Presidenti francez Emmanuel Macron u ka bërë thirrje Europës dhe Shteteve të Bashkuara të dërgojnë urgjentisht deri në 5 për qind të furnizimeve të tyre të vaksinave anti-covid në vendet në zhvillim.
“Ne nuk po flasim për miliarda doza menjëherë, ose miliarda e miliarda euro. Bëhet fjalë për shpërndarjen shumë më të shpejtë të 4-5% të dozave që kemi. Kjo nuk do të ndryshojë fushatat tona të vaksinimit, por secili vend duhet të lërë mënjanë një numër të vogël të dozave që duhet të transferohen në vendet e tjera”, tha ai për Financial Times.
Macron tha se dështimi për të ndarë vaksinat në mënyrë të drejtë do të theksonte pabarazinë globale.
Pjesa dërrmuese e vaksinave janë administruar nga vendet me të ardhura të larta deri më tani.
Presidenti francez propozoi planin e tij për të adresuar pabarazinë përpara një samiti virtual të G7 që do të mbahet të premten.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të njoftojë një premtim prej 4 miliard dollarë në financimin e skemës globale të ndarjes së vaksinave, e njohur si Covax.
Deri më tani, të paktën 110 milionë njerëz janë infektuar me Covid në të gjithë botën dhe më shumë se 2.4 milion kanë humbur jetën, sipas shifrave nga Universiteti Johns Hopkins.