Shqipëria dhe Mali i Zi vlerësohet se kanë normën më të lartë të varësisë ndaj të rinjve në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë të dhënat historike tregojnë se ndër vite Shqipëria ka parë rënien më të fortë të këtij treguesi, nxitur edhe nga faktorët e tjerë demografikë, siç janë rënia e lindjeve, emigracioni dhe plakja e popullsisë (shiko grafikun).
Sipas të dhënave të Our World in Data norma e varësisë ndaj të rinjve në Shqipëri shënoi në 2017-n rreth 25%, duke u renditur së bashku me Malin e Zi, i cili regjistroi një normë varësi prej 26.99%, si vendet me normën më të lartë të varësisë ndaj të rinjve në Ballkanin Perëndimor dhe BE. Kështu për çdo të ri jo në moshë pune në Shqipëri ka 4 të rritur në moshë pune.
Pas Shqipërisë dhe Malit të Zi, renditet Serbia, ku norma e varësisë ndaj të rinjve sipas Our World in Data ishte 24.86%, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 23.8% dhe Bosnje dhe Hercegovina me 20.9%.
Sa më i lartë të jetë ky tregues, aq më shumë presion ka ekonomia për t’u përballur me mbështetjen e popullsisë jo produktive. Krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian, ky tregues është thuajse 10% më i ulët.
Në Bashkimin Europian, norma e varësisë ndaj moshave të reja qëndronte në nivelin e 35% në 2017-n. Me fjalë të tjera, mesatarisht në BE për një person të ri (të moshës më të vogël se 19 vjeç), kishte 3 njerëz në moshë pune. Ndërsa mosha e varësisë ndaj të moshuarve ishte pak më e ulët, me 33%, e cila përfaqëson normën e numrit të të moshuarve (mbi 65 vjeç) në krahasim me njerëzit që janë në moshë pune.
Sipas të dhënave të Eurostat, në nivel qytetesh, Brukseli është kryeqytet më i ri Bashkimit Europian me një varësi ndaj të rinjve më shumë se 40%, ndjekur me një diferencë të ngushtë nga Parisi dhe Dublini me 39%. Në kontrast, Lisbona, me një varësi të të moshuarve me më shumë se 41%, është kryeqyteti europian me qytetarët më të vjetër, ndjekur nga Roma me 36% dhe Valeta me 34%.
Edhe treguesi i varësisë ndaj moshave të vjetra, tregon po ashtu, presionin e ekonomisë për të mbështetur popullsinë inaktive.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.