikimi i drejtpërdrejtë i projektit është parashikuar të arrijë kulmin në vitin 2017. Në këtë vit, ndikimi i drejtpërdrejtë në Prodhimin e Brendshëm Bruto do të jetë 57 milionë euro, ndërsa do të hapen 4,200 vende pune. Me përfundimin tërësor të projektit, ndikimi në PBB do të jetë 157 milionë euro, ndërsa mendohet se do të hapen edhe 2.900 vende pune në vit.
Shifra
1.2 miliardë metër kub gaz prenotimi i rezervave të gazit nga Shqipëria
8.1 miliardë metër kub gaz parashikohet nevoja për gaz në 2020 e Greqisë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.