E PERDITESUAR Në orën 15:00 të kësaj të hënë nisi vaksinimi anti-covid në vend.
Vaksinimi u realizua në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’ me qëllim shmangien e grumbullimeve. E para u vaksinua Shefja e Spitalit infektiv Najada Çomo dhe më pas kryeministri Rama.
Në të gjithë ambientin e stadiumit janë vendosur 60 postacione ku do të kryhet vaksina dhe puna do të vijojë për 8-10 orë në ditë. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar më herët se pritet që në harkun kohor të një ore parashikohen të vaksinohen 60 persona.
Të parët që do të vaksinohen janë bluzat e bardha, ata që janë në vijën e parë të luftës me koronavirusin, më pas mësuesit, policët dhe personat mbi moshën 75 vjeç.
Më herët, kryeministri Rama tha se dozat e sotme janë siguruar nga një vend europian, ndërsa shtoi se vaksina nuk është e detyrueshme, por shumë e këshillueshme.
“Kemi arritur në kushte jo pak të lehta të garantojmë 500 mijë dosjet e para të Pfizer por edhe të sigurojmë fillimin e vaksinimit para afatit falë marrëdhënieve bilaterale që sikundër e kam thënë janë kyçe në këtë proces të çuditshëm. Faktikisht strategjia dhe drejtimi i përcaktuar nga Bashkimi Evropian për tu investuar në skemën e COVAX ka rezultuar që të jetë ende sot që flasim një drejtim i papërcaktuar në kohë. Pra, pavarësisht angazhimit me COVAX të Shqipërisë dhe vendeve jashtë BE nëse do të qëndronim në pritje do të ishim ende në pritje dhe nuk dihet ende sot sa do të zgjaste kjo pritje. Jemi angazhuar intensivisht me kanale të tjera. Ia kemi dalë të kontaktojmë drejtpërdrejtë në Nju Jork Pfizer.
Njëkohësisht kemi hapur 4 kanale të tjera bilaterale në katër vende. Dhe vaksinimi sot është si rezultat i njërës prej vendeve të BE që nuk jam i autorizuar t’ia them emrin. Nuk është Greqia.
Sot nisim me shifrën 975 doza për personelin shëndetësor. Javën e tretë të janarit vijnë 10.750 doza nga Pfizer. Ndërkohë midis shifrës së sotme dhe javës së tretë presim dhe 2 mijë doza të tjera nga i njëjti vend mik”.
Vaksinimi anti-Covid nuk do të jetë vetëm në Tiranë, por do të shtrihet edhe në qytetet e tjera, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, ndërsa dha detaje se si do të kryet e gjithë procedura e vaksinimit.
Ekspertët e Komitetit Teknik i Ekspertëve dhe ekspertët e Komitetit të Vaksinimit dhe Imunizimit kanë bërë një vlerësim të imtësishëm të situatës së administrimit të vaksinës në vendet europian, e kanë studiuar planet dhe në bazë të standardeve më të mira kanë realizuar planin kombëtar i cili përfshin disa aspekte. Aspekti kryesor është prioritizimi i grupeve që do të vaksinohen, dhe fillojnë me mjekët, edhe këtu ka një prioritizim pasi personali mjekësor është 23 mijë. Të gjithë punonjësit e shëndetësisë që ofrojnë shërbim në spitalet COVID do të jenë të parët që do të vaksinohen.
Më tej vijojmë me ato në reanimacion, urgjenca dhe në të gjithë sistemin shëndetësor.
Prioritare për t’u vaksinuar janë personat e moshuar dhe ato me probleme të shumta shëndetësore. Personat e të moshuar që jetojnë në shtëpi të të moshuarve dhe shtëpitë e kujdesit shëndetësor, do të vijojmë me personat rreth 75 vjeç që janë rreth 170 mijë.
Në Arenën Kombëtare, sipas kohës që i nevojitet një personi për vaksinim. Në momentin që ai vjen për t’u vaksinuar ka një formular, i cili dhe kërkon një kohë të posaçme dhe më pas kryerjes së vaksinën qëndron në monitorim 30 minuta.
Shpërndarja e vaksinës nuk do të jetë vetëm në Tiranë, fillojmë me Shkodrën dhe Vlorën. Janë marrë masa për vendosjen e postacioneve do të jenë në monitorim jo vetëm me mjekë, por ekipi i Urgjencës kombëtare do të luajë një rol të rëndësishëm për çdo element që lidhet me procesin e vaksinimit dhe sigurinë e jetës.
Do të vijojmë me të gjithë elementët e sigurisë, duke filluar nga formulari, karta e vaksinimit, e cila do të përmbajë të gjitha elementët kryesor, qoftë numrin e lotit të vaksinës, serinë e saj, datën e dozës së parë, data e dozës së dytë, që do ti jepen personit. Ndërkohë me AKSH-in kemi përfunduar dy element të rëndësishëm të ruajtjes së informacionit elektronik”, tha Manastirliu.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.