Diferencat e prodhimit në vite konfirmojnë nevojën për burime alternative
1531 MW – Është fuqia e përgjithshme e instaluar në hidrocentralet në pronësi të shtetit, kurse bashkë me privatin arrin 1726 megavat
Praktikisht, menaxhimi i sistemit nuk kërkon ndonjë angazhim, pasi varet vetëm nga moti
Në vitin 2010, sistemi ynë energjetik prodhoi rreth 7.7 miliardë kilovat energji elektrike, më i larti në 25 vitet e fundit (sipas matjeve nga 1985). Atë vit, KESH-i siguroi mbi 200 milionë euro të ardhura, doli me fitim pas shumë vitesh me humbje dhe madje shleu një pjesë të mirë të borxheve.
Në vitin 2012, prodhuam 4.7 miliardë kilovat energji elektrike, ndërsa KESH-i u zhyt në 150 milionë euro borxhe. Nga krahasimi i prodhimit të energjisë elektrike gjatë periudhës 2007–2012 vërehen diferenca jashtëzakonisht të mëdha dhe se sistemi ynë varet i gjithi nga ecuria e motit.
Prodhimi më i ulët vjetor gjatë kësaj periudhe është ai i vitit 2007 me 2,918 milionë kilovat/orë ose me një prodhim mesatar ditor prej 7.9 milionë kilovat/orë. Ndërsa prodhimi më i madh është ai i vitit 2010, me 7,743.295 milionë kilovat/orë ose me një prodhim mesatar ditor prej 21.2 milionë kilovat/orë.
“Sikurse vihet re diferenca ndërmjet këtyre dy prodhimeve ekstreme arrin në 2.7 herë. Një tregues i tillë shpreh në mënyrë sinjifikative shkallën e lartë të riskut hidrologjik në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga sistemet elektroenergjetike të mbështetur vetëm në HEC-e”, thotë Enti Rregullator i Energjisë.
Të tilla raporte dëshmojnë se vendi ynë ka nevojë për burime të tjera alternative të sigurimit të energjisë elektrike. Çdokush ka të drejtën të thotë se pse KESH-i priti kaq gjatë për të reaguar ndaj situatës dhe të shmangte përmbytjet. E gjitha varet me shpesën për të ruajtur rezervën për muajt e ardhshëm, ndaj të cilëve nuk dihet me saktësi se çfarë ecurie do të kemi. Stina e verës karakterizohet nga thatësirat dhe çdo reshje në muajt e pranverës shikohet me optimizëm nga KESH-i për një vazhdimësi të furnizimit të popullatës me drita përmes prodhimit të energjisë nga hidrocentralet.
Viti 2012, nga pikëpamja hidrologjike, vlerësohet si një vit me prurje me shkallë sigurie jo të lartë, gjë që nuk ka ndikuar pozitivisht në prodhimin e energjisë elektrike në vend, duke arritur një prodhim afërsisht mesatar që nga historiku i të gjitha kohërave në Shqipëri.
Prodhimi maksimal për vitin 2012, është shënuar në muajin dhjetor me 566604 megavat/orë. Ky prodhim i lartë është realizuar nga hidrocentralet në administrim të KESH-it, kapaciteti i instaluar i të cilëve është 1433 megavat. Për këtë prodhim koha e shfrytëzimit me kapacitetin maksimal të instaluar, për çdo agregat në të gjithë HEC-et, rezulton rreth mbi 12 orë në 24 orë punë ose një koeficient ngarkese mesatare.
A.Kola
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.