Kosova ka marrë vendim që të pezullojë fluturimet me Britaninë e Madhe, pasi në këtë vend ka nisur përhapja e një varianti të ri të koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha linjave ajrore të fluturimit në Aeroportin “Adem Jashari” nga Britania e Madhe për në Kosovë dhe anasjelltas, për të parandaluar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, MSH-ja ka njoftuar se të gjithë qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe në pikat tokësore obligohen të vetë-izolohen për 14 ditë në shtëpitë/banesat e tyre.
“Vendimi udhëzon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje më fushat e përgjegjësitë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij vendimi”, thuhet në komunikatë.
Për të gjithë personat fizik dhe juridikë që nuk respektojnë këto masa, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit Nr. 07/L-006 për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Ndryshe, teksa krijimi i vaksinave efektive anti-COVID po ofron shpresë për një rrugëdalje nga pandemia, zyrtarët në Britani e ndezën alarmin urgjent për atë që ata e quajtën një variant të ri ngjitës të koronavirusit që po qarkullon në Angli.
Duke përmendur përhapjen e shpejtë të virusit nëpër Londër dhe zonat përreth, kryeministri Boris Johnson vendosi bllokimin më të rreptë të vendit që nga marsi.
“Kur virusi ndryshon metodën e tij të sulmit, ne duhet të ndryshojmë metodën tonë të mbrojtjes”, tha ai.
Në fillim të javës, nga Aeroporti i Prishtinës kishin thënë e gjatë kësaj jave ishin paraparë të realizohen katër fluturime ndërmjet Londrës dhe Prishtinës. Një fluturim është realizuar të martën (22 dhjetor).
Dhjetëra vende kanë ndërprerë lidhjet e udhëtimit me Britaninë e Madhe që kur qeveria atje njoftoi për masa shtesë në Londër dhe Anglinë juglindore gjatë fundjavës, për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit të ri të koronavirusit, i cili u identifikua për herë të parë në shtator.
Ekspertët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në Evropë do të takohen më 23 dhjetor për të diskutuar se si të trajtohet ky lloj i ri i koronavirusit, duke thënë se “kufizimi i udhëtimit për të frenuar përhapjen është një vendim i matur, derisa të kemi një informacion më të mirë”.
Varianti i ri, i cili gjithashtu është zbuluar në numër më të vogël në vendet e tjera, besohet të jetë më i transmetueshëm. Sidoqoftë, ekspertët thonë se mutacionet e virusit janë normale dhe nuk ka prova se ky është më vdekjeprurës ose do të jetë rezistent ndaj vaksinave.
Këto mutacione mund të lejojnë që varianti të replikohet dhe transmetohet në mënyrë më efikase, rreth 70% më shpejtë se ai i zakonshmi, tha Muge Cevik, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e St. Andrews në Skoci dhe këshilltar shkencor i qeverisë britanike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.