Deri në fund të vitit 2003, numri i bimëve të ullirit arriti në 3,940,000 kundrejt 3,129,000 bimë që ishin në vitin 1992. Ndërkohë që prodhimi në vitin 2003 shënoi 27,900 ton ullinj, kundrejt 20,200 ton në vitin 1992Pak retrospektivë nga degradimi i plantacioneve me ullinjMbas viteve 1990, plantacionet me ullinj të gjitha shtetërore që shtriheshin nga Riviera në Jug të vendit dhe në krejt zonën e Shqipërisë së mesme, ku ishte derdhur aq mund dhe djersë jo vetëm nga fshatarët, por dhe nga rinia studentore; filluan të shkatërroheshin, si pasojë e fenomenit të stërzgjatur të paqartësisë së pronësisë mbi këtë pasuri të madhe kombëtare. Për rrjedhojë edhe industria e përpunimit të ullirit në vendin tonë shkoi drejt kolapsit. Nga mungesa e kapaciteteve përpunuese, në ato pak fabrika ekzistuese që kishin mbetur, në Berat, Vlorë e Tiranë, fermerët prisnin ditë me radhë për të përpunuar ullirin e tyre, duke humbur kohën e punës dhe duke dëmtuar frytin e ullirit nga kohëqëndrimi i gjatë, me pasojë prodhimin e vajit të ullirit me cilësi jo të mirë. Kështu, fermerët e zonës së Oblikës-Shkodër ullirin e përpunonin në Tiranë, fermerët e zonës së Lapardhasë dhe Donofrosës së Beratit e çonin në Levan e Patos të rrethit të Fierit, fermerët e Bregdetit e shisnin ullirin në Ballsh e Tiranë. Për të ripërtërirë këtë sektor, edhe instalimi i teknologjive të vjetra, kryesisht nga emigrantët, nuk e zgjidhi këtë problem, përkundrazi e rëndoi gjendjen nga pikëpamja e efektivitetit ekonomik dhe cilësisë së vajit, i cili ishte jashtë parametrave cilësorë. Madje, në disa zona vazhdoi prodhimi i vajit me “këmbë” dhe me metoda të tjera primitive. Deri para viteve 2000, statistikat shënuan instalimin e rreth 30 linjave përpunuese, 80% e të cilave sot nuk funksionojnë për shkak të amortizimit fizik. Shpresa e rimëkëmbjesMe ndërhyrjen e Projektit japonez 2 KR u investua në instalimin e 12 linjave përpunuese moderne, të markës PIERALISI, në Sarandë, Tiranë, Vlorë, Fier, Berat, dhe Shkodër. Investimet e reja ndryshuan rrënjësisht kushtet higjieno-sanitare të prodhimit dhe treguesit e standardit të vajit të ullirit. Në këtë kuadër u krijuan mundësi për punësim, si dhe u rrit interesi i fermerëve për ti bërë shërbimet bujqësore bimës së ullirit. Kështu, deri në fund të vitit 2003, numri i bimëve të ullirit arriti në 3,940, 000 kundrejt 3,129,000 bimë që ishin në vitin 1992. Ndërkohë që prodhimi në vitin 2003 shënoi 27,900 ton ullinj, kundrejt 20,200 ton në vitin 1992. Me bimën e ullirit në Shqipëri merren 95,256 familje fermere, 44,000 prej të cilave e kanë përparësi kulturën e ullirit dhe 11,000 familje e përballojnë jetesën me të ardhurat financiare që sigurohen nga kjo kulturë. Linjat punojnë me kapacitet përpunues 10.000 ton ullinj në sezon, e barabartë me 36% të kapacitetit përpunues në shkallë vendi, duke zgjidhur kështu edhe kërkesat e 18.000 familjeve fermere për të prodhuar vaj më tregues cilësorë. Instalimi i teknologjisë bashkëkohore në zona me ullinj ka shkurtuar 30% të kohës në sezonin e përpunimit të tij, si dhe ka rritur cilësinë e vajit dhe të ardhurat e fermerit. Megjithatë, është e domosdoshme që Qeveria të zbatojë politika mbështetëse zhvillimi për këtë sektor, ashtu siç ka bërë Kroacia ku subvencionohet mbjellja e fidanëve, dorëzimi i ullirit dhe prodhimi i vajit extra vergine. Situata aktualeIndustria e përpunimit të ullirit ka marrë zhvillim intensiv mbas vitit 2000. Një peshë të investimeve të kryera në këtë sektor e mban Projekti 2KR, me financime nga Granti Japonez. Deri tani, investimet e Projektit 2KR në këtë industri kapin vlerën 1,664,000 euro, ndërkohë që invesimet private të vetë subjekteve kapin vlerën e 740,000 euro, ku përfshihen vlera e objekteve, trualli si dhe infrastruktura. Industria e rafinimit të vajit ushqimorDeri në vitin 2000 Shqipëria importonte 100% vaj vegjetal ushqimor, pra 36 mijë ton vaj luledielli, kolze, soje, pambuku, misri etj. Me ngritjen e kompleksit ushqimor “OLIM”, i cili në fazën e prodhimit që është, garanton 12,000 ton vaj, pra 33% të nevojave në vend, “lindi” dëshira e subjekteve të interesuara për të ngritur linja të tilla si në Fier, Shkodër dhe Elbasan. Kështu p.sh., pronarët e fabrikës “Vajra Bimore” në Fier konkurruan dhe përfituan një linjë përpunimi nga Projekti 2KR, me teknologji dhe nivel bashkëkohor. Linja me vlerë 1.2 milion usd punon me kapacitet 8 mijë ton në vit dhe zgjidh 22% të nevojave të vendit me vaj ushqimor. Sipas specialistëve ky investim ishte i domosdoshëm, sepse shkurtoi importin e këtij produkti me rreth 2 milion USD në vit, si dhe po nxit prodhimin e kulturës së lulediellit në vend për të bërë të mundur që fabrikat e lulediellit në Tiranë dhe Fier, që janë investime vetjake të subjekteve, të furnizohen me lëndë të parë brenda vendit. Lënda e parë, synohet prodhimi në vendPara viteve 90 në Shqipëri mbilleshin 30 mijë hektarë luledielli dhe punonin 8 fabrika. Sot, qeveria ka deklaruar mbështetjen e biznesit privat për mbjelljen e 10,000 ha tokë me luledielli në Fier, Lushnjë, Lezhë etj., ku do të angazhohen 11,000 familje fermerësh. Për këtë qëllim po zbatohet dhe projekti UMCOR, i cili do të kreditojë fermerët e zonës së Myzeqesë për mbjelljen e 5,000 ha tokë me farëra me prodhimtari të lartë. Sipas specialistëve, në një strategji afatmesme mbjellja e 10,000 ha me luledielli, garanton prodhimin e 40,000 ton farë luledielli, ku sigurohet prodhimi i 18,000 ton vaj ushqimor grexho, e barabartë me 50% të nevojave të vendit. Kjo sasi fare nuk do të sillet nga importi, që do të thotë se 10 milion USD nuk do të dalin nga Shqipëria për të blerë lëndë të parë.Fabrika e FieritFabrika e rafinimit të vajit ushqimor në Fier, ka garantuar cilësi të lartë të vajit për shkak të teknologjisë së lartë të instaluar, duke shmangur veprimtarinë abuzive të tregtarëve importues, të cilët 70% të vajit që importojnë, e kanë vaj kolze, soje, pambuku dhe në etiketat e tyre figuron 100% luledielli, e deri në daljen në treg me vaj të parafinuar. Kjo fabrikë ka efektivitet të lartë ekonomiko-financiar dhe social, pasi sipas ekspertëve të kësaj fushe, prodhimi i 8,000 ton vaj luledielli siguron 8.8 milion USD të ardhura financiare me një fitim vjetor rreth 820,000 USD. Ndërkohë që, subjekti përfitues ka investuar mbi 500,000 USD me mjetet e veta financiare për kapacitetet e depozitimit të lëndës së parë dhe produktit të gatshëm, linjën automatike të ambalazhimit të vajit dhe të gjithë infrastrukturën tjetër të investimit. Prodhimi i vajit të rafinuar në Fier ka ulur çmimin e tregut. Ky vaj blihet nga konsumatori shqiptar me 20% më pak dhe në totalin e prodhimit nga xhepat e shqiptarëve nuk do të dalin 2,285,700 USD në vit, ndërkohë që efektet sociale janë të mëdha, kur bëhet fjalë për punësimin, jo vetëm në fabrikë por edhe jashtë saj. Efektet më të mëdha do të jenë te fermerët dhe mekanika bujqësore. Nëse në të gjithë ciklin e prodhimit punojnë direkt 62 punëtorë dhe specialistë, 35 të tjerë punojnë në marketingun e produktit në të gjithë vendin dhe ku synohet një investim i fuqishëm në Tiranë, ku numri i të punësuarve do të pësojë rritje. OLIMKompleksi industrial privat OLIM i shoqërisë “AM Grup” i ndërtuar para 8 vitesh në periferi të Tiranës anës autostradës që të shpie në Durrës, punon me një teknologji të niveleve më të larta bashkëkohore, duke iu përshtatur kërkesave të tregut të brendshëm, madje dhe atij të huaj. Prodhimet e “Olim” janë cilësuar nga ekspertët, sipas parametrave dhe standardeve europiane.Kompleksi përbëhet nga fabrika e prodhimit të vajit të lulediellit, fabrika e prodhimit të margarinës, fabrika e prodhimit të ushqimeve blegtorale dhe ajo e paketimit të ujit të pijshëm, duke zënë 70% të tregut me shumëllojshmërinë e prodhimeve. Vlera e përgjithshme e investimit në këto fabrika është 17 milion USD dhe numri i të punësuarve rreth 700 punëtorë.Por ashtu sikurse shumë sektorë të agropëpunimit edhe “Olim” është e varur kryesisht nga lënda e parë që vjen nga importi, përgjithësisht nga SHBA. Prodhimet e vajit “Olim” mbulojnë aktualisht 50 % të tregut vendas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.