Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka thënë se do të dalin së shpejti me dizajnin e masave për të ruajtur ekonominë në Kosovë, me theks të veçantë ata tha se synojnë që të ndihmojnë bizneset me pagesat e qirave dhe pagat e punëtorëve. Kurse, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se varianti britanik i COVID-19, është dominues në Kosovë.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se Kosova po kalon në një situatë emergjente me pandeminë COVID-19, ku do të ketë përkrahje financiare për sektorët të cilët preken nga masat e reja anti-Covid.
Murati deklaroi se plani është që bizneset e prekura të mbështeten në pagesën e qirasë dhe në pagat e punëtorëve.
“Bizneset i kemi siguruar se mbështetja nuk do të mungojë. Deri në dizajnimi i masave konkrete të cilat do t’i publikojmë gjatë ditëve në vijim. Por ideja kryesore është që të mbështeten qiratë, pra shpenzimet fikse si dhe pagat e punëtorëve. Synimi ynë do të jetë të ruhet shëndeti ekonomik, por pikë së pari të ruhen edhe vendet e punës, sepse ato vende të punës pra sigurojnë familje të tëra”.
Murati në një konferencë për media ka thënë se momentalisht nuk do të ketë pako të rimëkëmbjes, por ndihmë financiare për bizneset që janë prekur nga masat të cilat kanë hyrë në fuqi që nga e mërkura e kësaj jave.
“Nuk po flasim për një pako të rimëkëmbjes meqenëse jemi në një situatë emergjente dhe ideja është të marrim kundërveprime për ato sektorë që ndikohen nga masat. Pra për çdo veprim që merret në aspektin shëndetësor, të merret edhe një kundërveprim në aspektin financiar, ashtu që të ruhet shëndeti i ekonomisë. Sa i përket pakos së rimëkëmbjes, ajo do të vije dhe do të ketë përfshirje shumë më të gjerë, pra duhet të shikohet edhe më afatgjatë”, deklaroi Murati.Ai tha se masat e tanishme nuk duhet të shihen si kufizuese, por si parapërgatitje për verën që vjen.
“Masat e tanishme le të mos i shohim si diçka kufizuese, por si një përgatitje për verën që na pret, kur e kemi edhe diasporën këtu e potencialisht të shfrytëzojmë tërë kapacitetin ekonomik dhe tërë kapitalin që mund ta mobilizojmë që të kemi një rimëkëmbje sa më të shpejtë.
Murati tha se do të ketë një pako të rimëkëmbjes ekonomike, por pasi të kalohet situata emergjente në të cilën ndodhet vendi tani.
“Për rimëkëmbjen ekonomike do të jetë tek pasi ta kemi kaluar fazën emergjente, tani më jemi në një fazë emergjente, ku rastet i keni parë edhe vetë, edhe kemi ndërhyrje specifike në sektorë specifikë, pra nuk bëhet fjalë për një pako gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve.
Varianti britanik i COVID-19 është dominues në Kosovë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se varianti britanik i COVID-19, është dominues në Kosovë.
Ai ka thënë se testimi për variantin britanik është bërë në fund të marsit, ndërsa raportin për të e kanë marrë nga IKSHPK më 3 prill.
Sipas tij, nga 147 mostra të marra, 97.28 për qind të tyre kanë rezultuar pozitiv me variant britanik.
“Kjo na konfirmon që në Kosovë varianti britanik është dominant me mbi 95 për qind. Ky ka qenë alarmi kryesor te ne sepse ky variant përveç që shpërndahet më shpejtë, është më agresivë dhe prek edhe moshat e reja. Kjo ka qenë një nga bazat e vendimeve që kemi marrë sepse tani nuk janë të rrezikuara vetëm moshat e shtyera”, ka thënë ai.
Vitia ka folur edhe për vaksinat Anti-COVID, me ç’rast ka thënë se janë duke u angazhuar për sigurimin e vaksinave Anti-COVID.
Ai ka thënë se negociatat me kompanitë prodhuese të vaksinave është dashur të bëhet mëherët, megjithatë së shpejti mund të kemi lajme të mira në raport me furnizimin.
“24 mijë doza që kanë ardhur muajin e kaluar kanë qenë doza nga COVAX dhe janë donacion dhe presim edhe kontigjentin tjetër e 7 mijë dozave siç na është konfirmuar nga ky mekanizëm. Qeveria ka ndarë mjaftueshëm buxhet për blerjen e vaksinave, por duhet të negociohet me kompanitë prodhuese të cilat kanë disa kritere, duke filluar nga ajo që është dashur të kontaktohen shumë mëherët. Së shpejti mund të kemi lajme të mira në raport me disa nga këto kompani që do të na mundësojnë të blejmë vaksinat”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se masat që kanë hyrë sot në fuqi janë më se të nevojshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Vitia në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati, tha se spitalet e Kosovës janë të mbingarkuara me pacientë me COVID-19. Ai e paraqiti situatën si tejet të rënduar.
Vitia ka thënë se masat e reja janë të nevojshme dhe se kuptojnë shqetësimet e ngritura nga sektori ekonomik.
Nga sot e deri më 18 prill, ndër të tjera është mbyllur gastronomia. Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur janë raportuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 95,341 të infektuar. Prej tyre 1,948 kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.