Vështirësi në batalione. Dështimi në Ukrainë mund të reflektojë një strategji të keqe ose një forcë të dobët luftarake, shkruan The Economist
Në verën e vitit 2018, admirali James Foggo, atëherë komandant i forcave detare amerikane në Europë dhe Afrikë, po përgatitej për të organizuar stërvitjen më të madhe ushtarake të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë.
Për stërvitjen ushtarake të quajtur Trident Juncture, u mblodhën 50,000 anëtarë personeli, 250 avionë dhe 65 anije luftarake në Arktikun europian. Por sado madhështore që tingëllon kjo nismë nga ana logjistike, ishte e vogël në krahasim me atë çfarë po planifikonte Rusia në Siberi në shtator.
“Ushtrimet Vostok do të jenë stërvitjet ushtarake më të mëdha që nga stërvitjet Zapad të Bashkimit Sovjetik në vitin 1981”, tha me mburrje Sergei Shoigu, ministri i Mbrojtjes i Rusisë. Ato do të angazhonin 300,000 trupa, 1,000 avionë dhe 80 anije luftarake.
Kjo ishte një arritje vërtet mbresëlënëse. “Edhe për ne, ishte një nismë e madhe që të mblidhnim 50,000 njerëz në terren”, pranoi admirali Foggo kohët e fundit. “Si e bënë rusët këtë?” Përgjigjja është se në fakt, ata nuk e bënë. Një mbledhje prej maksimumi 150 trupash në Vostok, u llogarit si një batalion i tërë, apo edhe një regjiment (me 1000 trupa).
Anijet luftarake u konsideruan si skuadrone të tëra. Ky mashtrim mund të ketë qenë një shenjë paralajmëruese se me forcat ruse, jo gjithçka është ashtu siç duket, dhe kjo ishte e vërtetë, edhe përpara se ato të drejtoheshin drejt Kievit.
“Ata nuk kanë një ushtri profesionale”, tha admirali Foggo. “Duken si një grumbull i padisiplinuar”. Që kur sulmuan Ukrainën më 24 shkurt, forcat ruse kanë arritur të pushtojnë plotësisht vetëm një qytet të madh, Khersonin, së bashku me rrënojat e Mariupolit dhe disa pjesë të Donbasit, rajoni industrial lindor që pushtuan pjesërisht në vitin 2014 dhe që tani shpresojnë ta pushtojnë tërësisht.
Sipas një vlerësimi të fundit britanik, kjo nismë ushtarake u ka kushtuar jetën 15,000 ushtarëve rusë, duke tejkaluar në dy muaj, humbjet sovjetike në një dekadë luftë në Afganistan. Pushtimi ka qenë, pa dyshim një dështim, por sa saktë pasqyron ai aftësitë ushtarake të Rusisë, pyesin të habitur gjeneralët perëndimorë?
Në prag të luftës, forcat pushtuese të Rusisë u konsideruan të frikshme. Agjencitë amerikane të inteligjencës, llogaritën se Kievi do të rrëzohej brenda pak ditësh. Disa zyrtarë europianë menduan se qëndresa e tyre mund të zgjaste vetëm disa javë.
Askush nuk e mendonte se dy muaj pas fillimit të luftimeve, qyteti do të mirëpriste personalitete si Antony Blinken dhe Lloyd Austin, sekretari i Shtetit dhe ai i Mbrojtjes i Amerikës. Mendohej se Rusia do t’i shkaktonte Ukrainës atë që Amerika i kishte shkaktuar Irakut në vitin 1991: tronditje dhe frikë për t’u nënshtruar sa më shpejt.
Ky besim mbështetej në hamendësimin se Rusia kishte ndërmarrë të njëjtën reformë ushtarake rrënjësore që ndërmori Amerika në periudhën 18-vjeçare midis humbjes në Vietnam dhe fitores në luftën e parë të Gjirit Persik. Në vitin 2008, një luftë me Gjeorgjinë, një vend me më pak se 4 milionë banorë, megjithëse qe e suksesshme në fund, ekspozoi të metat e ushtrisë ruse.
Rusia kishte pajisje të vjetruara, me vështirësi dallonte artilerinë gjeorgjiane dhe dështoi në komandën dhe kontrollin e saj. Në një fazë të luftës, thuhet se shtabi i përgjithshëm i Rusisë nuk arriti të kontaktonte dot ministrin e Mbrojtjes për dhjetë orë.
“Është e pamundur të mos vërehet një hendek midis teorisë dhe praktikës”, pranoi në atë kohë shefi i ushtrisë ruse. Për të mbyllur këtë hendek, Forcat e Armatosura u zvogëluan në madhësi dhe u modernizuan.
Ambicie e tepruar
Shpenzimet ushtarake ruse pothuajse u dyfishuan midis viteve 2008 dhe 2021, duke u rritur në mbi 250 miliardë dollarë, sa trefishi i nivelit të Britanisë apo Francës. Rreth 600 avionë të rinj, 840 helikopterë dhe 2300 dronë, iu shtuan arsenalit ushtarak midis viteve 2010 dhe 2020.
Tanke dhe raketa të reja u shfaqën në paradat ushtarake në Moskë. Rusia vuri në provë taktika dhe pajisje të reja në Donbas, pas pushtimit të parë të Ukrainës në vitin 2014, dhe në fushatën ushtarake të vendit për të mbështetur diktatorin e Sirisë, Bashar al-Assad-in.
Një gjeneral europian i dalë në pension, thotë se dështimi i këtij modeli të ri ushtrie, i kujton atij vizitën në Gjermaninë Lindore dhe Poloni, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur pa armikun nga afër. “Ne e kuptuam se sa keq ishte katandisur ushtria ruse”, tha ai.
“Kemi lejuar përsëri që të na pushtojë propaganda ruse”. Dihej se ushtria ruse kishte probleme, thotë Petr Pavel, një gjeneral çek i dalë në pension, i cili kryesoi komitetin ushtarak të NATO-s në vitet 2015-2018, “por qëllimi i tyre i kapi në befasi shumë njerëz, përfshirë edhe mua, dhe mendova se rusët kishin nxjerrë mësim nga e kaluara”.
Disa mendojnë se ushtria ruse është penguar në Ukrainë më tepër nga iluzionet e zotit Putin, se sa nga mangësitë e veta. Këmbëngulja e tij për të komplotuar luftën në fshehtësi, e ndërlikoi planifikimin ushtarak. FSB-ja, pasardhësja e KGB-së, i komunikoi Putinit se Ukraina ishte e mbushur me agjentë rusë dhe se ajo do të nënshtrohej shpejt.
Kjo ndoshta nxiti vendimin e tij të marrë për të nisur luftën duke dërguar parashutistë të armatosur lehtë, për të pushtuar një aeroport në periferi të Kievit dhe një kolonë të vetme të armatosur për të avancuar në qytetin Kharkiv, duke shkaktuar viktima të shumta në ushtrinë e vet, përfshirë edhe gjeneralë.
Megjithatë, edhe pas dështimit të kësaj përpjekjeje fillestare, ushtria më pas vendosi që të depërtonte në shtetin e dytë më të madh në Europë, në disa drejtime, duke ndarë rreth 120 grupe taktike batalionesh, dhe duke i shpërndarë ato në disa forca joefektive dhe të izoluara.
Taktikat e këqija më pas e ndërlikuan edhe më tepër strategjinë tashmë të keqe: forca të blinduara, këmbësoria dhe artileria, luftuan të shkëputura nga njëra-tjetra. Tanket që duhej të mbroheshin nga këmbësoria, udhëtonin të vetëm, dhe binin nëpër pritat e Ukrainës.
Artileria, shtylla kryesore e ushtrisë ruse që nga kohërat cariste, megjithëse përparoi me egërsi në qytete si Kharkivi dhe Mariupoli, nuk mundi të depërtonte dot nëpër vijat ushtarake ukrainase rreth Kievit.
Probleme pa fund
Javët e fundit, zyrtarë dhe ekspertë kanë debatuar për shkaqet e dështimit rus. Disa e kanë krahasuar me rënien e ushtrisë franceze në vitin 1940. Por kjo analogji është e gabuar, thotë Christopher Dougherty, ish-planifikues në Pentagon. “Franca dështoi ngaqë ndoqi një doktrinë të papërshtatshme”, thotë ai. “Rusia po dështon sepse nuk po ndjek doktrinën e saj, apo parimet themelore të luftës”.
Mungesa e përvojës është pjesë e problemit. Siç vuri në dukje dikur historiani Michael Howard, ekspertiza e një oficeri ushtarak “është aq unike, saqë atij mund t’i duhet ta ushtrojë atë vetëm një herë në jetë”.
Amerika është angazhuar vazhdimisht në luftëra që nga fundi i Luftës së Ftohtë, në Irak, Ballkan, Afganistan, Libi, Siri, e kështu me radhë. Ndërsa Rusia nuk ka kryer një luftë të këtyre përmasave kundër një ushtrie të organizuar, që kur pushtoi Mançurinë në vitin 1945.
Taktikat
Taktikat që mund të përdoreshin në luftërat më të vogla, si në Donbas dhe Siri, për shembull, përdorimi i sensorëve elektronikë në drone për të zbuluar objektivat e artilerisë, janë më të vështira në një shkallë më të madhe.
Dhe gjërat që dukeshin të lehta në luftërat e Amerikës, si eliminimi i mbrojtjes ajrore të armikut, janë në fakt mjaft të vështira. Forcat ajrore ruse po kryejnë disa qindra fluturime në ditë, por ende nuk po arrijnë të gjurmojnë dhe të godasin objektivat në lëvizje dhe janë shumë të varura nga bombat e padrejtuara, ose “memece”, të cilat mund të hidhen me saktësi vetëm në lartësi të ulëta, duke i ekspozuar avionët rusë ndaj armikut.
Të gjitha ushtritë bëjnë gabime. Disa bëjnë më shumë se të tjerat. Tipari dallues i ushtrive të mira është se ato mësojnë nga gabimet e tyre me shpejtësi. Duke braktisur Kievin, duke u përqendruar në Donbas dhe duke caktuar një gjeneral të vetëm ushtrie, Rusia po tregon me vonesë shenja përshtatjeje.
Në fillim të prillit, një zyrtar perëndimor, vuri re se kolonat e blinduara po dërgoheshin ende të pambështetura në territorin ukrainas, një manovër vetëvrasëse. Më 27 prill, një zyrtar tjetër tha se forcat ruse në Donbas dukeshin të paafta për të përparuar në shi të dendur.
Vështirësitë e Rusisë vijnë edhe për shkak të qëndresës heroike të Ukrainës, e cila është ndihmuar shumë nga armët dhe inteligjenca perëndimore.
“Por në shkatërrimin e iluzioneve ruse, ka luajtur rol edhe një dukuri mjaft e njohur nga sociologët ushtarakë”, – shkruan Eliot Cohen nga Universiteti Johns Hopkins, “se ushtritë, në përgjithësi, pasqyrojnë cilësitë e shoqërive nga të cilat ato dalin”. Shteti rus, thotë zoti Cohen, “mbështetet në korrupsion, gënjeshtra, paligjshmëri dhe detyrim”. Secili prej këtyre tipareve është reflektuar nga ushtria ruse në këtë luftë.
“Ata investuan shumë para për modernizim”, thotë gjenerali Pavel. “Por shumë nga këto para u humbën gjatë procesit”. Korrupsioni mund të jetë arsyeja se pse automjetet ruse ishin të pajisura me goma të lira kineze, duke mbetur në baltë.
Mund të shpjegojë gjithashtu se pse kaq shumë njësi ruse ishin pa radio të koduara dhe ishin të detyruara të mbështeteshin në rrjetet e telefonisë celulare ukrainase. Kjo, nga ana tjetër, mund të ketë kontribuar në humbjen e luftës për gjeneralët rusë (Ukraina pretendon se ka vrarë dhjetë syresh), pasi komunikimet e tyre në vijën e parë do të ishin më të lehta për t’u përgjuar.
Megjithatë, korrupsioni nuk mund të jetë arsyeja e vetme. Edhe Ukraina është një vend i korruptuar, dhe jo shumë më pak se Rusia. Shteti renditet në vendin e 122-të në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, të publikuar nga “Transparency International”.
Ajo çka me të vërtetë i dallon të dy kombet, është shpirti luftarak. Ushtarët ukrainas po luftojnë për mbijetesën e vendit të tyre. Shumë rusë nuk e kishin idenë se do të shkonin në luftë, derisa u urdhëruan të kalonin kufirin.
Një zyrtar i inteligjencës europiane, thotë se rekrutët rusë (të cilët Putini ka premtuar publikisht se nuk do t’i dërgojë në luftë), i kanë bërë ballë trysnisë për të nënshkruar kontrata për t’u kthyer në ushtarë profesionistë. Zyrtari thotë se njësitë e cenuara ruse përfshijnë Divizionin e 106-të të Gardës Ajrore, Regjimentin e 51-të të Parashutës së Gardës dhe Regjimentin e 423-të, pjesë e një divizioni të rëndësishëm tankesh.
Dronë në vështirësi
Ushtarë të patrajnuar mirë dhe të pamotivuar, janë një dobësi për çdo ushtri. Përpjekja për një koordinim të tillë të frikshëm në Ukrainë, me adoleshentë të vrenjtur, nën trysni, të ushqyer me ushqime të skaduara dhe të pajisur me automjete të vjetruara, ka qenë tejet e gabuar.
Një detyrë e tillë e madhe, kërkon të paktën, një udhëheqje të shëndoshë. Dhe kjo gjithashtu mungon. Nënoficerët, që trajnojnë dhe mbikëqyrin ushtarët, janë shtylla kurrizore e Forcave të Armatosura të NATO-s. Rusia nuk ka një kuadër të krahasueshëm.
Ka “shumë kolonelë dhe jo mjaft nënoficerë”, thotë një zyrtar europian i mbrojtjes. Trajnimi i stafit është i dobët dhe i vjetruar, i fiksuar pas Luftës së Dytë Botërore, duke mos i kushtuar vëmendje konflikteve të reja. Kjo mund të shpjegojë pse doktrina u flak nga dritarja. Manovrat që dukeshin të lehta në Vostok, ishin më të vështira për t’u riprodhuar larg atdheut dhe nën sulm.
Nga ana tjetër, oficerët rusë, duket se kanë marrë mësimet më të këqija nga luftërat afgane, çeçene dhe siriane. Gjatë pushtimit të Ukrainës Veriore, ushtarët rusë jo vetëm që plaçkitën shtëpitë dhe dyqanet, por vranë një numër të madh civilësh. Disa janë shpërblyer për këtë gjë. Më 18 prill, Brigada e 64-të e Këmbësorisë së Motorizuar, e akuzuar për masakrimin e civilëve në Bucha, u dekorua nga zoti Putin për “heroizmin dhe guximin e saj masiv” dhe u nderua si një njësi “Garde”.
Krimet e luftës nuk janë gjithmonë irracionale. Ato mund t’i shërbejnë një qëllimi politik, siç është terrorizimi i popullatës për ta nënshtruar. Ato nuk janë as të papajtueshme me aftësitë ushtarake: për shembull, Wehrmacht-i i Gjermanisë naziste ishte i mirë si në luftime, ashtu edhe në vrasje. Por mizoria mund të jetë edhe kundërproduktive, duke e frymëzuar armikun të luftojë me këmbëngulje, në vend që të dorëzohet dhe gjithsesi të vritet.
Egërsia dhe konfuzioni i forcave ruse në Ukrainë përputhet me sjelljen e tyre të fundit në Siri. Ashtu siç po bombardojnë spitalet ukrainase, ata kanë bombarduar më parë institucionet shëndetësore siriane. Në të njëjtën mënyrë, oficerët ushtarakë izraelitë që ndoqën nga afër forcat ajrore ruse në Siri, mbetën të befasuar nga betejat e tyre ajrore dhe fluturimet me shpejtësi të lartë.
Ata madje menduan se përfshirja siriane në operacionet ajrore, ishte shpjegimi i vetëm i besueshëm për një nivel kaq të ulët profesionalizmi. Në fund, arritën në përfundimin se Rusisë i mungonte trajnimi, doktrina dhe përvoja e duhur për të shfrytëzuar maksimalisht avionët e avancuar luftarakë. Kur nisi pushtimi rus i Ukrainës, analistët izraelitë e kuptuan se forcat tokësore ruse vuanin nga të njëjtat probleme.
Disa nga miqtë e Rusisë duket se po nxjerrin të njëjtin mësim. Syed Ata Hasnain, gjeneral indian i dalë në pension, i cili dikur komandonte forcat e Indisë në Kashmir, vë në dukje “paaftësinë ruse në terren”.
Një grup diplomatësh dhe gjeneralësh indianë, së fundmi diskutuan “mungesën e dukshme dhe të tmerrshme të përgatitjes” dhe “paaftësinë e rëndë logjistike” të Rusisë. Fakti që India është blerësi më i madh i armëve ruse, e bën shumë të rëndësishëm mendimin e tyre: “cilësia e teknologjisë ruse që më parë mendohej se ishte shumë e lartë, po vihet në pikëpyetje gjithnjë e më shumë”.
Një proces i ngjashëm rivlerësimi po ndodh tani edhe në forcat e armatosura perëndimore. Disa argumentojnë se kërcënimi rus ndaj NATO-s nuk është aq i madh sa ç’mendohej. “Reputacioni i ushtrisë ruse është dëmtuar rëndë dhe do të duhet një brez i tërë për ta ndrequr”, thuhet në një vlerësim të fundit nga një studim i NATO-s.
Por të tjerë paralajmërojnë kundër gjykimeve të nxituara. Është shumë herët për të nxjerrë përfundime të tilla, paralajmëron një zyrtar i lartë i NATO-s, sepse lufta është ende e ndezur dhe mund të ndryshojë formë.
Ashtu siç gaboi Rusia, duke mbivlerësuar aftësitë e saj ushtarake pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014, ekziston një rrezik i ngjashëm që armiqtë e Rusisë ta nënvlerësojnë atë për shkak të dështimit në Ukrainë. Në vitet e fundit, planifikuesit e NATO-s nuk janë marrë me skenarë që parashikojnë luftëra të përmasave të tanishme, por me skenarë më modestë dhe realistë, si një pushtim rus në disa pjesë të shteteve baltike, ose pushtimi i ishujve Svalbard në Norvegji.
Luftëra si këto, do të zhvilloheshin shumë më ndryshe se ajo në Ukrainë. Ato do të nisnin me një front më të ngushtë, do të përfshinin më pak forca ushtarake dhe do të rëndonin më pak në logjistikë, thotë zoti Kofman. As Kremlini dhe as Shtabi i Përgjithshëm Rus nuk do ta nënvlerësonin NATO-n, siç shpërfillën gabimisht ushtrinë ukrainase.
Dhe nëse qeveria ruse nuk do të kishte minimizuar një konflikt të ardhshëm si një “operacion special ushtarak”, siç ka bërë në Ukrainë, ajo do të kishte mundësinë të mobilizonte rezerva dhe rekrutë në një numër shumë më të madh. Shumë aftësi thelbësore ruse, si armët antisatelitore dhe nëndetëset e avancuara, nuk janë testuar fare në Ukrainë.
Gjeografia është gjithashtu e rëndësishme. Për shembull, varësia e rusëve nga hekurudhat, nuk do të ishte shumë problem në një sulm ndaj shteteve baltike.
“Një operacion në një pjesë të territorit të Estonisë, është brenda mundësive të tyre”, thotë Dr. Ti, “sepse ata mund të furnizohen me lehtësi nga hekurudhat”. (Nëse forcat ajrore ruse, të papërvoja dhe të dobëta, mund t’i mbrojnë këto hekurudha nga sulmet ajrore të NATO-s, është një çështje tjetër.)
Mësimet e nxjerra
Zoti Kofman mendon se nuk i është dhënë ende një përgjigje e qartë pyetjes: “çfarë ka pasur një rol më të madh në dështimin e Rusisë, ushtria e keqe apo plani i tmerrshëm”. Kjo përgjigje është thelbësore. Në një studim të vitit 1995, James Fearon, një shkencëtar politik në Universitetin Stanford në Kaliforni, argumentoi se luftërat e kushtueshme dhe shkatërruese, mund të ndodhin për shkak të llogaritjeve të gabuara për aftësitë e palës tjetër.
“Udhëheqësit janë më të vetëdijshëm për aftësitë ushtarake dhe gatishmërinë e vendit të tyre për të luftuar, dhe dinë gjëra që shtetet e tjera nuk i dinë”, shkroi Fearon, “dhe në situata negociatash, ata mund të keqinterpretojnë enkas informacione të tilla private, në mënyrë që të fitojnë një marrëveshje më të mirë”.
Kjo ndihmon për të shpjeguar pse Rusia e fryu kaq shumë aftësinë e saj ushtarake në stërvitjet në Vostok. Dhe kjo strategji mund të funksionojë. “Mendoj se shumë prej nesh u ndikuam nga paradat e Ditës së Fitores që paraqisnin pjesët më të mira të kompletit ushtarak rus” thotë gjenerali europian.
Beteja për Donbasin nuk do ta zgjidhë plotësisht këtë debat. Një ushtri ruse që mbizotëron në një luftë përmes fuqisë së zjarrit dhe masës së saj, nuk i afrohet aspak ushtrisë së vjetër sovjetike për nga shkathtësia dhe teknologjia e lartë. Me shumë gjasa, forcat e rrëmbyera të Rusisë, do të lodhen përpara se të arrijnë objektivat e tyre në Ukrainën Jugore dhe Lindore, dhe sigurisht, përpara se të bëjnë një përpjekje tjetër në Kiev.
Planifikuesit ushtarakë në botë, do të vëzhgojnë jo vetëm sa larg arrin Rusia në javët në vazhdim, por edhe se çfarë nënkupton kjo për qëndrueshmërinë, përshtatshmërinë dhe udhëheqjen e forcave ruse. Ashtu si një thikë e ngulur në dru të vjetër, përparimi i ushtrisë ruse, do të zbulojë se sa e thellë është kalbja.
Përktheu: Lira Muça