Zhvillimi normal i vaksinës zgjat rreth katër vjet, para se një dozë të konsiderohet e sigurt dhe t’i vihet në dispozicion njerëzve që do ta marrin. Vaksinat kundër Covid-it u krijuan në një periudhë më të shkurtër se një vit pasi shumica e amerikanëve dëgjuan për herë të parë për virusin, gjë kjo që ngre shumë dyshime në lidhje me sigurinë e saj.
Moon Nahm, shkencëtar i imunologjisë dhe imunoterapisë në Universitetin e Alabamas në Birmingam tha se ajo që ndodhi pasi filloi pandemia është vetëm një pjesë e historisë. Studiuesit tashmë kishin bërë punë për vite me radhë. Sipas Z. Nahm, e gjithë historia është si më poshtë:
Fillimet e saj datojnë në vitin 1985, kur një shkencëtare me emrin Katalin Karikó u zhvendos nga Hungaria në SH.B.A. me ambicien për të mësuar se si të përdoreshin RNA, molekulat që aktivizojnë udhëzimet e ADN-së, për të krijuar ndonjë proteinë që gjendet në organizmat e gjallë.
Eksperimentet e saj nuk patën shumë sukses derisa bashkëpunoi me një studiues në Universitetin e Pensilvanisë, Drew Weissman, i cili donte të përdorte mRNA për të zhvilluar një vaksinë HIV. Ata avancuan në kërkimet e tyre kur kuptuan se përveç katër nukleotideve që mRNA përdorin për të krijuar kopjet e tyre, ato gjithashtu përdorin disa nukleotide të modifikuara.
Karikó dhe Weissman i vendosën këto tek mRNA e tyre, të cilat më pas filluan të prodhonin proteina pa efekte anësore negative. Vitin e kaluar ata kishin filluar të punonin për të krijuar një vaksinë kundër gripit, periudhë gjatë së cilës u identifikua koronavirusi i ri.
Moderna dhe Pfizer, partnerë me kompaninë gjermane BioNTech, ishin në dijeni të rëndësisë së teknologjisë mRNA dhe e kishin sjellë atë në laboratorët e tyre.
Pfizer / BioNTech kishin rritur përpjekjet e tyre për të zhvilluar një vaksinë të gripit në 2018. Kur koronavirusi u shfaq dy vjet më vonë, ata dhe Moderna u përqendruan tek kjo e fundit. Sfida në këtë drejtim ishte gjetja e kombinimeve të mRNA që do të prodhonin proteina që do të ishin efektive kundër COVID-19.
Studiuesit kishin njohuri nga ato që u mësuan në lidhje me virusin SARS 2003, i cili ishte i ngjashëm me COVID, shkruan Alreporter.
Përpjekjet e tyre dhanë rezultat. Duke punuar mbi një vaksine HIV, studiuesit krijuan një algoritëm që mund të parashikonte strukturat molekulare që do të funksiononin edhe në vaksina të tjera. Ata e përdorën atë për të zhvilluar një vaksinë kundër një virusi të zakonshëm që prek traktin respirator dhe shkakton simptoma të lehta, të ngjashme me të ftohurin. Ata i përdorën këto njohuri për të identifikuar një strukturë molekulare që mund të krijonte mbrojtje kundër COVID-19.
Një përkrahje tjetër studiuesve i erdhi edhe nga dhjetëra mijëra vullnetarë të cilët ishin të gatshëm të ishin subjekte prove. Pas kaq shumë vitesh hulumtimi të vaksinave, Institutet Kombëtare të Shëndetit kanë një rrjet të madh studiuesish dhe profesionistësh të trajnuar dhe me përvojë në fushën e mjekësisë dhe sidomos në drejtim të studimit të vaksinave.
Në të njëjtën kohë, paratë nga qeveria amerikane po i përshpejtonin gjërat. Kompanitë farmaceutike normalisht presin që një trajtim të provohet që është efektiv përpara se të fillojnë të investojnë në drejtim të teknologjisë së lartë të nevojshme për të prodhuar një ilaç të ri. Vullnetarët ende po monitorohen për ndonjë shenjë të problemeve afatgjata dhe për të parë se sa zgjat imuniteti i vaksinës.