Vaksinat dhe Covid-19, Ballkani Perëndimor ndihet i përjashtuar

12/02/2021 10:02 PM 0 komente

Dyshime, polemika, vonesa. Fushatat e vaksinimit ndaj Covid-19 në Ballkanin Perëndimor kanë nisur vetëm në Serbi dhe Shqipëri, ndërsa vendet e tjera në zonë rrezikojnë vonesa të rrezikshme, pavarësisht disa nismave mbështetëse të promovuara nga Bashkimi Europian, shkruan Francesco Martino, për Rrjetin Europian të Gazetarisë.

Më 27 dhjetor, pas një pritje të gjatë dhe të shqetësuar dhe me shumë shpresa, BE-ja nisi fushatën e vaksinimit kundër Covid-19, me dozat e para të vaksinës Pfizer / BioNTech të furnizuara njëkohësisht në të gjitha vendet e BE-së.

Ditën tjetër, Komisioni nisi një paketë mbështetëse prej 70 milionë eurosh (përmes instrumentit të fondeve të para-anëtarësimit IPA-II) për Ballkanin Perëndimor, për të ndihmuar shtetet e kësaj zone të vaksinonin grupet më të cenuara të popullsisë dhe për të blerë pajisjet dhe materialet e nevojshme.

“Gjatë pandemisë, BE-ja ka treguar se e ka në konsideratë Ballkanin Perëndimor si një partner të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë për vaksinat”, tha Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi. Më 19 janar, burimet e Komisionit njoftuan se BE-ja po punon mbi një plan për të ndarë dozat e tepërta me fqinjët e saj “të varfër”, si vendet afrikane dhe vendet fqinje, përfshirë Ballkanin Perëndimor.

Sidoqoftë, nismat e BE-së janë përballur me shqetësime dhe pakënaqësi nga shumë vende në këtë zonë, të cilat ndihen të margjinalizuara në garën për vaksinat dhe ende po luftojnë për të siguruar dozat e nevojshme për të nisur fushatat e vaksinimit. Një nga zërat më kritikë ishte ai i kryeministrit shqiptar, Edi Rama. “BE na ftoi të investojmë ekskluzivisht në sistemin COVAX, por duke ndjekur indikacionet e Brukselit do të na duhej të prisnim për një kohë të pacaktuar”, tha Rama më 11 janar, pasi mori dozën e parë të vaksinës Pfizer, pjesë e një donacioni nga Gjermania.

Në një kohë kur debati mbi rolin e BE-së – si egoiste apo altruiste – ka të ngjarë të vazhdojë për një kohë të gjatë, një gjë është e sigurt: vonesat në blerjen e vaksinave dhe organizimin e fushatave të vaksinimit në Ballkanin Perëndimor, janë një fakt.

Pavarësisht eurokritikës nga ana e Ramës, Shqipëria – së bashku me Serbinë – është një nga dy vendet në Ballkanin Perëndimor që kanë arritur të nisin vaksinimet. Dozat e para – vetëm 975 – erdhën si një dhuratë nga Gjermania. Rama gjithashtu u përpoq, pa sukses, ta mbante të fshehtë origjinën e tyre të vërtetë.

Në fillim të janarit, qeveria e Tiranës njoftoi një marrëveshje për 500,000 doza të vaksinës Pfizer / BioNTech, nga të cilat 10,000 kanë mbërritur tashmë në tokën shqiptare. Megjithatë, Rama refuzoi ta bënte marrëveshjen publike duke cituar si arsye “sekretin tregtar”. Fushata e vaksinimit do të mbulojë afërsisht 23,000 punonjës në sektorin e kujdesit shëndetësor, së bashku me personat mbi 75 vjeç. Megjithatë, sipas shtypit lokal, rruga për përfundimin e vaksinimit do të jetë e gjatë: parashikimet më optimiste flasin për të paktën 14 muaj, ndoshta deri në dy vjet.

Situata në Serbi është edhe më dinamike. Beogradi arriti të fillojë në mënyrë simbolike vaksinimet që më 24 dhjetor, kur kryeministrja Ana Brnabić ishte ndër të parat që iu nënshtrua vaksinës (Pfizer / BioNTech, shpërndarë në 5,000 doza). Serbia menjëherë e bëri të qartë se dëshironte të shqyrtonte të gjitha opsionet e mundshme për të siguruar shpejt sasi të konsiderueshme vaksinash.

Më 6 janar, në Beograd mbërritën dozat e para të vaksinës “Sputnik V” të zhvilluara në Federatën Ruse. Qeveria serbe ka blerë një total prej dy milion dozash. Disa ditë më parë, më 16 janar, një ngarkesë me një milion doza të vaksinës kineze “Sinopharm” kishte zbarkuar në aeroportin e Beogradit, ndërsa qeveria njoftoi blerjen e mëtejshme të 8,000 dozave të vaksinës “AstraZeneca” falë një marrëveshje dypalëshe me Poloninë.

Deri tani, Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor i aftë për të filluar vaksinimin masiv: për ta zbatuar atë, u krijua një sistem regjistrimi online në faqen elektronike të qeverisë serbe, e cila më 20 janar kishte regjistruar zyrtarisht 436,000 njerëz, kryesisht mbi moshën 50 vjeç.

Vaksinimi duhet të fillojë në shkurt, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Kosovë. Të dy vendet kanë arritur një marrëveshje me Pfizer / BioNTech, por shpërndarja e dozave të para do të nisë pas disa javësh.

Për momentin, Shkupi ka njoftuar se ka siguruar 800,000 doza deri në fund të vitit 2021. Data e parë e shpërndarjes mbetet e papërcaktuar, por vaksinat e para do të mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut falë një donacioni, këtë herë nga Serbia, i cili së shpejti duhet të shpërndajë rreth 8,000 doza. Në garën e vaksinave në Ballkanin Perëndimor, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi kanë mbetur prapa. Për arsye të ndryshme, të dyja vendet nuk kanë arritur ende të sigurojnë vaksina dhe fati i fushatave të tyre të vaksinimit për momentin mbetet pa perspektiva konkrete.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of