Thatësira e vendeve më të mëdha prodhuese pritet të rëndojë më tej gjendjen ekonomike të konsumatorëve
Indeksi i çmimeve të konsumit të FAO-s (Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë) u rrit 6% në korrik 2012 pas tre muajsh rënie.
Indeksi, i cili mat ndryshimin mujor të një shporte ndërkombëtare çmimesh ushqimore, arriti një mesatare prej 213 pikësh, ose 12 pikë më shumë se në qershor. Ky tregues mbetet gjithsesi më i ulët se piku i arritur në shkurt të vitit 2011 (238 pikë).
Rritja e indeksit u ndikua kryesisht nga forcimi i çmimeve të grurit dhe sheqerit, ndërsa çmimet ndërkombëtare të mishit e produkteve të tjera shtazore ndryshuan pak.
Indeksi i çmimeve të drithërave ishte mesatarisht 260 pikë në korrik, 17% më e lartë, ose 38 pikë më shumë se në qershor. Ky është gjithsesi 14 pikë më pak se rekordi i arritur prej 274 pikësh në prill të vitit 2008.
Dëmi erdhi nga thatësira
Pritshmëritë për përkeqësimin e të korrave të misrit në Shtetet e Bashkuara, për shkak të zgjatjes në kohë të thatësirës, e rritën çmimin e misrit me të paktën 23% në muajin korrik. Por edhe kuotimi në tregjet ndërkombëtare të grurit u rrit 19% me përkeqësimin e prodhimit në Rusi dhe për më tepër, me pritshmëritë e rritjes së kërkesës për grurë si ushqim, për shkak të mungesës së misrit.
Gjithsesi, çmimi ndërkombëtar i orizit mbeti pothuajse i pandryshuar në muajin korrik, me një indeks të qëndrueshëm prej 238 pikësh.
Korriku shënoi rritje të madhe edhe për indeksin e çmimit të konsumit të FAO-s, e cila u rrit 12%, ose 34%, nga qershori në një nivel të ri prej 324 pikësh. Rritja u shkaktua nga shirat e parakohshme në Brazil, eksportuesi më i madh i sheqerit në botë. Shirat penguan vjeljen. Problemet e motit në Indi e Australi kontribuuan edhe në rritjen e çmimit.
Rënia e rendimentit të prodhimit të drithërave në botë pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta në vendin tonë, pasi importojmë rreth 50% të nevojave për drithëra. Ekspertë të tregtisë vërejnë se rritja e çmimit të grurit, misrit dhe sojës në vendet ku ka krizë, do të reflektohet direkt në rritjen e çmimit të bukës, miellit dhe produkteve të tjera blegtorale në vendin tonë. Për më tepër, sipas tyre, shteti nuk ka asnjë politikë mbështetëse për prodhimin e drithërave dhe kjo ndikon negativisht në ekonominë e vendit.
Thatësirat që kanë prekur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinën, Indinë dhe Europën Lindore kanë ndikuar në rënien e ndjeshme të rezervave të sojës, misrit dhe grurit, si dhe në prodhim krahasuar me vitet e shkuara. Kjo do të thotë ulje të eksportit të këtyre shteteve me vendet e tjera, çka reflektohet me rritje të çmimit.
Mishi, çmimi bie
E kundërta po ndodh me çmimin e mishit. Indeksi i çmimeve të mishit (FAO)ishte 168 pikë në korrik, 1.7% më pak se në qershor, me një rënie prej tre muajsh rresht.
Dobësimi i tregut karakterizoi të katër sektorët e mishit, në veçanti mishin e derrit, që shënoi rënie prej 3.6%. Çmimi i prodhimeve të qumështit ishte 173 pikë, njësoj si në qershor, pas një rënie prej pesë muajsh rresht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.