Valencia, qyteti i përsosur për ata që kërkojnë një fundjavë argëtuese në një vend të largët, është qyteti i tretë më i madh i Spanjës, i cili tani po konkurron me vende si Madridi dhe Barcelona në garën për të fituar zemrat e turistëve.
Qyteti ka temperatura perfekte ku mesatarja është rreth 18 gradë Celsius, ofron plot 300 ditë me diell, një gastronomi të shijshme dhe hapësira të gjelbra dekorative, të cilat e kanë ndihmuar atë që të sigurojë titullin e Kryeqytetit të Gjelbër Europian 2024.
Por, mbi të gjitha, vizitorët kanë më shumë interes që të njohin jetën tipike valenciane, me atmosferën e tyre të reklaksuar mesdhetare që përzien modën e vjetër me të renë.
“Valencia është një mënyrë jetese, është një fabrikë emocionesh,” thotë Francesc Colomer, Sekretari i Turizmit në rajonin e Valencias. “Ne po jetojmë gjithashtu në një epokë të artë të gastronomisë valenciane.”
Ja çfarë duhet të keni në vëmendje gjatë udhëtimit tuaj në Valencia.
Provoni çdo gatim me oriz, por veçanërisht Paella
Ka më shumë se 200 gatime me oriz në rajonin e Valencias, kështu që duhet të provoni të paktën njërin prej tyre.
Por, Colomer rekomandon që vizitorët të mos largohen pa provuar atë që ka të ngjarë të jetë gatimi më i famshëm në të gjithë Spanjën, i cili lindi në Valencia në vitet 1800, paella.
“Paella është gatimi më i rëndësishëm që kemi në Valencia, është më shumë se thjesht ushqim – është një ritual mikpritjeje për ne”, thotë Colomer. “Është një gatim për t’u ndarë me të tjerët, një moment gëzimi.”
Megjithëse paella tradicionale valenciane bëhej me mish lepuri ose kërmij, tani mund të gjeni një shumëllojshmëri të kombinimeve – paella klasike me fruta deti, paella me mish dhe paella “fideua”, e cila në vend të orizit ka spageti të shkurtra.
Restoranti “La Pepica”, i hapur në vitin 1898, është një institucion në Valencia, dhe dikur frekuentohej nga shkrimtari Ernest Hemingueji. Aty shërbehet edhe sot e kësaj dite paella e shijshme autentike.
Zhytuni në historinë komplekse të Valencias
Maurët sunduan Valencian për qindra vjet, dhe ndikimi i sundimtarëve të Afrikës së Veriut dhe i kulturës islame vazhdon të vihet re në arkitekturën e qytetit dhe në rrugët e ngushta, pranë ndërtesave romake dhe atyre moderne.
Një shëtitje në zemër të qendrës historike të Valencias, Ciutat Vella, do t’ju përballë me disa prej ndërtesave më spektakolare në qytet.

Këto përfshijnë: La Lonja de la Seda, një treg mesjetar i mëndafshit me arkitekturë gotike, i cili është gjithashtu një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; tregu modern Colón, i cili ka shumë dyqane moderne ushqimesh dhe kafene elegante; dhe Qyteti i Arteve dhe Shkencës, një ndërtesë ultramoderne, me pamje futuriste, e cila është projektuar nga arkitekti vendas i Valencias, Santiago Calatrava. Kompleksi ka një akuarium, një sallë koncertesh dhe një planetar.
Vini re përkushtimin e qytetit për të qenë i qëndrueshëm me mjedisin
Valencia do të fitojë titullin e Kryeqytetit të Gjelbër Europian në vitin 2024, duke lënë pas qytetin e Cagliarit në Sardenjë.
Çmimi është dhënë për shkak të përpjekjeve që bën qyteti për të arritur objektivat e qëndrueshmërisë me mjedisin, por edhe për shkak të projekteve të tij të ardhshme për të përmirësuar dhe për të zgjeruar hapësirat e gjelbra.
Si rezultat i kësaj, Valencia do të marrë 350,000 euro për të çuar përpara politikat e saj të gjelbra.
Dëgjoni muzikën valenciane
Ka më shumë se 1,000 grupe muzikore tradicionale në rajonin e Valencias (“bandat” e njohura ndërkombëtarisht), shumë prej të cilave marrin pjesë në festivale vjetore duke mbledhur mijëra njerëz, thotë Colomer.
Rajoni krenohet me një skenë muzikore eklektike, të pasur me stile të ndryshme të muzikës popullore tradicionale të cilat kanë evoluar në Valencia përgjatë shekujve të kaluar, duke përfshirë fandango dhe jota, që shoqërohen nga vallet e tyre tradicionale.
Vizitoni plazhet
Qoftë verë apo dimër, plazhet me rërë të Valencias janë të domosdoshme për t’u parë nëse jeni duke vizituar qytetin dhe rrethinat e tij.
“Ka mbi 500 kilometra vijë bregdetare, të pasur si me peizazhe të bukura, ashtu edhe me trashëgimi”, thotë Colomer.

Nëse jeni duke qëndruar në qytet, plazhet më të mira që mund të arrihen shpejt nga qendra janë La Patacona, La Malvarrosa dhe Pinedo.
Eksploroni edhe përtej qytetit
Nëse ju ka mbetur edhe pak kohë, mund të vizitoni mrekulli të tjera të rajonit përtej qytetit të Valencias.
Fansat e Game of Thrones mund të shijojnë një vizitë në Peniscola, një qytezë piktoreske bregdetare ku ndodhet një kështjellë magjepsëse mesjetare.
Ajo ka shërbyer për xhirimin e skenave në Meeren gjatë sezonit të gjashtë të serialit të njohur. Mënyra më e mirë për të shkuar atje është me tren.
Shumë afër Valencias është Port Saplaya, një fshat i njohur për peshkimin që është quajtur “Venecia e vogël” e Valencias.

Rajoni i Valencias numëron gjithashtu disa vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të cilat njihen për vlerën e tyre të jashtëzakonshme universale, që nga arti në shpellat e pellgut Iberik të Mesdheut e deri te spektakli i barutit, zjarrit dhe muzikës në festivalin Fallas. / Euronews