Valbona, turizmi nxit investimin për impiant të trajtimit të ujërave të ndotura dhe kanalizime

28/05/2020 10:00 AM 0 komente

Valbona prej vitesh është kthyer në një nga pikat më atraktive të turizmit vendas me rritje vit pas viti të frekuentimit dhe numrit të bujtinave. Në vijim të kësaj Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vendosur që të bëhet për herë të parë një lidhje e rrjetit të kanalizimeve të kësaj zone e cila nuk ekziston si dhe një impiant që do të trajtojë ujërat e ndotura. “Ndërtimi i rrjetit te kanalizimeve të kësaj zone dhe impianti i trajtimit të ujërave të ndotura do i shërbejë një popullsie apo turisteve rezidentë dhe jo të cilët deri më tani arrijnë në një numër prej 2500 banorë/turistë.

Në bazë të të dhënave nga Bashkia Tropojë në zonën turistike Valbonë ka kapacitete akomoduese “Guesthouse”(shtëpi të përshtatura për hotele) dhe hotele rreth 2500 – 3000 persona. Llogariten rreth 185 objekte gjithsej ku përfshihen shtëpi banimi, bujtina, dhe objekte të tjera sociale dhe kulturore” thuhet në dokumente.

Sipas të dhënave të mbledhura në terren raporti teknik i FSHZH nënvizon se aktualisht zona nuk ka rrjet kanalizimesh, si për ujërat e zeza ashtu edhe për ujërat e shiut. Ujërat e përdorura shkarkohen në cisterna / gropa septike të ndërtuara individualisht për secilën shtëpi, ndërsa ujërat e shiut funksionojnë natyrshëm në mënyrë jo të organizuar.

Sipas dokumenteve pas ndërtimit të sistemit të furnizimit me ujë, konsumi i ujit është rritur, duke shkaktuar gjithashtu një ndryshim në gjendjen sanitare dhe duke rritur ndotjen e mjedisit dhe të trupës ujore pritëse ( Lumi Valbone).

FSHZH aktualisht përmes një procedurë prokurimi ka hapur procedurën për ndërtimin e impiantit dhe kanalizimeve me një fond limit rreth 58 milionë lekë ndërkohë që ka lënë si afat të fundit të paraqitjes së dokumenteve dhe ofertave nga ana e operatorëve të interesuar datën 26 qershor. Kohëzgjatja e punimeve parashikohet që të jetë për një afat 8 mujor ndërkohë që vetëm për vitin 2020 fondi është llogaritur 11.6 milionë lekë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of