Komisari Evropian për zgjerim Johannes Hahn ka dërguar porosi të qarta për Kosovën dhe Serbinë. Hahn ka porositur nga Helsinki për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ai ka thënë se Kosova duhet ta heqë taksën. Ditë më parë edhe Serbia ka kërkuar heqjen e taksës 100%.
Johannes Hahn, Komisioneri Europian për Zgjerim i ka bërë thirrje Kosovës që ta heqë taksën ndaj produkteve serbe.
“Është thelbësore që Kosova ta heqë taksën. Është shumë e rëndësishme heqja e taksës sepse është kundër parimeve të Bashkësisë. Kur bëhet fjalë për tregtinë e lirë, nuk ka vend për taksa. Kjo duhet të ndryshojë”, theksoi Hahn nga Helsinki ku është duke u zhvilluar takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Ai ka porositur Kosovën dhe Serbinë që ta vazhdojnë dialogun – duke thënë se është shumë i rëndësishëm për perspektivën europiane të gjithë rajonit dhe Ballkanit Perëndimor.
“Zgjidhja, rrjedha pozitive e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, është element kyç për të ardhmen e perspektivës evropiane të gjithë rajonit”, shtoi ai.
Por, ai po ashtu i bëri thirrje Serbisë të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
“Në të dyja palët duhet të bëhen hapa njëri drejt tjetrit. Mendoj se mund të gjejmë zgjidhje dhe se kjo nuk është e pamundur”, porositi Hahn. Ai beson se pas zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë do të jetë një “situatë më e qartë”.
“Së bashku me Bashkimin Evropian shpresoj të hyjmë në finalizimin e bisedimeve”, përfundoi Hahn.
Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, e cila ditë më parë ka qëndruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut i ka bërë thirrje Kosovës që ta heqë takën 100% që i është vendosur Serbisë gjatë vitit të kaluar.
Ajo ka thënë se Kosova, duke iu referuar si “Prishtina”, duhet të rishqyrtojë vendimin rreth taksës për mallrat nga Serbia.
“Shumë më mirë është të bashkëpunojmë se sa të bllokojmë. Prishtina duhet ta shqyrtojë vendimin rreth taksës për mallrat serbe”, tha Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë gjatë ceremonisë së fillimit të menaxhimit të përbashkët kufitar “One stop Shop”
Kryeministri Ramush Haradinaj ka vazhduar gjatë tërë kohës të thotë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.
“Guxim është t’i thuhet sot Serbisë që s’mund të na e rrezikosh ekzistencën tonë. Taksa është shtet, nëse s’mundesh për të mbajtur taksën deri në njohje, nuk do të marrim njohjen reciproke të dy shteteve. Është komponentë e të shtet-bërjes, nuk është votë”.
Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në Serbi.
Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi. /Fatos Shala për Monitor.al/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.