Nëse pandemia e koronavirusit vazhdon të përhapet në të gjithë botën, vaksinat mund të bëhen joefektive dhe imuniteti i njeriut nuk mund t’i luftojë më variantet e reja. Vaksinat duhet të dërgohen në vendet ku ka më shumë nevojë.
Sipas nextstrain.org, tani ekzistojnë më shumë se 1 mijë variante të njohura të virusit SARS CoV-2.
Deri tani, “variantet që përbëjnë shqetësim” janë emëruar sipas vendeve ku janë zbuluar për herë të parë. Por në një lëvizje për të shmangur stigmatizimin e vendeve të veçanta, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka prezantuar një sistem të ri emërtimesh bazuar në shkronjat e alfabetit grek. Varianteve të Mbretërisë së Bashkuar / Kent, Afrikës së Jugut, Brazilit dhe Indisë tani do t’u jepen përkatësisht shkronjat Alpha, Beta, Gamma dhe Delta.
Varianti i ri i zbuluar në Vietnam duket se është një ndërthurje midis Alpha (B.1.1.7) dhe Delta (B.1.617). Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Nguyen Thanh Long, virusi i ri përhapet “shpejt nga ajri”, gjë që mund të shpjegojë rritjen e shpejtë të numrit të infektimeve të reja gjatë muajit maj.
Deri tani, Vietnami e kishte kaluar relativisht lehtë situatën, duke regjistruar rreth 3,500 raste të konfirmuara dhe 47 vdekje nga fillimi i pandemisë deri në fillim të majit 2021.
Qeveria arriti ta kufizojë përhapjen e tij duke vendosur një bllokim të shkurtër por të rreptë. Por që prej muajit maj, Vietnami ka regjistruar më shumë se 3 mijë raste të reja – mbi të gjitha në provincat e Bac Ninh dhe Bac Giang, ku qindra mijëra njerëz punojnë në objekte të mëdha prodhimi për ndërmarrjet ndërkombëtare të teknologjisë.
Përcaktimi i rrjedhës së pandemisë
Dikush mund të mendojë se shifrat e mësipërme janë ende relativisht të ulëta, por variantet e reja në Azi dhe në vende të tjera duhet të përbëjnë shqetësim për këdo, pavarësisht vendit ku jetojnë. Dhe kjo, jo vetëm për faktin se pandemia do të vazhdojë të shkaktojë më shumë vuajtje dhe kufizime në të gjithë botën. Në një botë të globalizuar, variante të tilla përhapen shpejt. Dhe nëse këto variante të reja përshtaten gjithnjë e më shumë me organizmin njerëzor, atëherë antitrupat tanë, të formuar ose nga vaksinimi ose infektimi nuk do të na mbrojnë më në një moment të caktuar.
Variante të ndryshme dhe vaksinat e gabuara
Ka shumë të dhëna që tregojnë se variantet e virusit janë kryesisht përgjegjës për shpërthimet aktuale në pjesë të ndryshme të Azisë. Në Sri Lanka dhe Kamboxhia, lloji Alpha (B.1.1.7) është mbizotërues. Momentalisht, vaksinat e mRNA-së të prodhuara nga BioNtech / Pfizer dhe Moderna janë një armë efektive kundër këtij varianti. Dhe vaksinat e mRNA-së mund të përshtaten relativisht shpejt. Vaksina AstraZeneca gjithashtu ofron mbrojtje të mirë.
Në Indi dhe më në veriperëndim të Nepalit, varianti Delta (B.1.617) tashmë është përhapur gjerësisht. Si rezultat, Nepali ka parë një rritje të madhe në numrin e rasteve të regjistruara COVID-19 që nga mesi i prillit.
Vetëm 1 milion e popullsisë prej 96 milionë banorësh janë vaksinuar me AstraZeneca, e cila krijon një mbrojte të mirë kundër variantit Alpha, por ndoshta nuk është aq efektive ndaj variantit Delta.
Shpërndarja e padrejtë vaksinave
Ndërsa shumë kombe të industrializuara synojnë të kenë vaksinuar shumicën e popullsisë së tyre të rritur deri në fund të verës, shumë vende të varfra aziatike, afrikane ose të Amerikës Latine nuk kanë qenë në gjendje as të fillojnë fushatat e tyre të vaksinimit.
Sipas një studimi të fundit të publikuar në revistën mjekësore The Lancet, vendet më të pasura të botës kanë siguruar rreth 70% të furnizimeve të pesë vaksinave kryesore COVID pavarësisht se kanë më pak se 16% të popullsisë së globit. Sipas OBSH-së, vetëm 0.2% e popullsisë në vendet e varfëra janë vaksinuar kundër SARS-COV2./DW