Vaksinimi për studentët dhe pedagogët mund të jetë i detyrueshëm, paralajmëroi kryeministri Rama gjatë vizitës në Rezidencën Studentore Universitare nr. 2.
Ai i kërkoi ministres së Arsimit që të njoftojë rektoratet të bëhen gati. Kush nuk ka bërë vaksinën anti-Covid, nuk do të lejohet që të hyjë në auditor, duke nisur që nga pedagogu deri të studenti.
“Duhet t’ia shpjegojmë rektoratit, vaksinimi për studentët do të jetë i detyrueshëm, që ta dinë që nëse vjen momenti, e të mos thonë “pse s’na thatë, dua ‘sdua”, se ata që kanë pjesë të aktivitetit të tyre bashkë me të tjerë është përgjegjësi që nëse për veten mund të thonë s’dua t’ia di, të tjerët s’mund të t’i marrin në qafë.
Do vijë momenti që vaksinimi për studentët në auditore të jetë i detyrueshëm. E pamundur që të lejojmë që të kemi një përshkallëzim të panevojshëm të numrave dhe të shkojmë në masa që kurrë nuk duhen kthehen pas. Edhe me pedagogët e njëjta gjë. Nuk ka “nuk dua”, pedagogët që hyjnë në auditor, studentët kanë përgjegjësi të mbrojnë të tjerët dhe shteti ka për detyrë që të mbrojë dikë që është i vaksinuar nga ai që nuk vaksinohet. Mund të mos e bësh, por rri jashtë, nuk futesh në auditor.
Mund të vij momenti që për disa kategori të bëhet e detyrueshme dhe këtu, se tjetër gjë për atë që rri në shtëpi, por kush ka punë apo aktivitete të tilla që është në kontakt me njerëzit e tjerë në distanca të afërta nuk mund të thotë s’dua, ose të thotë s’dua por të tërhiqet nga ai ndërveprim deri sa të jetë virusi vërdallë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë argumentoi se vaksinimi në këto kategori duhet patjetër për të shmangur një karantinë totale apo masa ekstreme që u morën vitin e kaluar në kulmin e pandemisë.
Në total janë kryer në total 1,386,713 doza të vaksinës ndaj Covid-19. Për 594,050 qytetarë ka përfunduar procesi i vaksinimit me dy doza.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.