Rritja e përgjithshme e çmimeve vijoi të jetë e lartë në muajin mars me 2.1%, nivel ky mbi objektivin e poshtëm të Bankës së Shqipërisë prej 2%, si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve. Përveç ushqimeve, gjatë marsit kanë vijuar të rriten të gjitha grupet kryesore të mallrave të konsumit, përveç veshjeve dhe pajisjeve shtëpiake.
Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me + 1,43 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,22 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar respektivisht me + 0,03 dhe +0,02 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar respektivisht me -0,03 dhe – 0,01 pikë përqindje
Krahasuar me muajin mars 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 3,8%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,3%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,2%, “Shërbimi arsimor” me 0,7%, etj.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “zarzavate, përfshirë patatet“ u rritën me 12,3%, pasuar nga nëngrupet “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 5,3%, “qumësht, djathë e vezë” me 5,2%, “fruta” me 3,7% etj.
Nga ana tjetër, çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u ulën me 1,6% dhe “peshk” me 0,1%. Ndryshimi mujor i indeksit është + 0,4%.
Krahasuar me muajin shkurt 2017, rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 1,0% pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga 0,5% secili, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3% etj.
Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me -0,2%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.