Ushqimet dhe fruta-perimet, në mesin e 12 mallrave më të importuar në 3-mujorin e parë

12/06/2019 11:00 AM 0 komente

Karburantet dhe cigaret ishin mallrat më të importuara në tremujorin e parë të vitit 2019, por edhe ushqimet bashkë me frutat dhe perimet ishin në mesin e 20 artikujve kryesorë më të importuar në vend, prej të cilave doganat volën më së shumti të ardhurat.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në tremujorin e parë të vitit doganat arkëtuan 7.3 miliardë lekë nga importet e karburanteve dhe 4.6 miliardë lekë nga importet e cigareve. Të ardhurat nga zhdoganimi i naftës zunë 20.7 për qind të totalit të të ardhurave doganore, ndërsa arkëtimet nga cigaret, 13.1 për qind të totalit.

Doganat kanë arkëtuar rreth 1.7 miliardë lekë nga akciza që u pagua nga karburanti i prodhuar në vend.

Megjithëse prodhimi vendas ka nisur të furnizojë tregjet në tremujorin e parë të vitit një pjesë e konsiderueshme e nevojave për konsum frutash dhe perimesh në vend u mbuluan nga importi.

Nga zhdoganimi i frutave dhe perimeve, doganat arkëtuan 641 milionë lekë gjatë janar-mars duke zënë 1.8% të totalit të të ardhurave doganore, teksa nga zhdoganimi i ushqimeve të përgatitura, 864 milionë lekë. Ushqimet ishin produkti i tetë më i importuar në vend, për sa i përket rëndësisë në arkëtimet e doganave.

Po në fillim të listës, në vendin e tretë dhe katërt për nga importi u renditën metalet dhe energjia elektrike. Vendi përjetoi një thatësirë të tejzgjatur gjatë dimrit dhe në muajt e parë të vitit. Për pasojë, vendi iu nënshtrua importeve të larta të energjisë elektrike në tremujorin e parë. Nga zhdoganimi i energjisë, doganat arkëtuan 1.6 miliardë lekë në tremujorin e parë, duke zënë 4.6 për qind të totalit të ardhurave doganore.

Më tej, në 10 mallrat më të importuara ishin makinat e përdorura dhe veshjet. Plastika, detergjentët dhe materialet e ndërtimit ishin ndër artikujt më të importuar në tremujorin e parë.

Ndërsa në listën e mallrave kryesore të blerë jashtë u përfshinë këtë vit edhe makinat e reja. Doganat arkëtuan 351 milionë lekë nga zhdoganimi i automjeteve të reja, ose 0.9 për qind të totalit të të ardhurave doganore për periudhën në fjalë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of