Vaji i ullirit “Made in Albania” pushton tregun vendas

18/09/2019 11:00 PM 0 komente

Ndryshimi i stilit të jetesës dhe fokusi në kujdesin e ushqimeve që konsumojmë ka rritur interesin për të prodhuar më shumë vaj ulliri nga agropërpunuesit vendas. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, në vitin 2018, përllogariten 19,624 tonë vaj ulliri. Në krahasim me 10 vite më parë, prodhimi i vajit të ullirit është rritur me gati katër herë.

Rritjen më të madhe e ka pasur veçanërisht në tre vitet e fundit. Prodhimi vendas kërceu në 2016 me 18.320 tonë, nga 8,900 tonë që ishin prodhuar një vit më parë. Ndërsa rekordin më të lartë e ka shënuar në 2017-n me 20154 tonë vaj ulliri. 2018 shënoi rënie të lehtë të prodhimit për shkak të prodhimit jo aq të mbarë dhe rendimenti i ullinjve qe më i ulët.

Importet “gjunjëzohen”

Ndryshe ka ndodhur me sasinë e importuar të vajit të ullirit, ku prej 2016-s sasitë e importuara kanë qenë në rënie. Të dhënat nga doganat tregojnë se sasitë e importuara ranë me 40% (shiko grafikun). Tre janë vendet kryesore të origjinës nga ku importohet vaji i ullirit: Italia, Spanja dhe Greqia. Në 2018-n, importet e vajit të ullirit nga Spanja kishin një vlerë prej 795 mijë dollarësh, apo rreth 38% të totalit të sasisë së importuar, duke u renditur vendi i parë i origjinës. Në vend të dytë, me një diferencë të ngushtë, renditet vaji i ullirit i importuar nga Italia, me 782 mijë dollarë, me 37% të totalit. Ndërsa importet nga Greqia ishin 484 mijë dollarë, apo 23% të totalit.

Prodhimi i ullirit në vend u rrit me 9% në 2018. Në vitin 2018 u prodhuan 117.573 tonë ullinj, duke shënuar rritje 9,04%, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në Qarkun e Beratit me 37.340 tonë, ndjekur nga qarqet Fier me 31.496 tonë dhe Vlorë me 15.023 tonë. Ndaj prodhimit total të ullirit, 79% përfaqësohet nga ullinjtë për vaj dhe 21% nga ullinjtë për tavolinë.

Burimi: Dogana

Burimi: Ministria e Bujqësisë

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of