Me siguri keni parë dhjetëra foto të arinjve polarë të dobësuar në Arktik, të vetëm mbi një pllakë akulli, në përpjekje për të përshkruar efektet e ndryshimeve klimatike.
Por arinjtë polarë nuk janë të vetmit të prekur nga rritja e temperaturave, pasi edhe disa bimë rrezikojnë të zhduken nga ndryshimet klimatike. Këto përfshijnë vaniljen, pataten, madje edhe avokadon.
“Kripësia e tokës po ndryshon dhe këto bimë nuk e kanë aftësinë për t’u përshtatur. Temperaturat po rriten. Për shkak të ndryshimeve klimatike, edhe parazitët dhe sëmundjet do të ndryshojnë dhe kjo mund të ketë efekt të madh te bimët e kultivuara. Mund të kemi mungesa të këtyre ushqimeve.” – tha Dr. Bárbara Goettsch për “The Guardian”, e cila udhëhoqi studimin, i publikuar në “Plants, People, Planet”.
Cilat kultura po zhduken për shkak të ndryshimeve klimatike?
Studimi i Goettsch, i titulluar “Extinction risk of Mesoamerican crop wild relatives”, zbuloi se ndryshimet klimatike kanë ndikuar në zhdukjen e shumë bimëve të egra të kulturave popullore. Patatet, avokadot, vanilja, pambuku i egër, fasulet e egra, kungulli, speci i egër, banania, molla, kumbullat e thata dhe xhenxhefili janë vetëm disa prej tyre. Varietetet autoktone të vaniljes në Amerikën Jugore dhe Qendrore janë në një rrezik të madh zhdukje, ndërsa pambuku i egër është i dyti në listë, ndjekur nga avokado dhe patatet e egra.
Një studim i mëparshëm – i publikuar në Global Citizen – zbuloi se 40% e të gjithë kulturave ushqimore po përballen me një zhdukje të afërt, për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme të kushteve klimatike.
“Ndryshimet klimatike kërcënojnë ‘të shpërthejnë’ kushte meteorologjike, parazitë dhe sëmundje, të cilat kulturat tona do t’i kenë të vështirë të përballen – lexohet në raport. – Nëse njerëzimi do të jetojë në të ardhmen, duhet t’i bëjmë sistemet tona të prodhimit të ushqimeve më të larmishme, elastike dhe të qëndrueshme nga pikëpamja mjedisore”.
Në ç’mënyrë, ndryshimet klimatike po i çojnë këto kultura drejt zhdukjes?
“Extinction risk of Mesoamerican crop wild relatives” studioi 224 specie që rriten në Meksikë, Guatemala, El Salvador dhe Honduras, të cilat që të gjitha janë bërë të rëndësishme në dietat dhe në ekonomitë e botës. Studimi zbuloi se shumë prej tyre janë duke u zhdukur, për shkak të mbiprodhimit dhe përdorimit të pesticideve. Të korrat nuk kanë qenë aq të mbara për shkak të rritjes së temperaturave, specieve invazive, kontaminimit të kulturave gjenetikisht të modifikuara, shpyllëzimit, thatësirave dhe zjarreve.
Nëse diçka nuk ndryshon shpejt nga këndvështrimi klimatik, kafeja e mëngjesit, gota e verës apo çokollata që hani natën vonë mund të mos jenë më në duart tuaja për shkak të efekteve shkatërruese të ndryshimeve klimatike. Por gjëja më e rëndësishme është se kjo ka filluar të godasë komunitetet me të ardhura të ulëta, veçanërisht ato që mbështeten në bujqësi për sigurinë ushqimore dhe ekonominë. Rezultati përfundimtar mund të jetë me të vërtetë katastrofik.