Një shembull që nuk duhet ndjekur. Qindra mijë njerëz kanë vdekur, pjesërisht për shkak të paaftësisë së Kremlinit
Gjatë vitit të kaluar, Kremlini është mburrur për suksesin në luftimin e Covid-19. Vendi shmangu karantinat dhe krijoi vaksinën Sputnik V.
Në fillim të qershorit, presidenti rus, Vladimir Putin, u mburr para mijëra të ftuarve në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petërburg, e konsideruar si mbledhja më e madhe ndërkombëtare post-pandemike në botë, duke deklaruar se “situata aktuale në Rusi na lejon të mbajmë evente të tilla, pa ndonjë rrezik të përhapjes së infeksionit”, shkruan The Economist.
Në fakt, në kohën kur Putin po i drejtohej audiencës, mjekët rusë prej disa javësh kishin paralajmëruar për një rritje alarmante të numrit të infeksioneve dhe vdekjeve. Një muaj më vonë, Rusia është në mes të valës së saj të tretë dhe më të ashpër të Covid-19, kur më shumë njerëz po vdesin çdo ditë se në çdo periudhë të mëparshme të pandemisë (shih grafikun).
Numri i rasteve të reja ditore aktualisht është rreth 25,000, disi më pak se në Britani, dhe në rritje. Por ndërsa në Britani kjo rritje është përkthyer në një mesatare prej 18 vdekjesh ditore gjatë javës së kaluar, në Rusi ka rezultuar në një mesatare prej 670 vdekjesh në ditë.
Kontrasti është edhe më i habitshëm sepse Rusia ishte vendi i parë në botë që miratoi një vaksinë kundër virusit, e bazuar në të njëjtën shkencë si AstraZeneca britaniko-suedeze dhe me sa duket, po aq efektive. Por ndërsa në Britani 78% e popullsisë ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, në Rusi kjo përqindje është vetëm 20%. Dallimi nuk është disponueshmëria ose efikasiteti i vaksinës, por besimi i njerëzve te qeveria dhe vaksinat e saj.
E gjithë kjo mund të ishte shmangur. Një vit më parë, qeveria vendosi të heqë një karantinë të pjesshme (zoti Putin e quajti atë “ditë pushimi”), duke shpresuar të kursente para dhe të mbështeste popullaritetin e ulët të presidentit pas rënies së theksuar të të ardhurave në vend. Niveli i popullaritetit u rrit sërish – por njëkohësisht edhe rreziku i infektimit.
Ndërsa vala e dytë goditi Europën në fund të vjeshtës së vitit të kaluar, Kremlini vendosi të mos shpenzonte para për të mbështetur njerëzit dhe bizneset në nevojë gjatë masave të reja bllokuese. Shteti i la njerëzit në baltë, duke i nënvlerësuar qëllimisht rreziqet, ndërkohë që Putin mburrej për kontrastin midis qyteteve të pajetë të Europës dhe Moskës, ku restorantet, teatrot dhe dyqanet qëndronin të hapura.
Por shifrat gënjenin. Deri në shkurt 2021, Rusia kishte një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë në botë, sipas numrave të përpiluar nga The Economist. Deri në këtë periudhë, ajo kishte regjistruar 460,000 më shumë vdekje sesa normalisht, ndërsa numri i vdekjeve zyrtare nga Covid-19 ishte një shifër më modeste prej 85,000. Por duke hequr të gjitha kufizimet dhe duke mashtruar me shifrat, qeveria arriti të krijojë një ndjenjë false të sigurisë.
Kjo po ndodhte pikërisht në një kohë kur njerëzit duhej të nxiteshin që të vaksinoheshin, thotë Denis Volkov nga Levada Center, një sondazh i pavarur. Pavarësisht numrit real dhe marramendës të vdekjeve, në shkurt, sondazhi i tij zbuloi se 57% e njerëzve nuk ishin të shqetësuar se mos infektoheshin nga virusi. Edhe më shqetësuese ishte se dy të tretat e të anketuarve nuk donin të vaksinoheshin.
Ndërkohë, qeveria kishte përparësi të tjera, si burgosja e figurës më të njohur të opozitës, Alexei Navalny, dhe ndalimin e protestave në rrugë. Këtu u bënë të volitshme rregullat e distancimit social. Bashkëpunëtorët e zotit Navalny u vunë në arrest shtëpie me akuzën se kishin “nxitur publikun të shkelte kufizimet epidemiologjike”. Në të njëjtën kohë, zoti Putin mblodhi 80,000 njerëz në stadiumin “Luzhniki” në Moskë, për një ceremoni që shënonte përvjetorin e shtatë të aneksimit të Krimesë.
Shumë rusë arritën në përfundimin se rregullat ishin thjesht një dredhi qeveritare, që duhej shmangur. Ata e shpërfillën edhe vaksinën Sputnik V pas lançimit të saj të bujshëm në fillim të dhjetorit.
Sputnik V ishte autorizuar para se të ishin gati rezultatet e provave klinike të fazës 3. Pasi ato u publikuan, u ngritën pyetje rreth disa mospërputhjeve dhe disponueshmërisë së të dhënave, thotë Boris Reizis, profesor i imunologjisë në Shkollën e Mjekësisë Grossman në Universitetin e Nju Jorkut. Sidoqoftë, thotë ai, të dhënat tregojnë se Sputnik V është të paktën po aq e sigurt dhe efektive sa vaksinat e tjera të bazuara në adenovirus, siç janë ato të krijuara nga AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Por dëmi tashmë është bërë.
Në fakt, besimi te vaksinat është i brishtë kudo. Por në Rusi, askush nuk ka bërë më shumë për të ulur besimin sesa vetë Kremlini dhe mediat e tij besnike, që ushqejnë teoritë e konspiracionit. Zoti Putin e ka shfrytëzuar vaksinën Sputnik V për qëllime gjeopolitike. Megjithatë, ai i bëri bisht vaksinimit të tij deri në fund të marsit dhe refuzoi të fotografohej duke u vaksinuar, edhe pse zakonisht është mjaft i prirë ndaj marifeteve publicitare ku shfaqet nëpër foto me gjoks të zhveshur. Ai gjithashtu ka sugjeruar se vaksinat nga vendet e tjera janë të pasigurta.
Kjo ka pasur ndikim mjaft negativ te shumë rusë që ndiejnë se qeveria e tyre i gënjen në gjithçka. Dhe këta njerëz kanë një arsye të mirë për të menduar kështu: rezulton se disa njerëzve, të cilëve u është thënë se po merrnin vaksinën Sputnik V, në fakt u është dhënë vaksina EpiVacCorona, një tjetër vaksinë ruse e vlerësuar nga zoti Putin, por për të cilën ka shqetësime serioze. Deri tani nuk njihet ndonjë vend që e ka miratuar atë.
Duke mos arritur të fitojnë besimin e popullit, autoritetet ruse po përdorin mjete shtrënguese. Në Moskë, restorantet dhe kafenetë lejohen që t’u shërbejnë njerëzve brenda, vetëm nëse ata kanë një kod QR që vërteton se janë të vaksinuar. Spitalet refuzojnë trajtimin rutinë për këdo që nuk është vaksinuar. Punëtorët e sektorit publik dhe të shërbimeve janë urdhëruar të vaksinohen. Por megjithëse më shumë njerëz po regjistrohen tani për t’u vaksinuar, ekziston një efekt anësor: lulëzimi i një tregu të zi për certifikatat e rreme të vaksinimit, kodet QR dhe përjashtimet mjekësore. Asnjë nga këto nuk është një shenjë e mirë për spitalet në të gjithë vendin, ndërkohë që rastet vazhdojnë të rriten.