Flet Jeta Hoxha, agjente turizmi “Union Travel”
Nisja e programit të vaksinimit, në shumë vende të botës, ka ngjallur shpresën për një rikthim në normalitet, por kjo rrugë duket ende e gjatë.
Jeta Hoxha, agjente turizmi pranë “Union Travel” shprehet se edhe ky vit, ashtu si ai që lamë pas për tregun e agjencive turistike dhe sektorin e turizmit në përgjithësi, do të jetë një përpjekje për mbijetesë. Hoxha pohon se turizmi vendas ka dhënë ndikim të vogël pozitiv, ndërkohë që kufizimet me pjesën e Europës kthyen në trend disa destinacione ndërkombëtare si Dubai e Turqia.
Si paraqitet situata e përgjithshme e segmentit të agjencive turistike një vit nga nisja e pandemisë?
Sektori i turizmit për vitin 2021 do të jetë shumë më ndryshe se ai në vitin 2019. Sa më gjatë që vazhdon kriza, aq më shumë biznese dhe punë humbasin, aq më të mëdha janë ndërlikimet për sjelljen e udhëtarëve dhe aq më i vështirë do të jetë rindërtimi i ekonomisë së turizmit. Kjo sjell sfida për sektorin, por edhe mundësi për të inkurajuar inovacionin, drejtimin e modeleve të reja, eksplorimin e tregjeve – tregjeve të reja, hapjen e destinacioneve të reja, dhe kalimin në modele më të qëndrueshme për zhvillimin e turizmit. Udhëtimi po evoluon.
Disa trende të reja të udhëtimit në 2021 pasqyrojnë realitetin e ri të epokës aktuale. Lajmet inkurajuese për vaksinat kanë rritur shpresat për rikuperim, por sfidat mbeten, me sektorin që pritet të jetë në gjendjen e mbijetesës edhe për vitin 2021. Sigurisht sa më shpejt të vaksinohen njerëzit, aq më të qetë do të ndihen të udhëtojnë përsëri dhe të jenë të kujdesshëm. Sidoqoftë, përvoja ka treguar që industria e udhëtimeve do të kthehet. Kjo arrihet përmes mbajtjes së klientëve të angazhuar dhe duke iu ofruar sigurinë kur ata të udhëtojnë sërish.
A ka mjaftuar vetëm turizmi i brendshëm për mbijetesën e sektorit?
Turizmi vendas ka ndihmuar në zbutjen e ndikimit në vendet e punës dhe bizneset në disa destinacione. Sigurisht, rimëkëmbja e vërtetë do të jetë e mundur kur të kthehet turizmi ndërkombëtar.
A ka pasur destinacione që janë kthyer në trend për shkak të kufizimeve?
Ka pasur destinacione që janë kthyer në trend së fundmi, si Dubai, Turqia, Egjipti ku klientët mund të udhëtojnë vetëm me testin, dhe duke respektuar rregullat e Covid.
Si ka funksionuar pjesa e kuponëve për rezervimet para pandemisë?
Ne nuk kemi aplikuar një kupon para pjesës së pandemisë, për sa u përket rezervimeve që janë bërë përpara, janë rimbursuar dhe në një moment të dytë, kur situata ka qenë e mundur për të udhëtuar, janë ribërë rezervimet.
Si janë prekur shpenzimet dhe burimet njerëzore brenda agjencive në harkun e një viti?
Duke u munduar për të mbijetuar në kohë të vështira, shpenzimet janë zvogëluar, pasi prekja ka qenë e madhe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.