Vaksina Covid-19 e Pfizer dhe BioNTech rezulton të jetë 90% efektive 

09/11/2020 2:48 PM 0 komente

Një vaksinë anti-Covid-19 që po zhvillohet nga Pfizer dhe BioNTech e Gjermanisë ka rezultuar të jetë më shumë se 90% efektive. Financial Times shkruan se ajo mund të jetë në dispozicion për përdorim deri në fund të vitit, nëse autoritetet i japin dritën e gjelbër.

Gjetja ishte rezultat i analizës së parë të pavarur të një vaksine Covid-19 në provat e fazës 3 – faza përfundimtare para licencimit komercial.

“Për mua, ky është rezultati më i mirë i mundshëm” – tha Ugur Sahin, bashkëthemelues dhe shefi ekzekutiv i BioNTech për Financial Times, ndërsa shefi i Pfizer, Albert Bourla, tha se ishte “një ditë e mrekullueshme për shkencën dhe njerëzimin”.

Medikamenti pritet t’u paraqitet autoriteteve për miratim emergjent në javën e tretë të nëntorit, duke qenë përpara në kohë, në krahasim me krijuesit e tjerë të vaksinave. Moderna, që më herët ishte në pararojë të kërkimeve, nuk pritet që të ketë gati rezultatet që duhen për miratimin e saj deri më 25 nëntor, ndërsa partneriteti i AstraZeneca me Universitetin e Oksfordit pret rezultate deri në fund të këtij viti.

Aksionet e Pfizer u rritën me 15% në tregtimet e hershme në Nju Jork, ndërsa BioNTech e listuar nga Nasdaq, u rrit 25%.

Rezultatet e Pfizer kapërcejnë shumë kriteret e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave për miratimin e një vaksine Covid-19, e cila kërkon një efikasitet prej të paktën 50% në provat e kontrolluara të trajtimit. Asnjë vaksinë nuk është 100% efektive, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Pfizer dhe BioNTech thanë që këtë vit mund të prodhohen deri në 50 milionë doza të vaksinës – e cila do të ishte vaksina e parë që përdor teknologjinë e re mRNA. 1.3 miliardë doza të tjera do të prodhohen në 2021.

Tregjet globale të aksioneve u rritën ndjeshëm pas njoftimit të Pfizer, të udhëhequr nga kompanitë e udhëtimit dhe të kohës së lirë që janë goditur veçanërisht rëndë nga kriza e koronavirusit.

SHBA ka siguruar porosi për 100 milionë doza vaksina, me një mundësi për të blerë 500 milionë të tjera, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka një marrëveshje për të blerë 30 milionë doza. Është duke u negociuar një marrëveshje për furnizimin e 200 milionë dozave në BE.

Z.Sahin tha se BioNTech dhe Pfizer “do të përdorin një qasje të drejtë” kur bëhet fjalë për shpërndarjen e dozave të para të vaksinës, duke shtuar se ata do t’u japin përparësi dërgesave në vendet ku ishte miratuar për përdorim.

“Kjo duket me të vërtetë mirë”, tha Ian Jones, profesor i virologjisë në Universitetin e Reading. “Nga të gjitha vaksinat aktuale që janë aktualisht në zhvillim, produkti BioNTech gjithmonë dukej si më i godituri pasi është plotësisht i përqendruar në pjesën e virusit që lidhet me qelizën njerëzore.”

Z.Sahin i BioNTech tha se ai priste që reagimi imunitar i vaksinës të zgjasë për “të paktën një vit”, duke shtuar se antitrupat e krijuar nga vaksina treguan se bllokonin rreth 20 mutacione të ndryshme të Sars-Cov-2. “Ka një gjasë shumë të ulët që një [mutacion] i virusit të mund të kapërcejë përgjigjen imune”, parashikoi ai.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of